
“Nga një largësi e ëndërrt erdh sërish këndimi zëhollë i Mrikës, që çante përgjysmë një rreze dielli”… (Tregimi “Mrikalemi dhe Dardhojmeli”)
Në vend të hyrjes
(Gjetjet gjuhësore e stilistike)
Veprat e Mehmet Krajës duhet lexuar me kujdes e vëmendje, sikur përkëledh fëmijën e vet kur fle dhe je plot kujdes që mos ta zgjosh nga gjumi magjik i tij që e rrit; ashtu edhe gjuha e stili i këtij shkrimtari është aq i gdhendur dhe i përsosur që duhet pasur kujdesin e botës për të mos e prishur, por vetëm duhet lexuar e shijuar… që të mos prekësh asgjë nga ajo botë e përsosur. Gjuha dhe stili i veprës së tij bëhet edhe më i pasur kur kemi parasysh dimensionin filozofik të tregimeve me ndërthurjen e rrëfimit, temave e motiveve si: vetmia e kotësia, qielli e deti, vdekja dhe jeta; nocione që janë në harmoni, por edhe në kundërthënie: ato thurin, por edhe shthurin konceptin hapësinor dhe kohor të rrëfimeve. Ky shkrimtar ka një aftësi gati-gati të pamundur për të rrëfyer bukur dhe mirë në kuptimin e plotë të fjalës.
Janë dy fragmentet e mëposhtme që e dëshmojnë bukurinë e stilit, gjuhës dhe temës së bashku:
Fragmenti i parë:
“Shtëpia e Zukes për një kohë qëndroi ashtu e heshtur, sikur ajo ‘derë e parajsës’ të qe një portë misterioze që nuk do t’i hapej askujt. Lufta që sillej andej rrotull, një natë, më në fund, gjeti një shteg të hynte në qytet dhe ca njerëz hijerëndë e enigmatikë, pasi bënë bisedime të fshehta nën një tendë ushtarake krejt afër portit, iu sulën shtëpisë së Zukes dhe atje bënë gjëra që njerëzit e patën të vështirë t’i merrnin me mend. Disa thoshin se, pasi u zhdëpën së ngrëni mish thëllëze dhe pasi pinë tre dymixhana verë të Francës, që Zukja i paskësh sjellë me veti, dhe pasi bënë dashuri secili me nga dy vajza (një brune e një të bardhë), ajo farë komisie a çfarë ishte, vendosi që qytetin t’ia linin në dorë askujt tjetër pos Zuke Kalimanit, që ajo ta qeveriste dhe ta kthente atë në një parajsë të vogël, në të cilën kohë pas kohe do të ktheheshin njerëz nga detrat e botës, të tillë që aq shpesh i zinte dëshpërimi dhe bjerrakohësia”. (“Zuke Kalimani dhe stjuarti i çalë”).
Fragmenti i dytë:
“Tash më duket shum e zorshme me i kallxue ato gjana ndodhun atëherë simbas rendit e simbas kohës, mbase për nji arsye të thjeshtë: përzihen heraherës me nji dishir të papërmbajtshëm me përshkue ndër ndiesi e ndër tallaze mendimesh pamje të vagullta e joshëse e dritëdhanëse qi pluskojnë në ajrin mbushun rrezellimë diellore, e me ndie prap atë aht mallëngjyes e atë heshtim shejtnuer t’asaj bote të mshefun ndër skutat ma të pambrrijtshme të kujtimeve, ndërkohë qi sipri saj enden pamje të reja, diku me hijëzime të errëta e diku me vesim të bardhë e të tejkqyrshëm. Due me kjen prap atje me pa hanën e bardhë se si zbret qiellit të sedeftë e ndalet te nji shkamb motnuer dhe aty rri e shikon ftyrën e vet në liqenin e mbushun me njimijë hanëza të tjera, qi rrethojnë krejt pellgun e shkojnë deri atje përtej në nji valëzim argjendi shkrimun e derdhun pa kursim! Due me kjen prap atje e m’u fut n’at pyll kshtenjash rrethue gjithandej me hije gjelbroshe e me ecë giatë e giatë, tuj trazue me kambë vjeshtën e fjetun ndër gjethurinat e verdha e fëshfëritëse, m’i trazue të gjitha e të gjitha ato vjeshta të fjetuna atje e me ndie atë tingllim të paharrueshëm zanash qi vijnë nga përtej murit të heshtjes, e masandej m’u shtri në fier të butë e të njomë e me pa atë copë qiell të bruztë rrethuem kunorash të blerta. Due me kjen prap atje! Por, ah! se ç’m’i ngatërron e m’i trazon këto pamje të madhnueshme e të brishta nji ndiesi e errët, e zymtë, paspjegueshëm e errët e e zymtë, e e vjetër e e harrueme, qi pikon në shpirt dhe përzieshëm mbështjell atje me nji tis andrruer, si nji duvak i zi qi ndan nga kjo botë dhe e mërgon tëhu dhimbjen e pangushllueme. E unë jam aty, në atë vijë të padukshme, n’atë brerore drite dhe nuk e di pse prirem gjithmonë andej, te gjysa tjetër e botës veshun hijesh të pakjarta e mbushun regtimë dhimbjesh cfilitëse”. (“Historia e një andrre të hershme”)
Shkrimtari Mehmet Kraja vende-vende, si në tregime ashtu edhe në romanet e tij, e ngrit nivelin e stilit, përkatësisht përdorimin gjuhësor të shqipes në atë shkallë saqë të shkon mendja se duhet arkivuar si të tillë, për ta shpallur të mirë kombëtare. (Dy fragmentet e mësipërme janë dëshmi për këtë, sikurse edhe fragmentet e tjera që do të jepen në vazhdim të këtij shkrimi).
Rrëfimi deri në pamundësi, deri në pakufi
Duhet pohuar se hapësira dhe thellësia e rrëfimit të prozës në tërësi të shkrimtarit Mehmet Kraja, por edhe tregimit në veçanti janë thuajse të pakufishme dhe tejkohshme. Ai me rrëfimin e tij kalon kufijtë kohorë dhe hapësinorë të së mundshmes, prandaj mund të thuhet se rrëfimi i këtij shkrimtari shtrihet deri në pafundësi, deri në pakufi.
Ai di ta përdorë letërsinë, por jo ta shpërdorojë. Thuhet se letërsia e Kosovës ka shkruar pak për krimet që janë bërë ndaj shqiptarëve në luftën e fundit. Por a është vërtetë kjo? M. Kraja edhe në tregimet e tij, përfshirë edhe tregimin ‘Mbreti”, shkruan për krimet e reja dhe të vjetra të fqinjit verior.
“Nga të katër anët syri nuk të zë gjë tjetër, pos kufoma të prishura njerëzish, të shqyera nga bishat, disa tek dergjeshin të pavarrosura mbi dhè, e disa të tjera tek notonin mbi ujërat e lumenjve, të fryra, të irnosura, të zeza, me sy të zgurdulluar, të cilët, po i shikove gjatë, të duket sikur përqeshin botën e të gjallëve. E pashë me sytë e mi një çakall teksa hante rropullitë e një fëmije dhe atë çast m’u bë sikur u ça qielli dhe sikur që andej filluan të binin kufoma të tjera, që e mbuluan botën anë më anë. Midis tyre, madhëri, më besoni, e pashë edhe timen, e, më ndieni për guximin që marr të them, edhe tuajën”…
Kurse teatri i heshtjes, që mund të përkufizosh një pjesë të tregimeve të këtij autori, shprehur me një dendësi teksti të skajshëm flet shumë (tregimi “Teatri”), shoqëruar me dhimbjen përtej të mundurës (tregimi “Restoranti i qepve”).
Si shkrimtar i përmasave të mëdha, Mehmet Kraja komunikon edhe me shkrimtarë të tjerë.
Fryma e shkrimtarëve të tjerë në tregimet e M. Krajës është më shumë e ndërdijshme, e fare pak e vetëdijshme. Aty-këtu, siç kanë vërejtur të tjerët, ka pak magji sikurse te Gabriel Garsia Markez, apo pak shi e mërzi nga Ismail Kadare. Këto lloj shoqërimesh nga shkrimtarët e përmendur; nga i pari vërehet krijimi i një mjedisi magjik dhe tërheqës që është më i bukur dhe i besueshëm sesa në realitet, kurse nga i dyti del përmes leksikut (fjalësit).
Ngulmimet e shkrimtarëve që përmes përdorimit të fjalorit, përkatësisht pasurisë së varianteve letrare të toskërishtes ose gegërishtes është sprovë të cilën me sukses e kanë përballuar edhe shkrimtarë të tjerë shqiptarë (Jakov Xoxe, Vath Koreshi, të cilët kanë përdorur edhe variantin gegë, sikurse Mehmet Kraja që në veprën e tij përdor edhe variantin toskë). Dhe ky veprim i këtyre shkrimtarëve ka qenë i qëllimshëm, për t’u bërë i lexueshëm nga tërë areali gjuhësor i shqiptarëve. Dhe kjo teknikë është një vlerë më shumë e prozës së tij. A nuk i ngjajnë për nga cilësia regjisorët më të mirë njëri-tjetrit, kështu edhe shkrimtarët, arkitektët e fjalëve të gjuhëve, mjetit më efikas të komunikimit.
Kur letërsia dëshmon historinë
“Derisa rrija ashtu i kredhur në qëmtimin e asgjësë, e cila ishte formësuar para meje si natë e si det e si udhëtim rrethor, hetova se dikush prapë m’u afrua dhe sërishmi zuri vend pranë meje. Çfarë do të më thoshte? Asgjë. Se paskësh qenë një herë e një kohë një natë e qetë, një natë e mrekullueshme; se dikur atje tej, në lindje të Detit Jon kishte qenë edhe një hënë që ishte zhdukur papandehur dhe se vendin e saj tani e kishte zënë nxirosja e tepërt, e padepërtueshme, e panevojshme…
- Ai vdiq, – tha si me të mërmëritur, me një zë që shtrihej horizontalisht nëpër natë.
- Kush?
Dhe me vrik u ktheva nga ai, ndoshta që t’ia shihja fytyrën dhe nga pamja e saj të merrja vesh se ç’kishte qenë ajo vdekje e ardhur aty aq papandehur. - Im atë, – tha ai me një përhumbje prehëse në fytyrë. – Ishte çam, çam i lindur atje. – Dhe me dorë tregoi një pjesë të natës, e cila nuk kishte asnjë shenjë dhe nuk shquhej me asgjë në atë errësirë të shtrirë në të gjitha përmasat e hapësirës. – Nuk e di, nuk e di përse më tha të mos e kujtojmë më kurrë… Vallë, ta ketë dashur aq shumë vdekjen”? (tregimi “Vdekja e çamit”)
Ja këtu del qartë një nga tmerret e një tragjedie ndaj shqiptarëve, tmerret e krimeve ndaj tyre, të
cilët ata që i kanë bërë janë përpjekur që të mos lënë gjurmë. Ky tregim është dëshmi se letërsia edhe një herë shkruan historinë më mirë se vetë historia, atë historinë tragjike të Çamërisë dhe çamëve. (Çamëria dhe çamët janë një krim i ndodhur, të cilin ata që e kanë shkaktuar kanë bërë përpjekje për ta fshehur). Historia shqiptare historinë e çamëve e ka heshtur, politika e përdor për konsum praktik deri në pështirosje, kurse ky tregim i Mehmet Krajës këtë pjesë të historisë së shqiptarëve e gdhend me shkronja eshtërore që nuk zhduken dot.
Kam menduar gjithnjë se romanet e Mehmet Krajës janë pjesë e elitës së tërësishme të letërsisë shqipe qysh me leximin e romaneve të tij të parë. Me rilixemin e tregimeve të tij, mendoj se edhe kjo pjesë e krijimtarisë së tij është pjesë e kësaj elite. Ndërsa, edhe pse dihet ky fakt, në letërsinë e sotme shqipe ka të atillë që përpiqen ta mohojnë. Kurse absurdititeti i prozës së Mehmet Krajës, është (mos) përkthimi i saj i duhur dhe cilësor në gjuhë të tjera. Në këtë rast, pa zmadhime, mendoj se nuk humb letërsia e tij, vlera e saj është aty, sidomos në romanet e tregimet e tij, por humb vetë lexuesi jo shqiptar, përkatësisht ai që nuk e njeh këtë gjuhë.
Shkrimtari Mehmet Kraja në prozën e tij tregimtare nuk gëlon ide revolucioniste, por ai shtron ide evolucioniste: sipas së cilave çdo gjë ka kohën dhe vendin e vet.
“U ktheva në shtratin tim, duke tërhequr këmbët zvarrë mbi dysheme dhe u shtriva me fytyrë të kthyer nga muri, për të gjetur mbi verdhësinë e tij të ndotur po ato njollat e gjithmonshme, nëpër të cilat kaloj pa vështirësi dhe futem në një botë të patrajtshme, në një botë amebash dhe gjolesh të pështirë, atje ku fillon gjeneza e të gjithave. Kështu bëra edhe kësaj radhe dhe kështu do të bëj gjithnjë, derisa hekurat e ndryshkur të kalben e të bien nga dritaret e shtëpisë sime”. (tregimi “Burgu”)
Të shkruash tregime për asgjënë dhe giithçkahin, kjo ndodh në tregimet e Mehmet Krajës. Ai edhe kur shkruan për vetminë, rëndomësinë, heshtjen, mendimet e pazbërthyeshme; zbulon nuancat e tyre, duke i bërë të flasin më shumë se çdo e bërtitur njerëzore. Rrëfimtari i tij nuk pisket, por edhe kur hesht flet më shumë sesa të ketë edhe sokëllimat më të mëdha të kësaj bote.
Tiparet e tjera të tregimeve në këtë zgjedhje, qofshin ato strukturore, përmbajtësore e figurative plotësojnë dhe e përmbushin mendimin se autori bën vepër tërësore në prozë. Kështu p.sh. harrimi i vetes në tregimin “Astrologu” dhe shkaktimi i vdekjes me toruturë psikologjike në tregimin “Maestroja” janë teknika rrëfimore që plotësojnë mozaikun e llojllojshëm. Kurse, në tregimin “Shkodra e rrethueme në tri pergiasime”, autori është një vazhdues dhe zhvillues i traditës së rrëfimit të shkrimit në gegërisht në stil, gjuhë, mendësi e filozofi, që herë-herë rri bukur e mbështjellë brenda një atmosfere mistike duke shpalosur edhe më gjerë dhe më thellë këtë shtrat të prozës shqipe ndërtuar që nga shqipërimet e Gjon Buzukut e fillimin e shkrimit origjinal në shqipen gegërishte nga Pjetër Bogdani e deri te proza e Ernest Koliqit e Martin Camajt. Ndërkaq, për tregimin “Zuke Kalimani dhe stjuarti i çalë”, mund të thuhet se “të gjithë i sjell në gisht një femër”, apo kur rrëfimet e mëdha tregohen përmes historive të vogla e njerëzore, përballë luftës, ushtrive, fitoreve e humbjeve; na dalin fatet e vogla, jeta e njerëzve të zakonshëm e të pazakonshëm, të cilët gjithsesi janë shumicë në këtë botë.
Mehmet Kraja është shkrimtari që përmbys e kundërshton histori, kode, mendësi apo i relativizon ato (konstatim i Basri Çapriqit), duke dhënë alternativën e tij dhe duke i rimodeluar ato, në të cilat në të shumtën e rasteve dominon humbja përballë fitores, vetmia karshi të qenit bashkë, vdekja përballë jetës, prishja e fjalës së dhënë kundruall mbajtjes së saj (tregimi “Tanusha”). Prodhimet letrare të M. Krajës në të shumtën e rasteve janë e kundërta e triumfit të jetës, siç fundi-fundit është edhe jeta reale: a nuk mundet ajo, pra jeta nga vdekja, sado që të zgjasë?!
Duke këmbëngulur në tiparet e stilit të autorit, për të mund të thuhet se është prozatori poet, apo më shumë romancieri poet, që janë sintagma që i shkojnë shumë për shtati shkrimtarit Mehmet Kraja, përkatësisht veprës së tij. Nënteksti, shkrimi i figurshëm, shtresat e shumta të leximit që duhet nënkuptuar te tregimet e tij, por edhe te romanet e tij, përgjithësisht janë nga veçoritë dominuese të strukturës së kësaj vepre. Përgjithësisht këto tipare të veprës letrare janë karakteristike për veprat poetike, por në rastin konkret, kur vepra në prozë, siç është fjala për prozën e Mehmet Krajës, i ka këto veçori, atëherë ajo rrit nivelin e saj artistik, ndonëse mund të humbë lexuesin e gjerë dhe lehtësinë e të përkthyerit në gjuhë të tjera. Prandaj mund të thuhet se tregimet dhe romanet e Mehmet Krajës kanë shumë poezi të vërtetë, po aq sa edhe poezia e mirë dhe e vërtetë si formë. Por dimensionet e poetikës, përkatësisht të tregimeve të këtij shkrimtari nuk përfundojnë këtu. Ato herë-herë përshkohen nga një satirë e hollë dhe një groteskë, duke përfshirë edhe hapësirat e absurdit që dalin në tregimet e këtij shkrimtari. Kështu tregimet përfitojnë elemente shtesë, rrisin bukurinë e stilit dhe gjuhës si dhe shtojnë shtresat shumëkuptimëshe të temave e motiveve rrëfimore tregimtare. Absurditeti deri në pamundësi, mund të quhet një studim i veçantë për disa nga tregimet e Mehmet Krajës (tregimet “Lajmëtari”, “Kanibalët”). Narratori i këtyre tregimeve na shpie në zona të skajshme dhe absurde të jetës e të vdekjes, luftës e paqes, lirisë e robërisë, saqë bëhen të diskutueshme e të papranueshme, madje shumë postulate e parime të cilat kthehen kokëposhtë, duke u transformuar në raport me ato të zakonshme që njihen nga bota njerëzore.
Ja një fragment i këtillë:
“Oficeri i policisë më dëgjoi indiferent, pastaj tha se midis dëshmitarit dhe të dyshuarit për një vrasje ndodhte të mos kishte dallim të madh. Unë i shpjegova se në korridorin e asaj komandës lokale të KFOR-it kisha qëndruar më shumë se dy orë, por askush nuk ishte marrë me mua, sepse ushtarët e KFOR-it kishin qenë të zënë, njëri pas tjetrit ishin futur në një kthinë në fund të korridorit dhe i qenë hedhur sipër përkthyeses, e cila, meqë ra fjala, vinte e bëshme nga trupi dhe ishte shumë e zhgënjyer me lirinë e Kosovës”. (tregimi “Borë”)
Për botimin
Shkrimtari Mehmet Kraja si përfaqësues i kulmeve të prozës shqipe, me romanet dhe tregimet e tij në këtë përzgjedhje të tregimeve, vjen me një zgjedhje që e ka bërë vetë ai, nga tërë krijimtaria e tij tregimtare gjatë viteve.
Botimi i veprës së parë të shkrimtarit kaq të rëndësishëm për letërsinë shqipe, siç është Mehmet Kraja, dhe kaq të vonë në vendin e tij të lindjes në trevat etnike shqiptare në Malin e Zi, flet për një absurditet të llojit jashtëletrar. (Kujtojmë se Mehmet Kraja ka lindur në Kështenjë të Krajës, pranë liqenit të Shkodrës, kurse gjimnazin e ka kryer në Ulqin). Sido që të jetë, shoqata e “Art Club”-it nga Ulqini me botimin e kësaj vepre po bën një punë që duhej bërë vite e vite më parë. Kurse titulli i këtij libri “Histori të ëndrrave të hershme” është marrë nga titulli i tregimit të tij “Historia e andrrave të hershme”. Janë të rrallë shkrimtarët e letërsisë shqipe, sikurse është Mehmet Kraja, që përfshijnë në veprën e tyre kohë e hapësira të ndryshme, por prapëseprapë mbesin të lidhur me identitetin e origjinën e tyre; gjuhën, historinë e kombin, përkatësisht vendlindjen, duke i pasur këta të fundit shtratin kryesor dhe pjellor letrar.
Për fund
Romanet dhe tregimet më të mirë të Mehmet Krajës janë mrekullia e rrëfimit për jetën dhe shtresat e para dhe të papara, të dëgjuara dhe të padëgjuara, të prekshme dhe të paprekshme të njeriut, kohës e hapësirës, jetës dhe dashurisë, vetmisë e pritjes, humbjes e zhgënjimit; të nocioneve të dukshme dhe të padukshme filozofike të thëna e të pathëna, të cilat presin studiuesit për t’i studiuar, përkatësisht përkthyesit për t’i përkthyer në gjuhë të tjera; për të konstatuar vlerën e një shkrimtari botëror, për nga niveli estetik, pasi ai vetë e ka bërë punën e tij, e ka shkruar veprën që ka përmasat gjithëpërfshirëse të këtilla.
