Ulqin – Të premten, më 25 prill 2025, është mbajtur seanca e parë e rregullt e Kuvendit të Komunës së Ulqinit për këtë vit, ku fillimisht në rend dite ishin 11 pika. Me propozimin e kryetarit të Komunës, Genci Nimanbegu, u shtua edhe një pikë shtesë me rëndësi të veçantë: “Informacion lidhur me zhvillimet në Kuvendin e Malit të Zi për ratifikimin e Marrëveshjes për bashkëpunim në fushën e turizmit dhe zhvillimit të pasurive të paluajtshme ndërmjet Qeverisë së Malit të Zi dhe Emirateve të Bashkuara Arabe, si dhe aktivitetet e Komunës së Ulqinit”.
Kryetari Nimanbegu theksoi se kjo iniciativë nuk është vetëm në emër të pushtetit ekzekutiv, por përfaqëson një qëndrim të përbashkët të forcave politike në Ulqin.
Ai propozoi që kjo pikë të përfshihet në rendin e ditës jo për shqyrtim të menjëhershëm, por për t’i mundësuar Kuvendit që të mbajë qëndrime të përbashkëta në një çështje që ka bashkuar Ulqinin, por ka krijuar ndarje në skenën politike kombëtare.
Të gjitha pikat e rendit të ditës u miratuan, me përjashtim të pikës 11, e cila do të shqyrtohet në vazhdimin e seancës, për të cilin do të njoftohet nga shërbimi i Kuvendit.
Një tjetër temë e rëndësishme që u trajtua ishte përgatitja për sezonin turistik dhe rregullimi i infrastrukturës rrugore.
Kryetari i Komunës së Ulqinit u përgjigj në pyetjet e këshilltarëve duke sqaruar se, ndonëse asfaltimet ishin parashikuar të fillonin më 15 mars, për shkak të kushteve atmosferike ka pasur vonesa.
“Kemi bërë presion mbi ndërmarrjen që po kryen punimet dhe presim që ata të vazhdojnë në disa pjesë të qytetit. Po bëjmë të pamundurën që asfaltimet në rrugët qendrore të përfundojnë deri më 1 maj”, deklaroi ai.
Gjithashtu, ai u bëri apel të gjithë sekretarëve komunalë që t’u japin prioritet përgatitjeve për sezonin turistik.
Ndërkohë, këshilltari Driton Salaj ngriti sërish çështjen e sinjalistikës pranë shkollës fillore “Bedri Elezaga” në Katërkollë, e cila është vetëm në gjuhën malazeze.
Ai e cilësoi këtë si një provokim të hapur nga ana e qeverisë.
Ndër pikat kryesore të miratuara ishin: Programi i rregullimit të hapësirës për vitin 2025 dhe raporti për vitin 2024; Plani për vendosjen e objekteve të përkohshme 2024–2028; Plani lokal për të rinjtë 2024–2026; Ndryshimet në aktet e ndërmarrjeve publike lokale; Plani i punës dhe buxheti i Agjencisë për Zhvillim; Emërimi i drejtorit të SHPK “Parking Servis” – Ulqin.
Seanca e parë e Kuvendit të Komunës së Ulqinit për vitin 2025 ka ofruar një mundësi për të adresuar çështje të rëndësishme për zhvillimin e komunës, duke konsoliduar qëndrimet e përbashkëta për projekte strategjike dhe përgatitjet për sezonin turistik, ndërkohë që mbetet e hapur për shqyrtimin e disa temave të tjera në seancat në vazhdim.
D. Teliqi