Tuz – Komuna e Tuzit, për herë të parë është bërë anëtare e audicionit më të madh për fëmijë dhe të rinj në Mal të Zi- “Mali i Zi në ritmin e Evropës”, që iu dedikohet garuesve të moshës nga 12 deri në 21 vjeç, të cilët kanë prirje dhe talent në këndim dhe kërcim.
Pas atij të organizuar në disa qytete të Malit të Zi, audicioni i radhës u mbajt, të mërkurën më 9 shkurt 2022, në QKI “Malësia” në Tuz.
Në prononcimin për gazetën “Koha Javore”, sekretarja e Sekretariatit për Vetëqeverisje Lokale të Komunës së Tuzit, njëherazi edhe koordinatore e grupit për Komunën e Tuzit, znj. Marina Ujkaj, shprehet se pjesëmarrja e të rinjve në këtë audicion është një mundësi e mirë, në mënyrë që të kyçen të rinjtë dhe të rejat që kanë talent në këndim dhe kërcim.
“Besoj se është një rast i veçantë ku më të talentuarit kanë mundësi që për herë të parë të punojnë me njerëzit të cilët janë ekspertë në këto dy fusha, në vallëzim dhe në këndim, dhe në këtë mënyrë të përfaqësojnë Komunën e Tuzit, e në rastin konkret, edhe një shtet evropian, pasi që pikërisht duke pasur përmasa evropiane, ky audicion është titulluar i tillë: “Mali i Zi në ritmin e Evropës”, shprehet Ujkaj.
Ajo thotë se Komuna e Tuzit në këtë audicion do të përfaqësojë një shtet evropian.
“Dhe për këtë arsye, ky aktivitet është një rast unik që të promovohet vendi, sepse i gjithë xhirimi i këngëve dhe i kërcimit, i asaj që do të qëndrojë në prapaskenë, do të xhirohet nëpër vendet më atraktive të komunës tonë, dhe kështu i jepet mundësia promovimit të vendit, turizmit dhe të rinjve”, thotë Ujkaj. Sipas saj, interesimi i të rinjve në këtë audicion nuk ka munguar, përkundrazi ka qenë mjaft i madh.
Garuesit të cilët do të përfaqësojnë Komunën e Tuzit në këtë audicion janë zgjedhur, nga fusha e këndimit: Arta dhe Armin Çunmulaj, ndërsa në kërcim: Antonia Dedivanoviq, Fiorela Gojçaj, Teodora Kalaj, Helena Drinçiq dhe Maja Nicaj.
Audicioni “Mali i Zi në ritmin e Evropës”, do të zgjasë deri në fund të muajit maj, ndërsa fituesi i këtij audicioni do të shpërblehet me një vizitë shtatë ditore në atë shtet të Evropës të cilin do ta përfaqësojë.
Këtë audicion përmes formatit televiziv i cili do të transmetohet live në Radio Televizionin e Malit të Zi e mbështesin edhe ambasadorët e shteteve të Bashkimit Evropian, të Australisë dhe të Izraelit.
t. u.
