Në një konferencë për shtyp, në ambientet e Teatrit Kombëtar, aktori dhe regjisori Enver Petrovci, i shoqëruar nga ekipi i tij, ka prezantuar shfaqjen e tij të fundit “Muslimani”.
Shfaqja e Enver Petrovcit do të vijë para publikut kosovar e zhveshur tërësisht në aspektin artistik.
Ideja e kësaj shfaqjeje nisi kur Petrovci ishte për vizitë në Mal të Zi.
“Rastësisht isha pjesëmarrës në një darsëm në Ulqin, ku martoheshin një shqiptare muslimane me një malazes ortodoks.
Pronari i hotelit që ishte shqiptar më tha: “Neve shqiptarëve katolikë dhe muslimanë nuk na duket e pazakontë të martohemi me malazezë ortodoksë, por shqiptarët katolikë dhe muslimanë nuk martohen në mes vete gati kurrë”, tha Petrovci.
Enver Petrovci rrëfen për periudhen kur filloi e gjithë ideja e shfaqjes, koha e pushimeve dhe rastësia që ai të ishte i pranishëm në një darsëm mes një shqiptareje muslimane dhe malazezi ortodoks.
Sipas Petrovcit, problemi kryesor i shfaqjes ishte gjetja e protagonistes grua në rolin kryesor, derisa vendosi për aktoren Vlora Nikçi.
E në anën tjetër, aktorja Nikçi u shpreh e lumtur që ishte pjesë e një shfaqjeje, ku regjisori i saj jo vetëm që ka krijuar karakterin e Anitës që do ta luajë ajo, por edhe sepse regjisori bashkë me të do të jetë pjesë e shfaqjes.
“E mira e madhe është që tekstshkruesi është në skenë me ty dhe nuk të lejon me dalë prej Anitës që ky e ka imagjinuar”, tha aktorja Nikçi.
Të dy aktorët, si Petrovci ashtu edhe Nikçi, përmenden në këtë konferencë shpeshherë se sa është me rëndësi që shfaqja, por edhe artistët, të jenë plotësisht të zhveshur në aspektin artistik, në mënyrë që të jenë sa më origjinal.
Regjisori tha se kjo shfaqje është e shkruar në shqip, por që nuk përjashtohet mundësia që të luhet edhe në teatrot jashtë Kosovës.
I pyetur nëse ka qenë sfiduese që të shkruhet një shfaqje me një temë të tillë, ai për gazetën Express tha se në një farë forme nuk mund të shkruhet për diçka nëse nuk përjetohet.
Të pranishëm në këtë konferencë ishin edhe asistuesit e shfaqjes; skenografi, asistenti i regjisë, Lirim Behluli, i cili tregoi se provat e shfaqjes kishin zgjatur rreth 4 muaj; si dhe Arbnora Ademi.
Donjeta Abazi
