Nëntori në shenjë të artistëve ulqinakë

Shoqëria shqiptare po kalon turbulenca të thella ekzistenciale, që kanë sjellë përmbysje apokaliptike të rregullave sociale dhe kodeve morale të dikurshme. Ajo është jo vetëm moderne në kuptimin e mirë të fjalës, por tashmë është përfshirë nga shumë anomali sociale e fenomene që janë tipike dhe unike të postmodernitetit

Gazmend Çitaku

Se Ulqini është djep i kulturës së shqiptarëve në Mal të Zi dëshmohet përmes arritjeve të mëdha të krijuesve tanë artistik në fusha ndryshme të artit dhe jo vetëm. Muaji nëntor u karakterizua me shumë ngjarje kulturore por që kësaj radhe do të veçohemi vetëm në artin pamor. Pra, do të përqëndrohemi te piktura e që krijuesit ulqinakë u dalluan me tri përfaqësime dinjtoze si brenda ashtu edhe jashtë shtetit të Malit të Zi.
Fillimi i nëntorit u shënua me piktorët akademik ulqinakë Bilal Nikezi, Naser Hasa dhe Edin Kapllani. Këta tre të bashkuar ishin ata që me forca të përbashkuara hapën tri ekspozita në Austri. Këta tre piktorë akademik të njohur jo vetëm këtu te ne por edhe jashtë shtetit të Malit të Zi së pari ishin musafirë dhe u prezantuan të Stadt Galerie Deutschlandsberg ku së bashku ekspozuan punimet e tyre nën titullin “Mediterranean Art from Montenegro”. Këta tre krijues ulqinakë së bashku iu prezantuan artdashësve austriakë me gjithsejt 45 punime. Pra, nga 15 për secilin. Këto punime, ashtu siç flet edhe titulli, rrezatuan ngjyrat, kulturën dhe trashëgiminë mesdhetare të këtyre anëve. Nga Dojçlandsbergu ekspozita u zhvendos në Grac dhe së fundmi në Vjenë. Këto ekspozita janë fryt i bashkëpunimit të piktorëve tanë me krijuesit anembanë botës kështu që edhe kulmoi me këtë ekspozitë. Siç dëshmojnë piktorët tanë kjo ekspozitë ishte e projektuar që të mbahej para katër vitesh por që për shkak të rrethanave shëndetësore që kemi qenë dëshmitarë është zhvendosur deri në ditët e sotme. Suksesi i artistëve tanë dëshmohet me këmbënguljen e Galerive jashtë shtetit që të mbahen ekspozita me këta krijues dhe këto piktura të jenë pjesë përbërëse e mureve të tyre e pse jo edhe të artdashësve evropianë.
Gjysma e nëntorit është shënuar me muralin gjigand në muret e një ndërtese në Tivar. Kemi të bëjmë me krijimin më të ri të ulqinakes Emina Nimanbegut e cila përmes projektit “Gra të famshme nga Mali i Zi” tivarasve ua dha muralin e një prej femrave më të rëndësishme të Tivarit. Murali i është dedikuar Stana Tomasheviq Arneses e cila është sinonim i rezistencës së gruas në Luftën Nacionalçlirimtare, si dhe ajo me angazhimet e veta dhe me përfaqësimin e saj në strukturat më të larta shtetërore ka bërë që të lëjë gjurmë të thella jo vetëm në këtë qytet por në mbarë ish-Jugosllavinë. Murali ka përmasa gjigande 20m x 3m dhe Eminës për ta përfunduar iu kanë dashtë punë intensive 10 ditë nga 10 orë. Në fund krijimi i saj u pëlqye nga të gjithë dhe me rastin e zbulimit të këtij murali të gjithë të pranishmit patën vetëm fjalë miradie.
E treta apo fundi i nëntorit ka të bëjë me aktivitetin më të madh të pikturës në veriun e Shqipërisë. Kemi të bëjmë me qytetin e Shkodrës dhe flasim për “Sallonin e vjeshtës 2024” të cilin e organizon Galeria e Arteve e Shkodrës dhe ky aktivitet njëheri shënon edicionin e XVIII-të. Këtë vit për tematikë ka qenë “Vjeshta, stina e dashurisë dhe krijimtarisë” kurse kurator i ekspozitës Dr. Mikel Temo. Organizatori përmes njërës nga motot vë vëmendjen se
“Vjeshta e dashurisë dhe krijimtarisë i kapërcen kufijtë tradicionalë të një ekspozite arti duke u thelluar në marrëdhënien e thellë midis stinës së vjeshtës dhe procesit krijues. Duke eksploruar se si vjeshta shërben si një metaforë për eksplorimin e brendshëm dhe shprehjen emocionale, ekspozita zbulon lidhjet e thella midis ndryshimeve të jashtme dhe përvojave të brendshme. Nëpërmjet kësaj lente, vjeshta bëhet një simbol i fuqishëm i ndërveprimit të vazhdueshëm midis natyrës, krijimtarisë dhe rritjes personale, duke theksuar fuqinë transformuese të artit në kapjen dhe pasqyrimin e kompleksitetit të përvojës njerëzore”.
Këtë vit, në këtë aktivitet kulturor, për herë të parë merr pjesë edhe një krijues i ri nga Ulqini me një punim nga lëmi i artit digjital. Kemi të bëjmë me Indrit Çitakun i cili hapat e sigurt në art është duke i hedh me anë të mbledhjes së eksperiencave të ndryshme përmes ekspozitave kolektive. Pas disa ekspozitave kolektive shumë të suksesshme brenda Malit të Zi, Indriti për herë të parë me një punim digjital të kësaj tematike i prezantohet edhe publikut nga Shqipëria. Vlen të theksohet se Indiriti përveç ekspozitave kolektive që ka pasur, ai veçanërisht krenohet me realizimin e novelës grafike të titulluar “Civilizimi ilir – Mbretëresha Teutë”. Është kjo një novelë grafike që shumë shpejt do të gjendet në duart e artdashësve dhe atë në gjuhën shqipe dhe atë zyrtare.
Krijuesit tanë ulqinakë janë artistë të vyeshëm dhe me plot krenari na përfaqësojnë kudo që shkojnë dhe kthehen me përshtypjet e artdashësve që janë tejet pozitive kurse eksperienca e mbledhur përmes aktiviteteve të ndryshme e bën që këta krijues ulqinakë të jenë gjithmonë ne hap me kohën dhe krijimet e tyre shumë bashkëkohore duke përcjellë dhe duke u bërë pjesë e trendeve më avangarde botërore.

Të fundit

më të lexuarat