Përveç masave për zhbërjen me zjarr e hekur, mbi popullsinë vendëse, shqiptare e boshnjake, do të bie e gjithë pesha e hakmarrjes së egër, shfryrja e inatit dhe e urrejtjes, për disfatën e pësuar në luftën e Nokshiqit. Jo vetëm pjesëtarët e ushtrisë pushtuese, por edhe secili serb a malazias, i kishte duart e lira të vriste e mbyste shqiptarë e boshnjakë. Për këtë arsye, krimet dhe terrori i ushtrisë malaziase do të marrë përmasa gjenocidi. Kujtesa e popullit, krimet e tilla i ka mbajtur mend si ditët e kiametit
Krahina e Plavës dhe Gucisë shtrihet në juglindje të Malit të Zi dhe ka një sipërfaqe prej 486 km². Është vazhdimësi territoriale e krahinës së Kelmendit, që shtrihet në veri të Shqipërisë shtetërore. Lugina e lumit Luça i lidhë këto dy qyteza, tanimë komuna. Lumenjtë e rrjedhshëm, liqenet e rrethuar me një mbretëri hyjnore pyjesh të dendura industriale dhe majash të larta, mbi 2000 metra, e bëjnë këtë trevë ndër më të bukurat e atdheut tonë. Ndaj, nuk ishte e rastit që kjo krahinë ishte treva e parë shqiptare, të cilën do ta kërkojë Mali i Zi dhe të cilën do të vendosin t’ia japin Fuqitë e Mëdha në Kongresin e Berlinit, në vitin 1878. Pas këtij vendimi, në përpjekjet për ta pushtuar me dhunë Plavën e Gucinë, ushtria malaziase do të pësojë humbjen më të madhe nga forcat ushtarake të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, në luftën e Nokshiqit (dhjetor 1879 – janar 1880). Falë jo vetëm heroizmit, por edhe organizimit me pjesëmarrjen e luftëtarëve nga vise të shumta shqiptare, ishte kjo ndër betejat më të njohura për mbrojtjen e tërësisë territoriale shqiptare. Përveç pritjes dhe vendosjes së luftëtarëve në familjet vendëse, në këtë betejë, të udhëhequr nga komandanti ushtarak i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, Ali pashë Gucia, kanë marrë pjesë edhe shumë luftëtarë të kësaj krahine. Kur ishte dhënë kushtrimi se ushtria malaziase kishte depërtuar në Nokshiq, luftëtarët e Hotit, të udhëhequr nga Alush Smajli, të parët ia kishin mësyrë sheshit të luftës, pa pritur të bëhen bashkë me luftëtarët e Plavës e Gucisë dhe të fshatrave përreth.
Më gjerësisht mund ta lexoni në numrin “796” të revistës Koha Javore

