Mundësi komunikimi dhe njohjeje me bibliotekën e pasur të librit shqip

Akademia e Shkencave e Shqipërisë dhe Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, në bashkëpunim me Qendrën Kombëtare të Librit dhe Leximit, organizuan më 22-24 prill 2022 në Tiranë Panairin mbarëkombëtar të librit akademik dhe shkencor.
Panairi i parë kushtuar librit akademik dhe shkencor u zhvillua në kuadër të Vitit të Akademizmit Shqiptar, shpallur në nderim të 50-vjetorit të themelimit të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, si nismë e përbashkët e saj dhe e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës.
Përpos dy akademive të shkencave, në Panair kanë marrë pjesë edhe institucione të arsimit të lartë, institute dhe qendra shkencore (publike), ente botuese jopublike, në mesin e të cilëve edhe Shoqata e Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club”, si i vetmi botues nga shqiptarët në Malin e Zi, që ka prezantuar disa nga botimet e saj më përfaqësuese të viteve të fundit.
Në fjalën e hapjes, kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, Akademik Skënder Gjinushi, ka thënë se “ky panair na jep mundësinë të shohim me sytë tanë cili është produkti shkencor i shqiptarëve, cili është raporti midis nënsistemeve të veprimtarisë shkencore, si qëndrojnë raportet midis brezave të studiuesve, në ç’disiplina ka më shumë progres e ku ka më shumë prapambetje, a ka një ekonomizim të dijes në kushtet kur kufijtë ndërshtetërorë nuk na ndajnë më, apo ka përsëritje dhe paralelizma, parcelizim të saj, me qëllim që të përvetësojmë çfarë kemi më të mirë dhe të ndryshojmë prirjet jopozitive”.
Ai ka potencuar faktin se “fati i librit akademik dhe shkencor është i tillë që e ka të vështirë rrugën për te lexuesi, krahasimisht me atë të letërsisë dhe arteve”.
Kryetari i ASHAK-ut, Akademik Mehmet Kraja ka thënë se libri shkencor është një botë më vete që në shumicën e kohës rri i fshehur nga kureshtja e lexuesit të zakonshëm dhe kërkon me ngulm lexuesin e kualifikuar, që ia din vlerën dhe i peshon me kompetencë arritjet e tij në botën e dijes.
“Libri shkencor nuk është libër i reklamës dhe i tirazheve të mëdha. Bestsellerët shkencorë janë të rrallë dhe zakonisht për t’u bërë të tillë iu duhet të heqin dorë, nëse jo në tërësi së paku nga një pjesë e mirë e natyrës së tyre, nga heshtja e mençur që i rrethon”, ka theksuar ai.
Kraja ka thënë se ASHAK-u iu kushton rëndësi botimeve shkencore dhe artistike duke i konsideruar parësore në punën e tyre dhe programet vjetore.
“Konsiderojmë se kemi arritur një nivel të mirë të këtyre botimeve, por se kemi akoma punë për të bërë, për ta hapur veprimtarinë botuese”, ka theksuar ai.
Në emër të Ministrisë së Kulturës së Republikës së Shqipërisë, të pranishmit në ceremoninë e hapjes i ka përshëndetur Alda Bardhyli, drejtoreshë e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit.
Ajo ka vlerësuar se Panairi është një mundësi e mirë komunikimi dhe njohjeje me bibliotekën e pasur të librit shqip, akademik dhe shkencor, i cili shpërfaq arritjet e mëdha të mendimit shqip gati 50 vjet.
“Roli i shkencës si një forcë që orienton dhe forcon pozitat e popujve përballë sfidave gjithnjë e në rritje në botën moderne, e bën këtë panair një hapësirë të rëndësishme përmes të cilit do të shohim e lexojmë pikëpamje, qasje apo studime të cilat tregojnë nevojën e përhershme që kemi si shoqëri për t’u mbështetur pikërisht te dija”, ka thënë Bardhyli.
Rektori i Universitetit Politeknik të Tiranës, Prof. dr. Andrea Maliqari, duke iu drejtuar të pranishmëve në emër të Konferencës së Rektorëve të universiteteve shqiptare ka thënë se “arritjet më të mira të botimeve dhe publikimeve akademike që prezantohen në këtë panair janë një pasqyrë e qartë e historisë së zhvillimit të akademizmit shqiptar, por edhe realitetit të sotëm të këtij zhvillimi ku aktorët dhe faktorët kanë mundësi në një formë të veçantë dhe shumë domethënëse, sikurse është ky panair, të bëjnë bilancin e arritjeve dhe të përcaktojnë edhe drejtimet e qarta, të qëndrueshme dhe të sigurta drejt të ardhmes së këtij zhvillimi”.
Qëllimi i panairit, i cili këtë vit është hapur më 22 prill, që përkon me Ditën Botërore të Librit dhe të së Drejtës së Autorit, është që të bëjë të njohura arritjet më cilësore në botimet akademike, shkencore dhe universitare në gjithë hapësirën shqiptare, duke synuar një prani përfaqësuese sa më të gjerë. Sipas organizatorëve, ai do të zhvillohet një vit në Tiranë e një vit në Prishtinë, me periodicitet të rregullt.

Promovohen dy botime të “Art Club”-it

Gjatë tri ditëve të Panairit, në mjediset e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit janë zhvilluar rreth 50 aktivitete promovuese të librave të botuar nga 33 subjektet pjesëmarrëse.
Shoqata e Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club” ka promovuar të shtunën, në sallën “Akademikët” të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, dy botime të saj: “Pakica shqiptare në Mal të Zi – Midis bashkëpunimit dhe nënshtrimit” të autorit Allmir Çausheviq dhe “Zhvillimi i turizmit midis Shqipërisë dhe Malit të Zi – Mundësi e bashkëpunimit ndërshqiptar dhe rajonal” të Dr. Nexhat Avdiut. Të dy botimet janë vlerësuar për nivelin e lartë të studimit të objektit që trajtojnë.
Duke folur për librin e Çausheviqit, ish-ambasadori i Republikës së Shqipërisë, Arben Çejku, ka thënë se ai përbën një kontribut të vyer jo thjesht për partitë politike, për shoqërinë shqiptare në Mal të Zi, por në tërësi për historinë e politikës në Malin e Zi.
“Është një kontribut përtej hartës së Malit të Zi. Është një kontribut për kulturën politike në përgjithësi në rajon, përfshirë Shqipërinë, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut por edhe Kosovën”, ka thënë ai.
Sipas Çejkut, “ky libër është një radiografi e qartë e të gjithë strukturës së partive politike në Malin e Zi, që nga momenti i themelimit të tyre në vitin 1990 dhe përfaqëson gjithë historinë e zhvillimit të tyre, të rritjes, pjekurisë, krijimit të fraksioneve, problemeve që kanë pasur, vështirësitë në përfaqësim, vështirësitë në unifikim, në koalicione dhe kështu me radhë, dhe deri në ditët e sotme, ku në fund fare kemi një pamundësi të përfaqësimit të shqiptarëve në ato nivelet që kërkohet dhe kjo shoqërohet edhe me studimin, me grafikun, me sondazhet që ka përdorur autori në fund të librit”.
Ai ka vlerësuar se “libri është shkruar në një mënyrë të paanshme, çfarë është shumë e rëndësishme për një libër dhe për një studiues për t’u marrë në konsideratë”.
Dr. Shkëlqim Sirika, i cili ka paraqitur librin “Zhvillimi i turizmit midis Shqipërisë dhe Malit të Zi – Mundësi e bashkëpunimit ndërshqiptar dhe rajonal” të Dr. Nexhat Avdiut, ka thënë se studimi në fjalë përbën një kontribut shumë të rëndësishëm pasi autori i kushton vëmendje sidomos bashkëpunimit në fushën e turizmit ndërmjet Shqipërisë dhe Malit të Zi, duke i konsideruar si një destinacion të përbashkët.
“Autori i shikon këto situata si një ndërlidhje pozitive në mënyrën dhe praktikat e zhvillimit të turizmit mbas viteve ’90, si një domosdoshmëri të bashkëpunimit dhe ndërmarrjeve të studimeve të përbashkëta. Pra, e ka parë jo thjesht në sensin e zhvillimit, por edhe si sens bashkëpunimi të dy vendeve tona. Pavarësisht se autori gjithmonë është përmbajtur pjesës shqiptare, por ka dalë edhe më tej duke bërë një zgjerim dhe duke përfshirë komplet turizmin e Malit të Zi”, ka theksuar ai, duke shtuar se ajo që e bën të ndryshëm këtë botim nga botimet tjera në fushën e turizmit është se e shikon më tepër në aspektin e zhvillimit të qëndrueshëm.
Për librat kanë folur edhe autorët e tyre. Promovimet janë zhvilluar në formën e diskutimit të hapur për botimet dhe me autorët.

i. k.

Të fundit

më të lexuarat