(Shaqir Ismaili, BOJKU NË ANË TË MALIT, Botoi: ART CLUB, Ulqin, 2011)

Një e dhënë e tillë nuk është e panjohur, sepse deri më tash për shqiptarët në Mal të Zi kanë shkruar autorë të ndryshëm joshqiptare, kryesisht sllavë, duke i trajtuar çështjet në mënyrë subjektive, sipas interesit të tyre dhe të politikës së kohës. Por, gjatë dy dekadave të fundit janë pikërisht autorët shqiptarë ata të cilët me pasion opinionit i kanë dhuruar botime me vlerë, në saje të punës hulumtuese disavjeçare. Dhe janë pikërisht këto botime ato që kanë shpalosur tema të cilat kanë qenë jo të panjohura për opinionin e gjerë, por ishin të ndaluara, sepse pasojat kanë qenë evidente nga pushteti i kohës. Madje ishte pikërisht ky motivi kryesor për t’u ballafaquar me temat e tilla për të shpalosur çështjet përkatëse që opinioni i gjerë i ka pritur me padurim.
Në gamën e gjerë të këtyre botimeve, bën pjesë edhe libri Bojku në Anë të Malit i autorit Shaqir Ismaili, i cili kohë më parë në botim të Art Club-it ka dalë në qarkullim.
Pas parathënies së autorit, libri përbëhet nga nëntë njësi, duke filluar me trajtimin e Anës së Malit si krahinë të veçantë etnografike, duke vazhduar me rrethanat shoqërore-historike, sipas periudhave kohore, duke ardhur deri në periudhën pas Luftës së Dytë Botërore, pastaj çështjet e traditës etj. Në fund është publikuar gjenealogjia familjare e fiseve dhe vëllazërive familjare të Bojkut, duke përfshi një periudhë kohore prej tre shekujsh. Pjesë e librit janë edhe hartat, skicat dhe sidomos fotografitë e botuara që paraqesin vlera të veçanta për një koleksion, sepse një numër i konsideruar i tyre publikohen për herë të parë dhe si të tilla e pasurojnë këtë botim.
Duke lexuar ketë libër del qartë pozita e vështirë sociale e popullsisë përkatëse, që ishte identike për popullsinë shqiptare në përgjithësi në Mal të Zi. Por, aspak më e lehtë nuk ishte as gjendja politike, sepse pushtetit të kohës iu ka penguar edhe shkollimi fetar i të rinjve, që është dëshmuar me pamundësinë e punësimit të tyre, qoftë në vendlindje apo në komunën e Ulqinit, por duke i drejtuar në mjedise të largëta, me popullsi sllavofone. Një veprim i tillë perfid dëshmon në mënyrë transparente se edhe edukimi fetar ka qenë i padëshirueshëm, kur janë në pyetje shqiptarët, ku autori në libër na ofron shembuj përkatës. Me këto veprime pushteti i kohës u demaskua, sepse ishte një veprim perfid për pengimin e shkollimit të te rinjve tanë edhe ne profilin teologjik, nga del se iu kanë penguar edhe takimet dhe tubimet e rastit të kësaj natyre, që ishte kundër të drejtave dhe lirive të qytetarëve, të cilat ishin të garantuara edhe me konventat ndërkombëtare.
Lexuesi në këtë libër ka rastin të informohet me përmbajtje të ndryshme, sikurse është edhe migrimi i popullsisë nga Bojku, por edhe e kundërta të ardhurit nga vendbanimet e tjera në Bojk, në kohën e kaluar. Të dhënat e tilla nuk janë të imagjinuara por të argumentuara madje me emër dhe mbiemër të familjarëve në një tabelë përkatëse. Po ashtu prezantimi i toponimeve të fshatit paraqet një vlerë të veçantë onomastike, sidomos për fushën e gjuhësisë.
Nëse ndonjë fshat, zonë apo krahinë e veçantë dallohet me ndonjë veti dalluese me vlera nuk ka dilemë se bojkanjorët nga ky moment kanë se me çka të krenohen. Ata pa dyshim se janë të parët që kanë një monografi të shkruar për vendin-fshatin e tyre. Jo vetëm kaq, por me sa jam i informuar kjo është monografia e parë për një fshat në viset shqiptare në Mal të Zi. Andaj, të gjithë ata që në të ardhmen do të marrin guximin për të shkruar një monografi të tillë për ndonjë vendbanim tjetër, patjetër duhet ta konsultojnë monografinë e Bojkut, të shkruar nga Shaqir Ismaili.
Nuk ka dilemë se me këtë botim autori ka nderuar vendlindjen e tij Bojkun por edhe të tjerët si në Anë të Malit, Ulqin dhe më gjerë sepse ka shkruar një libër me plot pasion dhe dashuri. Materiali i mbledhur për një periudhë të gjatë kohore prej gati pesë dekadash ai sot është publik dhe do ta vlerësojë opinioni i gjerë. Por, në lidhje me këtë botim më duhet të them një konstatim që është dëshmuar shumë her deri më tash. E ai ka të bëjë me faktin se askush nuk e do më shumë vendlindjen sesa ai i cili është larg saj.
Pikërisht, duke qenë larg saj, i larguar nga mosha 15 vjeçare, autori gjithmonë ishte me vendlindjen në zemër dhe në ndërgjegjen e tij. Sepse kudo që ka shkuar dhe qëndruar vendlindja e tij ishte dhe mbeti përjetësisht Bojku. Dhe vetëm një individ i tillë ka mundur të na dhurojë një botim me ketë përmbajte, ku ka shënuar dhe evidencuar çdo gjë nga vendlindja, në kuptimin e ngushtë, por edhe për Anën e Malit në kuptim më të gjerë. Ndërsa literatura e konsultuar ia rrit vlerën botimit, duke ofruar argumente për çështjet e trajtuara.
Madje, nuk gabojmë nëse themi, se disa çështje të trajtuara në libër, duhet të jenë edhe motiv dhe nxitje për hulumtime në të ardhmen. Nuk ka dilemë se një veprim i tillë do të dëshmonte në praktikë se kjo monografi ia ka arrit qëllimit, sepse asgjë nuk është ideale dhe e përkryer, sepse vazhdimisht mund të ofrohen të dhëna të reja që janë në favor të çështjeve përkatëse.
Libri iu dedikohet kryesisht banorëve të Bojkut, por ai është i mirëseardhur edhe për opinionin e gjerë të cilët dëshirojnë të informohen për këtë vendbanim në veçanti dhe për Anën e Malit në përgjithësi. Nuk ka dilemë se ky libër do të zgjojë kureshtjen edhe tek ata të cilët janë me origjinë nga Bojku, ndërsa tash jetojnë në vende të ndryshme. Në këtë aspekt mendoj se ka të bëj në veçanti me ata qytetarë të cilët tash janë në diasporë. Për këtë kategori, ky botim do të jetë një lloj letër-njoftimi, dhe dëshmi e origjinës dhe identitetit të tyre, sepse ofron të dhëna me interes për të kaluarën dhe të tashmen e Bojkut.
Autori ka qenë i vetëdijshëm se vetëm ajo çka është e shkruar do të mbesë, bëri atë që është dashur të bëhet me bindje të plotë, se atë qe mund ta bëjmë sot duhet bërë sa më parë sepse brezat që do të vijnë nuk do të na falin dot. Sepse sa ngjarje kanë ndodhur më parë, por nuk janë shënuar, çka paraqet një humbje të madhe për të gjithë ne, sepse ka ndodhur vetëm ajo që është shkruar.
PërfundNë saje të ndryshimit të rrethanave shoqërore në këto dy dekadat e fundit janë botuar libra me vlerë nga autorë të ndryshëm shqiptarë, të cilët kanë trajtuar tema nga fahu i tyre profesional. Botimet e tilla nuk ka dilemë se kanë pasuruar fondin e botimit të librit në shqip, duke ofruar të dhëna të cilat deri më tash kanë qenë të panjohura nga opinioni i gjerëimisht, autori i librit ka kryer një mision të rëndësishëm sa personal poaq edhe moral, duke i dhuruar vendlindjes dhe bashkëvendësve të tij një botim i cili pasqyron të kaluarën dhe të tashmen, por do të përdorët në të ardhmen si referencë e domosdoshme për Anën e Malit e Ulqinin në përgjithësi.
