Ndihmesë në thellimin e dijeve për shumë çështje

Në konferencë janë prezantuar 13 kumtesa që trajtojnë çështje nga fusha e gjuhës, letërsisë, folklorit, arsimit, kulturës, muzikës, informimit (medias), trashëgimisë etj. nga studiuesit nga Shqipëria, Kosova dhe Mali i Zi

Shoqata e Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club” ka organizuar të shtunën (24 maj 2025) konferencën shkencore “Gjuha dhe kultura e shqiptarëve në Malin e Zi”.
Në konferencë janë prezantuar 13 kumtesa që trajtojnë çështje nga fusha e gjuhës, letërsisë, folklorit, arsimit, kulturës, muzikës, informimit (medias), trashëgimisë etj. nga studiuesit nga Shqipëria, Kosova dhe Mali i Zi.
Në fjalën e hapjes, kryetari i SHAI “Art Club”, Ismet Kallaba, ka thënë se gjuha dhe kultura janë ndër elementet më të rëndësishme në formësimin dhe ruajtjen e identitetit kombëtar të një populli.
Sipas tij, kjo vlen sidomos për ato vende (shtete) ku një popull është pakicë, siç janë shqiptarët në Malin e Zi.
“Gjuha dhe kultura e shqiptarëve në Malin e Zi janë pjesë e pandarë e kulturës kombëtare. Megjithëse të paktë në numër, shqiptarët që sot jetojnë në trevat shqiptare në Malin e Zi i kanë dhënë shumë kulturës kombëtare, siç do ta dëshmojë edhe kjo konferencë”, ka thënë ai, duke nënvizuar se gjuha shqipe në Malin e Zi ka probleme të theksuara, veçmas në përdorimin zyrtar.
Kallaba ka thënë se kjo konferencë nuk mëton të thotë fjalën përfundimtare për aspekte e problematika të ndryshme që do preken, porse është i sigurt se “ajo do t’i thellojë dijet dhe njohuritë tona për shumë çështje, do t’i shërbejë komunikimit dhe dialogut kulturor e shkencor, si dhe të gjithë pjesëmarrësit në të do të dalin më të pasur”.
Në fjalën përshëndetëse, ministri për të Drejtat e Njeriut dhe Pakicave, Fatmir Gjeka, ka thënë se kjo ministri, si dikasteri kryesor qeveritar në fushën e mbrojtjes së të drejtave të pakicave, synon të nxisë dhe stimulojë politika (proaktive) të afirmimit të identitetit kombëtar të popujve pakicë.
Ai ka përkujtuar se me qëllim të zbatimit në praktikë të synimeve të saj në këtë fushë, Ministria e të Drejtave të Njeriut dhe Pakicave harton dokumente strategjike dhe plane konkrete, siç është Strategjia e politikës së pakicave për vitet 2024-2028.
“Ky dokument strategjik përfshin shumë fusha, por një vend të veçantë në të zënë pikërisht gjuha dhe kultura, si elemente të rëndësishme identitare”, ka thënë ai, dhe ka vijuar duke pohuar se “Një ndër aspektet themelore të politikës proaktive në fushën e kulturës dhe identitetit të pakicave është mbështetja e institucioneve dhe organizatave kulturore të cilat promovojnë artin dhe kulturën e pakicave”.
Gjeka ka theksuar se në përmbushje të synimeve të saj, Ministria e të Drejtave të Njeriut dhe Pakicave i sheh si partnere të rëndësishme organizatatat joveritare.
Në këtë kontekst, ai ka vlerësuar veprimtarinë dhe kontributin 35-vjeçar të “Art Club”-it në fushën e artit, kulturës dhe shkencës shqiptare, duke thënë se do të ketë mbështetjen e kësaj ministrie në realizimin e projekteve të ndryshme në dobi të shqiptarëve në Malin e Zi dhe më gjerë.
Qëllimi i konferencës shkencore ka qenë që krahas vënies në pah të të arriturave të shqiptarëve në Malin e Zi në fushat e gjuhës dhe kulturës, përmes një analize shkencore shumëdimensionale t’i identifikojë, vështrojë dhe analizojë problemet dhe dukuritë në këto fusha, shkaqet e gjendjes ekzistuese dhe pasojat për të ardhmen, duke ofruar edhe ide për zgjidhjen e tyre.
Konferenca shkencore “Gjuha dhe kultura e shqiptarëve në Malin e Zi” është organizuar në kuadër të projektit të mbështetur nga Ministria e të Drejtave të Njeriut dhe Pakicave dhe Këshilli Kombëtar i Shqiptarëve në Malin e Zi.
SHAI “Art Club” si organizator i konferencës shkencore ka bërë të ditur se kumtesat e paraqitura do të botohen në një përmbledhje të posaçme, me ç’gjë do të kurorëzohet e gjithë puna.

i. k.

Të fundit

më të lexuarat