Nga Ulqini tek arbëreshët – kënga qytetare bashkon kulturat në Prizren

Ky festival, tashmë i konsoliduar në kalendarin kulturor të qytetit, solli në një skenë të vetme tingujt dhe emocionet e këngës qytetare, duke mbledhur artistë nga Italia (arbëreshët), Elbasani, Presheva, Prishtina dhe Ulqini, si dhe mysafirët e veçantë - këngëtarët e afirmuar Enkelejda dhe Hysni Alushi

Më 2 dhe 3 dhjetor 2025, Shtëpia e Kulturës “Xhemajli Berisha” në Prizren u shndërrua në një qendër të gjallë të traditës shqiptare, duke mirëpritur edicionin e tetë të Festivalit mbarëkombëtar “Kënga qytetare na bashkon në Prizren”.
Ky festival, tashmë i konsoliduar në kalendarin kulturor të qytetit, solli në një skenë të vetme tingujt dhe emocionet e këngës qytetare, duke mbledhur artistë nga Italia (arbëreshët), Elbasani, Presheva, Prishtina dhe Ulqini, si dhe mysafirët e veçantë, këngëtarët e afirmuar Enkelejda dhe Hysni Alushi.
Organizuar nga Shoqata Kulturore-Artistike “Agimi”, me mbështetjen e Komunës së Prizrenit, festivali riktheu edhe një herë atmosferën e ngrohtë të “Zambakut të Prizrenit”, duke e shndërruar qytetin historik në një festë të vërtetë të këngës, artit dhe trashëgimisë sonë shpirtërore.
Pjesëmarrja e grupit “Burimi” në këtë festival jo vetëm që vulosi suksesin e tyre artistik me çmime të merituara, por dëshmoi edhe një herë përkushtimin e pandalshëm për ruajtjen e këngës qytetare ulqinake. Në një atmosferë festive, të mbushur me duartrokitje dhe admirimin e publikut, “Burimi” konfirmoi rolin e tij si një ndër bartësit më të rëndësishëm të traditës muzikore shqiptare në trevën e Ulqinit.
Në këtë kuadër, biseduam me organizatorin e Festivalit, Festim Bytyqi, dhe udhëheqësin artistik të Grupit të Burrave “Burimi”, Mustafa Zhygjeli, të cilët ndanë emocionet, përvojat dhe rëndësinë që ky festival ka për kulturën mbarëkombëtare shqiptare.

D. Teliqi


Kënga qytetare – një trashëgimi që jeton në çdo cep të shqiptarisë

Koha javore: Z. Bytyqi, si do ta përshkruani edicionin e tetë të Festivalit mbarëkombëtar “Kënga qytetare na bashkon në Prizren”?
F. Bytyqi: Edicioni i tetë i Festivalit solli edhe një herë në skenën prizrenase tingujt e traditës dhe kulturës sonë të përbashkët. Në këtë organizim u mirëpritën gjashtë ansamble dhe grupe artistike nga të gjitha trevat shqiptare, deri tek arbëreshët e Kalabrisë, duke dëshmuar se kënga qytetare mbetet një pasuri shpirtërore që na lidh dhe na bashkon.

Koha javore: Cila ishte një nga paraqitjet më të spikatura që mori vëmendjen e publikut?
F. Bytyqi:
Të gjitha paraqitjet ishin të spikatura. E tillë ishte edhe ajo e Grupit “Burimi” të Ulqinit. Ata sollën një program të pasur dhe të përgatitur me kujdes, duke interpretuar me mjeshtëri këngët tradicionale ulqinake. Harmonia vokale, autenticiteti dhe energjia e tyre e bënë performancën një nga më të duartrokiturat e mbrëmjes, duke i dhënë skenës një atmosferë të veçantë dhe emocionuese.

Koha javore: Si u paraqitën grupet e tjera pjesëmarrëse në këtë edicion?
F. Bytyqi:
Grupi i Elbasanit u prezantua me një repertor të kuruar me finesë, duke sjellë në Prizren ngjyrat e traditës elbasanase. Edhe përfaqësuesit nga Presheva dhanë një kontribut të çmuar me programin e tyre dinjitoz, duke dëshmuar se kënga qytetare është një trashëgimi që jeton në çdo cep të shqiptarisë.
Kori “Nexhmije Pagarusha” i shtoi Festivalit një dimension të veçantë. Me interpretimet e tyre emocionale pasuruan mbrëmjen me elegancë artistike dhe shprehën respekt të thellë për ikonën e këngës shqipe, duke krijuar momente të paharrueshme.

Koha javore: Çfarë ndikimi la ky edicion te publiku dhe pjesëmarrësit?
F. Bytyqi:
Ky edicion la gjurmë të bukura, emocione të forta dhe një ndjenjë të thellë mirënjohjeje për artin dhe traditën tonë. Ai konfirmoi edhe një herë se Prizreni mbetet një nga qendrat më të rëndësishme të kulturës shqiptare dhe një vend ku tradita jonë e përbashkët merr jetë në mënyrën më të bukur të mundshme.
Moderimin e Festivalit e realizoi me profesionalizëm, elegancë dhe stil të veçantë artistik Dafina Ismaili. Prania e saj e natyrshme dhe fjalët e përzgjedhura me kujdes i dhanë Festivalit ritëm dhe hijeshi, duke e bërë publikun të ndihej i përfshirë nga fillimi deri në fund.
Ajo në mënyrë të veçantë vlerësoi Grupin e Burrave “Burimi” nga Ulqini, duke i cilësuar si ruajtës fanatikë e krenarë të trashëgimisë muzikore të trevës së tyre.
Punë të vështirë pati në këtë mbrëmje juria profesionale, e cila i vlerësoi grupet një nga një në këtë konkurs, përfshirë edhe Grupin e Burrave “Burimi” nga Ulqini, duke e cilësuar si një grup që ruan me fanatizëm dhe e prezanton me krenari trashëgiminë muzikore të trevës së tyre.
Kulminacioni i mbrëmjes u arrit kur në skenë u ngjit grupi “Shkëmbi” nga Kalabria, të cilët emocionuan publikun me lashtësinë e traditës shekullore dhe kostumografinë e tyre tradicionale.
Për t’u përmbushur në tërësi ky festival, në mesin e të gjitha këtyre grupeve nuk munguan as mysafirët specialë, ikonat e muzikës çame, Enkelejda dhe Hysni Alushi, të cilët e ngritën në këmbë publikun artdashës të qytetit të Prizrenit.


Festivali në Prizren, një festë e vërtetë

Koha javore: Z. Zhygjeli, si erdhi ftesa për pjesëmarrjen e Grupit “Burimi” në këtë edicion të festivalit “Kënga qytetare na bashkon në Prizren”?
M. Zhygjeli: Në Prizren mbahet për çdo vit Festivali i këngës qytetare, me titullin “Kënga na bashkon”. Organizatori kryesor, z. Festim Bytyqi, i bëri ftesë Grupit të Burrave “Burimi”, meqë na kishte dëgjuar para një muaji në Festivalin e Këngës Qytetare “Teuta” në Tetovë.

Koha javore: Cilat ishin grupet pjesëmarrëse dhe si u prit ky festival?
M. Zhygjeli:
Grupet që morën pjesë në këtë festival ishin nga Elbasani, Prishtina, Presheva, Çamëria, arbëreshët e Italisë, si dhe Ulqini. Njëkohësisht, ky festival u shndërrua në një festë të vërtetë në Prizren.

Koha javore: Si u paraqit grupi “Burimi” në këtë edicion dhe çfarë vlerësimesh morët?
M. Zhygjeli:
Grupi “Burimi” prezantoi këngët e kënduara në Ulqin dhe u shpërblye me dy çmime nga ana e jurisë. Të gjitha grupet kënduan në origjinalitetin e vet, si për nga kënga, ashtu edhe për nga veglat muzikore të vendeve përkatëse. Ishte një kënaqësi e veçantë dhe plot emocione në skenë, por ajo që na bëri të lumtur ishte se gjatë tërë kohës publiku na shoqëronte me duartrokitje.

Koha javore: Mund të na thoni më shumë rreth historikut dhe veçantive të Grupit “Burimi”?
M. Zhygjeli:
Grupi i Burrave “Burimi” është formuar në vitin 2000. Plot 25 vite ka ruajtur dhe ruan origjinalitetin e të interpretuarit, kënduarit dhe tekstit të këngëve të kënduara në Ulqin. Disa këngë janë 200-vjeçare e më shumë. Po ashtu, “Burimi” ruan edhe melodinë me instrumente adekuate, duke mos u larguar asnjëherë nga origjinaliteti. Ajo që e veçon “Burimi”-n është luajtja në instrumente, këndimi grupor dhe shumëzërëshmëria.

Të fundit

më të lexuarat