Programi ishte ideuar në formën e një debati televiziv ndërmjet protagonistëve në emisionin e emërtuar “Sy n’sy” të Televizionit të Shqiptarëve në Malin e Zi (TVSHNMZ), ku dy të ftuarit Bashkim Alaj dhe Jetmira Hoxha, nën moderimin e drejtueses së emisionit Edina Mustafiq, trajtojnë tema të ndryshme “të nxehta” aktuale në komunën e Ulqinit
Ulqin – Në kuadër të ciklit “Natë stine”, të shtunën mbrëma në Galerinë e Qendrës së Kulturës është organizuar aktiviteti i titulluar “Natë pranvere komike në Ulqin”, me grimca humoristike të vëna në skenë nga regjisorja Edina Mustafiq, aktori Bashkim Alaj dhe Jetmira Hoxha, koreografe dhe skenografe.
Programi ishte ideuar në formën e një debati televiziv ndërmjet protagonistëve në emisionin e emërtuar “Sy n’sy” të Televizionit të Shqiptarëve në Malin e Zi (TVSHNMZ), ku dy të ftuarit Bashkim Alaj dhe Jetmira Hoxha, nën moderimin e drejtueses së emisionit Edina Mustafiq, trajtojnë tema të ndryshme “të nxehta” aktuale në komunën e Ulqinit.
Përmes lojës së tyre ku kritikojnë realitetin dhe disa dukuri negative të kohës, ata kanë bërë të qeshin të pranishmit të cilët i kanë duartrokitur pandërprerë aktorët e rinj duke treguar se janë të etur për programe të këtij lloji. Aktiviteti u cilësua si freski në këtë atmosferë të zymtë që mbretëron në Ulqin, sa nga moti me shi aq edhe nga situata e gjithëmbarshme politike dhe ekonomike.
Programi humoristik është shoqëruar edhe me disa pika muzikore të kënduara nga këngëtarja e re e talentuar Jetlira Hoxha, nën përcjelljen e Imi Nimanbegut në kitarë.
Organizimi i aktivitetit “Natë pranvere komike në Ulqin” është mbështetur nga Këshilli Kombëtar i Shqiptarëve në Malin e Zi, Qendra e Kulturës – Ulqin, Teatri “Teuta” dhe Hoteli “Riva”. i. k.
