Neoshqiptarizmi si vizion e mision kombëtar

Si ide e koncept neoshqiptarizmi te shqiptarët është i njohur në mes dy luftërave botërore, ku personalitete të njohura shqiptare të kohës kanë prezantuar pikëpamjet e tyre filozofike e sociologjike, që ishte në favor të mendimit politik dhe të identitetit kombëtar shqiptar. Në saje të rrethanave shoqërore e politike, pas shembjes së ideologjisë moniste në vendet e ish-kampit socialist, shqiptarët kanë nevojë për neoshqiptarizmin sepse është një thirrje për zgjim kombëtar, për rinisje dhe për ripërtëritje, duke qenë vizion dhe mision për të tashmen dhe të ardhmen

Nail Draga

Në kohën e monizmit, në Shqipëri, autorët të cilët kanë trajtuar neoshqiptarizmin janë ekskomunikuar, por pas miratimit të pluralizmit nga viti 1990 e më pas kjo çështje filloi të trajtohej nga një numër i kufizuar autorësh. Pikërisht në lidhje me këtë çështje, kohë më parë Arian Galdini opinionit i është paraqitur me botimin “Neoshqiptarizmi”, botuar nga Botimet Jozef në Durrës, 2025.
Autori i librit çështjen e neoshqiptarizmit e trajton duke analizuar një numër të konsiderueshëm personalitetesh shqiptare, duke filluar me Sami Frashërin e përfunduar me Ismail Kadarenë. Nuk ka dilemë se përfaqësuesit e Rilindjes Kombëtare Shqiptare ishin ata të cilët kontribuan në ngritjen e vetëdijes e ndërgjegjes kombëtare shqiptare. Dhe në fillim autori cek Sami Frashërin, duke theksuar veprën e tij “Shqipëria – çka qenë, ç’është e ç’do të bëhet”, e cila ishte platforma politike kombëtare. Edhe personalitetet tjera të cilët janë të prezantuar në këtë botim në forma të ndryshme, kanë dhënë kontributin e tyre në lidhje me idenë dhe konceptin e neoshqiptarizmit.
Në mes dy luftërave botërore, te ne shqiptarët koncepti i neoshqiptarizmit lidhet me emrat e nderuar si Branko Merxhani, Ismet Toto e Vangjel Koça. Por, duhet cekur se në atë kohë i veçantë ishte Branko Merxhani me revistën “Përpjekja shqiptare”, që ishte tribunë e mendimit shoqëror e intelektual, duke qenë model për kohën. Madje ky përmes konceptit të tij të neoshqiptarizmit kërkonte të ndërtonte një Shqipëri të bazuar mbi një elitë intelektuale dhe morale, duke përqafuar modernitetin pa humbur autencitetin kombëtar.

Komunuelthi shqiptar
Por, nga kjo plejadë personalitetesh, të prezantuara në këtë botim duke marrë parasysh se ka jetuar në kohën tonë, veçoj Arbën Xhaferin, i cili është prezantuar me konceptin e Komunuelthit shqiptar. Në këtë aspekt, ai ishte ideolog si rrallëkush duke theksuar se në rrethanat aktuale shoqërore e politike, pas shembjes së ideologjisë moniste në vendet e ish-kampit socialist, shqiptarët duhet të formojnë hapësirën e përbashkët politike, ekonomike e kulturore. Një platformë e tillë meriton qasje të veçantë, e cila duhet të analizohet dhe të plotësohet sipas kërkesave të kohës, duke mbetur si koncepti më i avancuar në aktualitetin gjeopolitik regjional e më gjerë. Për realizimin e një ideje të tillë duhen kuadro të dëshmuara profesionale, guxim intelektual dhe vullnet politik, duke eliminuar paragjykimet dhe animozitetet personale e partiake.

Doktrinë kombëtare
Trajtimi dhe mbështetja e neoshqiptarizmit është obligim shoqëror dhe kombëtar duke dhënë shpjegimet e duhura dhe duke iu kundërvënë globalizmit dhe kosmopolitizmit. Një veprim i tillë nuk do të thotë se ne nuk i përfillim vlerat demokratike perëndimore, por në emër të modernitetit shoqëror nuk mund të humbim vlerat identitare, që është kundër identitetit kombëtar shqiptar. Neoshqiptarizmi, në këtë kontekst, bëhet jo vetëm një doktrinë kombëtare, por edhe një model për të gjitha vendet që kërkojnë të ruajnë identitetin e tyre në një epokë të globalizmit dhe sfidave të mëdha globale.
Neoshqiptarizmi shfaqet si një doktrinë që synon të ripërtërijë frymën kombëtare, duke u bazuar në vlerat më të mira të traditës shqiptare, familjen, meritokracinë dhe duke i harmonizuar ato me mendimin modern konservator.

E kaluara si mësim
Siç shkruante Burke, “një komb që nuk kujton të kaluarën e tij është i destinuar të mos këtë të ardhme”, pikërisht në këtë frymë, neoshqiptarizmi është një përpjekje për të kujtuar, mësuar dhe për të ndërtuar. Neoshqiptarizmi është një udhë që i fton shqiptarët të lënë pas ndasitë dhe krizën e identitetit, për të ndërtuar një të ardhme të bazuar mbi vlerat më të mira të së shkuarës dhe potencialet më të mëdha të së ardhmes.
Neoshqiptarizmi kërkon të ringjallë shpirtin e shqiptarizmit, të ndërtojë një elitë të re mendimi dhe veprimi, duke u mbështetur në vlera, vizion e guxim. Me një fjalë, neoshqiptarizmin duhet kuptuar si rinisje kombëtare, përkatësisht një përpjekje për të ringritur ndërgjegjen kombëtare shqiptare, që nderon të kaluarën, ndërton të tashmen dhe përgatit të ardhmen me guxim.

Leksion i obligueshëm shkollor
Duke marrë parasysh se nxënësve në shkollat fillore e të mesme iu mungon informacioni në lidhje me konceptin dhe semantikën e neoshqiptarizmit, mendoj se është e nevojshme që në programet mësimore shkollore (fillore e të mesme) neoshqiptarizmi duhet të jetë njësi e veçantë mësimore e programeve mësimore shkollore.
Është obligim i institucionit shtetëror që harton programet mësimore, si në Tiranë e Prishtinë, që neoshqiptarizmi mos të anashkalohet por të jetë pjesë e programit mësimor, duke nxitur meditimin në favor të vlerës së identitteit kombëtar, si kudo në botën demokratike, sa më parë, sepse punët tona nuk na i kryejnë të tjerët.

Vizion dhe mision kombëtar
Neoshqiptarizmi aspiron të jetë doktrina që udhëheq këtë mision, duke lidhur të shkuarën me të ardhmen, duke ndërtuar ura midis brezave dhe duke krijuar një frymë bashkëpunimi midis shqiptarëve në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni të Veriut, Mal të Zi, Luginë të Preshevës e diasporë. Përfundimisht neoshqiptarizmi është një thirrje për zgjim kombëtar, për rinisje dhe për ripërtëritje, është vizion, guxim dhe mision për të tashmen dhe të ardhmen.

Të fundit

më të lexuarat