Nevoja për mbështetje serioze dhe të qëndrueshme

Televizioni Boin për ne në Amerikë është si një dritare që jep dritë dhe pa këtë dritare ne jemi në gjysmë errësirë. Tani është koha të mendojmë shoqërisht dhe sinqerisht për një mbështetje serioze dhe të qëndrueshme për një kohë të gjatë

Gjekë Gjonlekaj

(vijon nga numri i kaluar)
TV Boin luan rol të shkëlqyeshëm në afirmimin e të rinjve dhe të rejave duke filluar nga shkollat fillore deri në shkollën e mesme të Tuzit. Ky televizion është shumë korrekt dhe i balancuar me institucionet fetare, qofshin ato të krishtera ose islame. Ata përcjellin me shumë kujdes të gjitha aktivitetet kulturore, duke qenë të pranishëm në gëzime dhe hidhërime të mëdha. TV Boin ishte pranë Tuzit dhe Malësisë për kërkesat e tyre politike, sidomos për themelimin e Komunës së Tuzit. Ky televizon transmeton me përgjegjësi dhe përpikëri të gjitha mbledhjet e Kuvendit të Tuzit dhe festat e tjera të kësaj komune shumë të re, duke qenë shumë objektiv kur është fjala për përparimet e mëdha gjatë këtyre viteve të fundit. Në këtë ekran ne shqiptarët e Malësisë në diasporë e shohim vendlindjen tonë sikur ta kishim në shuplakë të dorës. Kjo është meritë e kameramanëve dhe gazetarëve të cilët punojnë me mish e shpirt për dëshirën e popullit të Malësisë dhe diasporës. Shumica e bashkëvendasve tanë nga ato treva janë shumë të kënaqur me punën që bën TV Boin.

Ashtu siç është nderuar Tomë Bojaj gjatë jetës dhe vdekjes, ashtu do të nderohet edhe Sandra Bojaj. Ajo sot është ndër gratë më të mëdha që ka dhënë Malësia dhe mund të krahasohet me gratë dhe bijat më fisnike ku bëjnë pjesë Tringë Smajlja e Grudës dhe Nore Kolja e Hotit


Ky televizion ka bërë gjithë ato dokumentare filmike dhe reportazhe. Marrim si shembull reportazhin e fundit në lidhje me Kullën e Çun Mulës dhe pasardhësve të tij. Ky reportazh zgjoi ndjenjat e respektit dhe dashurisë në diasporë për këtë familje heroike dhe fisnike, ku bën pjesë edhe autori i këtij shënimi. Të mos harrojmë vlerën e madhe të Arkivit të TV Boin.
Për më shumë se dy dekada, nuk kam dëgjuar dhe as nuk kam parë asnjë përpjekje ose thirrje serioze shoqërore për të ndihmuar vazhdimisht këtë televizion. Është e vërtetë se disa individë kanë dhënë kontribute të dukshme për të mirën e kësaj medie, por numri i tyre është i vogël. Kohët po ndryshojnë dhe ekonomia po stagnon, sidomos pas rritjes së çmimeve të karburantit dhe lëndëve të tjera djegëse.
Automjetet të cilat duhet t’i vëjë në veprim TV Boin kërkojnë shumë karburant dhe riparime, dhe situata pas sulmit të Rusisë në Ukrainë e përkeqësoi gjendjen, sidomos ekonominë e cila varet nga karburantet. Televizioni Boin për ne në Amerikë është si një dritare që jep dritë dhe pa këtë dritare ne jemi në gjysmë errësirë. Tani është koha të mendojmë shoqërisht dhe sinqerisht për një mbështetje serioze dhe të qëndrueshme për një kohë të gjatë.

Në këtë ekran ne shqiptarët e Malësisë në diasporë e shohim vendlindjen tonë sikur ta kishim në shuplakë të dorës. Kjo është meritë e kameramanëve dhe gazetarëve të cilët punojnë me mish e shpirt për dëshirën e popullit të Malësisë dhe diasporës


Zonja Bojaj ka kaluar ditë të vështira, sidomos pas vdekjes së burrit të saj, ngase disa njerëz të mbrapshtë e të pabesë të Malësisë në bashkëpunim me organet antishqiptare e kanë kërcënuar shumë herë me gjoba dhe kërcënime të tjera shumë shqetësuese. Të gjithë e dimë se në të gjitha veprimtaritë serioze çështja financiare luan rol vendimtar.
Dëgjohen fjalë të mira për Boin-in. Po një fjalë e urtë popullore thotë: “Fjalët e mira dhe gurët në strajcë nuk ndihmojnë gjë”. Dëgjoj fjalë të mira, por siç duket ato janë gurë në strajcë e jo bukë në strajcë. Në Kosovë populli thotë: “Është me të dhënme e jo me të thënme”. Sikur mijëra familje të jepnin vetëm 25 centë amerikanë (një quarter) në ditë, TV Boin do të shkëlqente. Ata do të kishin mundësi të dërgonin bashkëpunëtorë dhe korrespondentë në të gjitha shtetet ku jeton diaspora. Diaspora e Malësisë në Amerikë dhe në Evropë mund të kontribuojë me qindra mijëra dollarë në vit. TV Boin duhet të hapë një llogari rrjedhëse për depozitimin e mjeteve drejtëpërsëdrejti, mundësisht edhe ndonjë llogari tjetër elektronike moderne për grumbullimin e fondeve. Ashtu siç është nderuar Tomë Bojaj gjatë jetës dhe vdekjes, ashtu do të nderohet edhe Sandra Bojaj. Ajo sot është ndër gratë më të mëdha që ka dhënë Malësia dhe mund të krahasohet me gratë dhe bijat më fisnike ku bëjnë pjesë Tringë Smajlja e Grudës dhe Nore Kolja e Hotit.
Viti i parë i dekadës së tretë të këtij televizioni duhet të jetë viti më i suksesshëm i mbështetjes financiare. Në qoftë se ne e plotësojmë këtë mbështetje, atëherë edhe Televizioni Boin do t’i plotësojë dëshirat tona.
Imzot Noli do të kishte thënë: “Mbahu Sandër e mos ki frikë, se ke vëllezërit në Amerikë”.

(Fund)

Të fundit

më të lexuarat