Plavë – Në kuadër të manifestimit “Ditët e Kulturës së Pakicave të Malit të Zi”, të shtunën mbrëma (7 dhjetor 2025), në sallën e madhe të Qendrës për Kulturë “Husein Bashiq” në Plavë u mbajt koncerti i muzikës tradicionale, në praninë e një numri të konsiderueshëm të publikut plavianë e gucianë. Në mesin e tyre ishin edhe kryetari dhe nënkryetari i Komunës së Gucisë, Sanell Balliq e Asdren Çelaj, dhe ca zyrtarë e nëpunës të tjerë të komunave të Plavës e Gucisë, si dhe drejtori i Qendrës për Ruajtjen dhe Zhvillimin e Kulturës së Pakicave të Malit të Zi, Gëzim Hajdinaga me bashkëpunëtorë.
Në këtë koncert, me repertorët e veta të begata me muzikë tradicionale janë paraqitur Grupi “Acoustic Band” nga Ulqini dhe Etno Grupi “Teferixh” nga Rozhaja.
Udhëheqësja e programit, Valbona Sinanaj – Hasangjekaj, pas fjalës përshëndetëse të të pranishmëve në gjuhën shqipe dhe atë boshnjake në hapjen e koncertit, ndër të tjera theksoi se manifestimi “Ditët e Kulturës së Pakicave të Malit të Zi” u themelua në vitin 2003, në kohën kur Gëzim Hajdinaga ishte ministër për Mbrojtjen e të Drejtave të Pakicave në Mal të Zi, me mbështetjen e plotë të kësaj ministrie dhe Qeverisë shtetërore, duke shtuar në vazhdim se me themelimin e Institucionit Publik “Qendra për Ruajtjen dhe Zhvillimin e Kulturës së Pakicave të Malit të Zi” u jetësua organizimi dhe mbajtja e manifestimit, i cili u realizua disa vite me radhë nën emërtime të ndryshme, duke ruajtur frymën dhe vazhdimësinë e vet. Mirëpo, pas një periudhe ndërprerjeje, vazhdimësia e plotë dhe rëndësia institucionale e tij u rikthye këtë vit.
Duke i prezantuar grupet pjesëmarrëse, ajo theksoi se “Acoustic Band” nga Ulqini është grup muzikor i cili interpreton dhe i ruan nga harresa këngët tradicionale shqiptare. Përmes një stili të veçantë interpretimi, ata përcjellin frymën e pasur kulturore të muzikës shqiptare, duke u dhënë atyre një dimension të ri dhe modern. Grupi angazhohet në ruajtjen dhe promovimin e këngëve që janë pjesë e trashëgimisë kulturore të popullit shqiptar, duke i mbajtur gjallë traditat muzikore të komunitetit.
Ndërkaq, Etno Grupi “Teferixh” nga Rozhaja është themeluar në vitin 2011 me qëllim të ruajtjes së trashëgimisë etnomuzikore të verilindjes së Malit të Zi dhe të Sanxhakut. Grupi ka fituar disa çmime, ndër të cilët çmimin “Hamdija Shahinpashiq”, i cili u jepet individëve ose institucioneve për arritje të veçanta në studimin, promovimin dhe afirmimin e trashëgimisë etnomuzikore të boshnjakëve në Mal të Zi.
Dy grupet muzikore interpretuan këngë tradicionale nga repertorët e veta të begata – ata të Grupit “Acoustic Band” nga Ulqini në gjuhën shqipe, kurse ata të Etno Grupit “Teferixh” nga Rozhaja në gjuhën boshnjake dhe një këngë në gjuhën shqipe, me kohëzgjatje prej rreth një orë e gjysmë.
Sh. Hasangjekaj
