Milesh – Në qendër të fshatit Milesh, të marten më 23 gusht, 2022 u bë inaugurimi i shtatores së strategut, luftëtarit, heroit dhe pjesëmarrësit në Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, Baca Kurtit Gjokaj.
Në prani të një numri të madh të publikut vendas, të atyre nga Shqipëria, Kosova dhe dijaspora shqiptare, të përfaqësueseve të pushtetit vendor, të deputetëve dhe ministrave nga partitë shqiptare, të ambasadave të Shqipërisë dhe Kosovës në Mal të Zi, ceremonia e inaugurimit filloi me intonimin e himbit kombëtar, e më pas u bë zbulimi i shtatores së Baca Kurtit Gjokaj nga antëtarë të shoqatës kulturore-artistike “Liria”nga Mileshi.
Në emër të vëllazërisë Gjokaj të pranishmit i përshëndeti, Enver Vero Gjokaj i cili duke falënderuar të gjithë kontribuesit dhe donatorët e realizimit të këtij projekti, tha se Baca Kurt Gjeka Gjokaj u kthye në pragun e vet me gjithë historinë e lavdishme që vjen nga pas.
“Brezave që vijnë pas nesh po ju lutem që ta trashëgojnë. Do ta kenë shembull të dinjitetit dhe integritetit shqiptar në këto troje. Shpresoj se legjenda e tij këtu prezente, do të ringjallë identitetin tonë kombëtar. Uroj që ky të jetë shembull i të gjithë shqiptarëve kudo janë dhe sado larg, që të gjithë të punojnë për qëllimin tonë shekullor për amanetin e Baca Kurtit dhe shokëve të tij- një komb i bashkuar dhe i orientuar ka vlerat perëndimore”, tha në mes tjerash Gjokaj.
Ai më tutje shpalosi emrat e nismëtarëve dhe donatorëve nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës që jetësuan ngritjen e kësaj shtatoreje.
Ndërkohë, në këtë tubim përshëndeti kryetari i Komunës së Tuzit, Nik Gjeloshaj i cili Baca Kurtin Gjokaj e quajti si njërin nga veprimtarët më të mëdhenj të çështjes kombëtare, jo vetëm të Malësisë por edhe të mbarë kombit shqiptar.
“Baca Kurti ishte njëri nga ata burra që, duke mos pyetur fare për fatin e vet dhe të familjes, por duke e parë momentin kur kombi shqiptar po zgjohej nga letargjia shekullore e robërimit otoman pas gati pesë shekujsh, për ta marrë fatin në duar të veta, u bashkëngjit bijve më të zgjedhur të kombit në Lidhjen historike të Prizrenit, më 1878. Ishte koha kur me paqen e San Stefanit dhe me Kongresin e Berlinit po tentohej që përsëri trojet shqiptare të bëhen pre e fqinjëve gllabërues” tha ndër të tjera Gjeloshaj.
Ai shtoi se Baca Kurti ishte një malësor i devotshëm e luftëtar për trojet shqiptare, i cili mori rrugën për në Prizrenin, atëbotë të largët, për t’i dëgjuar dhe kthyer në realitet idetë e vëllezërve Frashëri për krijimin e një shteti shqiptar plot 410 vjet pas vdekjes së kryetrimit tonë, Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, që mbrojti fatin tonë dhe të mbarë Evropës.
“Ngritja e kësaj përmendoreje le të jetë përkujtim për të gjithë ne dhe gjeneratat e sotme se si duhet të angazhohemi dhe të punojmë për të mirën e vendit. Qoftë i pavdekshëm kujtimi në Bacin dhe të gjithë malësorët tanë që luftuan për mbrojtjen e trevave tona” u shpreh Gjeloshaj.
Ndërkaq, i ftuar në këtë ceremoni qe edhe gazetari dhe publicisti i njohur shqiptar, Marin Mema i cili tha se ashtu siç në këtë tubim, do dëshironte t’a shihte Malësinë të bashkuar.
“Kemi nevojë të jemi bashkë, sepse bashkë jemi më të fortë. Kemi nevojë t’i lëmë mëritë, përçarjet dhe problemet mes nesh dhe të jemi kështu siç jemi sot, për të bërë gjithçka. Askush tjetër nuk do të bëjë për shqiptarinë, sa ç’mund të bëjmë ne vetë. Kanë dashur të na përçajnë, të na ndajnë, të na krijojnë edhe probleme mes nesh, por jemi ne vetë që duhet t’i japim fund çdo lloj problemi dhe të shohim nga e ardhmnja”, theksoi Mema.
Ai ka treguar mesazhin që këta heronj e përçojnë tek gjeneratat pasardhëse.
“Kemi nevojë ta mbështesim më shumë njëri-tjetrin, të jemi më të fortë krah njëri-tjetrit. Të mos harrojmë fjalët e njeriut të madh, At. Gjergj Fishtës: “vërtetë ne kemi bajram dhe pashkë, por shqiptarinë e kemi bashkë”, dhe për këtë shqiptari mundemi dhe duhet të sakrifikojmë të gjithë. Mbajeni fort Malësinë, sepse kjo është tokë e ngjyer pëllëmb për pëllëmb me gjak”, u shpreh gazetari dhe publicisti i njohur, Marin Mema.
Në të njëjtën kohë ka përshëndes Adi Hoxha, përfaqësues i ambasadës së Shqipërisë në Mal të Zi i cili në mes tjerash, duke vlerësuar ngritjen e kësaj përmendoreje, tha se Baca Kurti ishte një nga personat më të rëndësishëm të shek 19 në Malësinë e Madhe.
“Në kohët e sotshme është shumë e rëndësishme që Malësia dhe më gjerë të kenë mundësi të mësojnë më shumë rreth heronjve tonë si Baca Kurti dhe të njohin më së miri trimërinë, heroizmin dhe dashurinë që kanë pasur për atdheun”, u shpreh Hoxha.
Gjithashtu, këtë tubim e përshëndeti skulptori i kësaj vepre artistike e punuar mjeshërisht dhe me profesionalizëm, Tal Istrefi nga Gjakova, i cili tha se fjalët për mundin dhe procesin e punës në ndërtimin e kësaj shtatore, i ka shkrirë në bronzë.
“Faleminderit që më dhatë mundësinë që të jem unë autor i kësaj vepre dhe e gëzofshin gjeneratat e reja dhe e paçin si figurë frymëzuese për të ardhmen”, tha Istrefi.
Kjo ceremoni u gërshetua edhe me poezi dhe këngë kushtuar Baca Kurtit.
t. u.
