“Nana Zyl, je edhe e jona”

Në mjedisin e mbushur me artdashës, personalitete të jetës kulturore dhe publike, u rikujtua rrugëtimi i jashtëzakonshëm i Zyliha Milotit - nga vajza shkodrane që u ngjit për herë të parë në skenë, pa i mbushur ende 14 vjeç, deri te “Mjeshtrja e Madhe” që për më shumë se gjashtë dekada ka qenë simbol i humorit, estradës dhe teatrit shqiptar. Me mbi 260 role të interpretuara, ajo ka shoqëruar breza të tërë me buzëqeshje, por edhe me reflektim të thellë njerëzor

Të premten mbrëma, më 23 janar 2026, Ulqini ishte qendër e emocioneve, artit dhe mirënjohjes, në një aktivitet të veçantë kushtuar njërës prej figurave më të dashura të skenës shqiptare – aktores së madhe Zyliha Miloti.
Manifestimi me titull domethënës “Nana Zyl, je edhe e jona”, i organizuar nga Këshilli Kombëtar i Shqiptarëve në Malin e Zi, Radiotelevizioni “Teuta” dhe këngëtari Ismet Aloshi u shndërrua në një festë të vërtetë arti për nder të 80-vjetorit të lindjes së artistes dhe mbi 65 viteve të saj në skenë.
Në mjedisin e mbushur me artdashës, personalitete të jetës kulturore dhe publike, u rikujtua rrugëtimi i jashtëzakonshëm i Zyliha Milotit – nga vajza shkodrane që u ngjit për herë të parë në skenë, pa i mbushur ende 14 vjeç, deri te “Mjeshtrja e Madhe” që për më shumë se gjashtë dekada ka qenë simbol i humorit, estradës dhe teatrit shqiptar. Me mbi 260 role të interpretuara, ajo ka shoqëruar breza të tërë me buzëqeshje, por edhe me reflektim të thellë njerëzor.
Në këtë mbrëmje solemne, Këshilli Kombëtar i Shqiptarëve në Malin e Zi i akordoi Zyliha Milotit titullin “Mbretëresha Teutë”, si shprehje e mirënjohjes për kontributin e saj të jashtëzakonshëm në artin skenik dhe kinematografinë shqiptare.
Në fjalën e tij, kryetari i KKSH-së Faik Nika theksoi se ky nderim vjen jo vetëm për madhështinë artistike të Milotit, por edhe për rolin e saj frymëzues ndër breza.
“Zyliha Miloti nuk është vetëm një emër i madh i skenës shqiptare, ajo është pjesë e kujtesës sonë kolektive. Me artin e saj, ajo na ka bërë të qeshim, por edhe të mendojmë. Sot, Ulqini dhe shqiptarët në Mal të Zi e ndiejnë si të tyren dhe e nderojnë siç e meriton”, u shpreh Nika.
Ndërsa vetë aktorja falënderoi organizatorët dhe publikun, duke mos i fshehur emocionet për këtë pritje të ngrohtë në Ulqin.
“Jam thellësisht e prekur. Të nderohesh në këtë mënyrë, në këtë moshë dhe pas kaq shumë vitesh në skenë, është një dhuratë e madhe shpirtërore. Ky respekt më jep forcë dhe më bind se arti jeton përmes njerëzve”, tha ajo, mes duartrokitjeve të gjata.
Mbrëmja u pasurua edhe me humor të zgjedhur nga artistë të njohur si Drane Xhai, Besnik Çinari, Arjan Çuliqi dhe Sandër Ruçi, të cilët sollën në skenë atmosferën e estradës së vërtetë shqiptare, duke i dhënë aktivitetit ritëm, gaz dhe nostalgji.
Pjesë e programit artistik ishte edhe muzika, me interpretimet e këngëtarëve Hajro Pepa, Bujar Qamili dhe Ismet Aloshi, të cilët me këngët e tyre i dhanë mbrëmjes ngjyra emocionale dhe festive, duke e bërë shënimin e përvjetorit të Zyliha Milotit edhe më të plotë.
Manifestimi “Nana Zyl, je edhe e jona” nuk ishte vetëm një ceremoni nderimi, por një dëshmi se arti i vërtetë nuk njeh kufij dhe se figurat e mëdha të kulturës shqiptare mbeten të përbashkëta për të gjithë shqiptarët, kudo që jetojnë. Në Ulqin, Zyliha Miloti u ndje si në shtëpi – e rrethuar nga dashuria, respekti dhe mirënjohja që vetëm një jetë e tërë kushtuar artit mund ta fitojë.

D. Teliqi

Të fundit

më të lexuarat