Nga Kadareja te brezat e rinj, libri jeton 24 vite në Ulqin

Ulqini është këto ditë zemra e kulturës. Në kulmin e sezonit turistik, në ambientin e saporinovuar të Pazarit të Suvenirëve, u hap edicioni i 24-t i Panairit të Librit, ngjarja kulturore që prej gati një çerekshekulli e bën këtë qytet të njihet larg përtej kufijve të tij.
Në organizimin e Komunës së Ulqinit, Ministrisë së të Drejtave të Njeriut dhe të Pakicave, Institutit të Librit dhe Promocionit nga Tirana, Ndërmarrjes “Veprimtaritë Komunale” dhe Organizatës Turistike të Ulqinit, panairi është hapur të dielën mbrëma (27 korrik 2025) dhe do të mbyllet sonte (31 korrik 2025), duke sjellë mbi pesëdhjetë ekspozues nga vende të ndryshme të rajonit. Përveç librave të rinj, vizitorët do të argëtohen edhe me koncerte të muzikës klasike.
Në hapjen e Panairit të 24-t të Librit në Ulqin, kryetari i Komunës, Genci Nimanbegu, theksoi rëndësinë e këtij manifestimi kulturor.
“Është kënaqësi dhe krenari e madhe që sot jemi së bashku në Panairin e 24-t të Librit në Ulqin, një nga ngjarjet më të rëndësishme kulturore të qytetit tonë, e cila tashmë është shndërruar në një traditë të dashur”, ka thënë ai.
Nimanbegu ka përkujtuar se ky panair ka mirëpritur ndër vite personalitete të shquara të kulturës shqiptare dhe rajonale.
“Në tërë vitet e Panairit në Ulqin kanë marrë pjesë presidentë, ministra, personalitete të larta publike e politike, por edhe shkrimtarë e artistë të njohur si Ismail Kadare, Dritëro Agolli, Rexhep Qosja, Ali Podrimja, Mehmet Kraja, Fatos Kongoli e shumë të tjerë”, ka thënë ai.
Kryetari i Komunës së Ulqinit ka pohuar se Panairi është më shumë se një treg librash.
“Panairi nuk është vetëm një treg librash, por një festë e mendjes dhe shpirtit, ku zhvillohen takime krijuesish, prezantime veprash dhe ndahen çmime letrare”, ka thënë ai.
Drejtuesja e Institutit të Librit dhe Promocionit, Irena Toçi, bashkorganizatore e Panairit, është shprehur se “Ulqini, në fakt, e ka përkëdhelur këtë panair për 24 vite dhe ruan një traditë të jashtëzakonshme që nuk e gjen shpesh as në shumë qytete të Shqipërisë. Ju, qytetarët e Ulqinit, e keni këtë veçanti.”
Duke përkujtuar themeluesit dhe shkrimtarët që kanë lënë gjurmë, ajo shtoi se pa ëndrrën e parë dhe guximin e para 24 viteve, ndoshta sot nuk do ta kishim këtë ngjarje.
“Shumë shkrimtarë, si Ismail Kadare, Dritëro Agolli, Fatos Arapi e Ali Podrimja, kanë qenë pjesë e këtij panairi dhe mbeten mes nesh me librat e tyre”, ka thënë Toçi.
Ajo ka nënvizuar rëndësinë e vazhdimësisë së këtij panairi dhe ka bërë thirrje për bashkëpunim kulturor.
“Nuk na duket sikur bëjmë një detyrë të zakonshme kur vijmë këtu, por sikur përmbushim një mision të rëndësishëm: të mbajmë gjallë vlerat e kulturës së shkruar dhe të asaj të folur… Trekëndëshi Tiranë-Prishtinë-Ulqin duhet të vazhdojë të funksionojë si një trekëndësh kulturor, që ka në qendër librin”, ka porositur Toçi.
Ministri i të Drejtave të Njeriut dhe të Popujve Pakicë, Fatmir Gjeka, është shprehur se ministria që ai drejton dhe Qeveria e Malit të Zi tregojnë gjithmonë gatishmëri për të mbështetur aktivitete të tilla të rëndësishme, si ky panair i librit, që lidhet me arsimin, kulturën dhe promovimin e vlerave të pakicave.
Ai theksoi rolin e veçantë të Ulqinit.
“Është kënaqësi e veçantë të jem sot këtu me ju, në një qytet si Ulqini, që me këtë panair kontribuon jo vetëm në ruajtjen, por edhe në pasurimin e identitetit tonë kulturor”, ka thënë Gjeka.
Akademiku Mehmet Kraja, në fjalën e tij gjatë hapjes së Panairit të 24-t të Librit në Ulqin, shprehu emocionet e tij.
“Kam pak emocione kur dal para jush me këtë atmosferë. Pas ftesës dhe prezantimit, ndiej shumë emocione, madje edhe më shumë se ju. Libri ka një fuqi të jashtëzakonshme emocionale. Kur fillova të jem pjesëmarrës në këtë ngjarje, nuk e kisha besuar se do të mbijetojë 24 vjet. Por falë përkushtimit dhe mbështetjes së organizatorëve dhe qytetit të Ulqinit, kjo traditë ka qëndruar. Ulqini ka bërë që ky panair të mos ndërpritet as në kohë të vështira dhe kjo ka shumë rëndësi. Dua t’ju uroj shumë suksese dhe shëndet, dhe shpresoj që kjo gjeneratë e re e shkrimtarëve dhe lexuesve të rritet dhe të vazhdojë këtë punë të mrekullueshme. Jam i bindur se me këtë energji, Panairi do të ketë shumë vite të tjera suksesi”, ka thënë ai.
Pas hapjes solemne, në natën e parë vizitorët ndoqën promovimin e librit “Etnoletra shqipe” të autorit Vehbi Miftari nga Kosova, kurse në natën e tretë (29 korrik 2025) është bërë promovimi i përmbledhjes me poezi “Sirup od ogorçevine” i autores malazeze Dragana Erjavshek.
Krahas promovimit të librave, vizitorët i kanë argëtuar me muzikë të dielën mbrëma dyshja pianistike Artemida dhe Elizabeta Qarri nga Kosova, kurse të mërkurën mbrëma Eliza Markiq, e shoqëruar në kitarë nga Husein Hasanaga.
Me atmosferë festive, libra, muzikë dhe miqësi, Ulqini edhe këtë vit e dëshmoi veten si një shtëpi e librit dhe e artit, ku tradita dhe kultura gjejnë gjithmonë vendin e tyre të denjë.

D. Teliqi

Çmimet letrare dhe mirënjohjet e Panarit

Sipas traditës, edhe këtë vit organizatorët kanë ndarë çmime për librat më të mirë dhe certifikata mirënjohje për disa autorë.
Juria e përbërë nga shkrimtarët Liridon Mulaj dhe Eris Rusi, si dhe gazetarja e kulturës Arta Marku, kanë vlerësuar me Çmimin Letrar “Liburnia” (për librin më të mirë në prozë) përmbledhjen me tregime të zgjedhura “Histori të ëndrrave të hershme” të shkrimtarit Mehmet Kraja, botim i Shoqatës së Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club”, me motivacionin “Për larminë e subjekteve që përshkojnë kufijtë tematikë dhe gjeografikë, për mjeshtërinë e rrallë në ndërtimin e personazheve dhe trajtimin e temave nga kohë dhe hapësira të ndryshme duke i dhënë prozës shqiptare një dimension të gjerë kulturor dhe reflektues ku historia, kujtesa dhe përjetimi njerëzor ndërthuren në një vepër letrare të denjë e cila mbetet gjatë në kujtesën e lexuesit”.
Çmimi “Servantes” (për librin më të mirë të përkthyer në gjuhën shqipe) i është ndarë përkthyesit Durim Taçi për librin “Portokall me kurdisje” të autorit Anthony Burgess.
Çmimi “Olcinium” (për librin më të mirë studimor) i është ndarë studiuesit Behar Gjoka për librin “Petro Marko, shkrimtar i lirisë”, ndërkaq Çmimi “Dega e Ullirit” (për librin më të mirë për fëmijë) iu është ndarë autoreve Elia Zaharia për librin “Perla dhe dreri i artë” dhe Meliza Krasniqit për librin “Nexhmije Pagarusha – Unë jam bilbili i Kosovës”.
Përpos çmimeve letrare, janë ndarë edhe tri certifikata mirënjohjeje – për shkrimtarin Andrej Nikollaidis, për binomin Shkëlzen dhe Vjollca Zalli, si dhe për autorin Pashko R. Camaj për librin “Porosia e kullës”.

Të fundit

më të lexuarat