
Kush ishte Sali Nivica dhe pse po e kujtojmë sot këtë atdhetar të shquar? Po e kujtojmë atë në ditën e vrasjes së tij më 10 janar 1920. I lindur në Kurvelesh, një bir i denjë i Labërisë dhe i mbarë Shqipërisë, megjithëse në moshë të re ai u dallua në shumë fusha të veprimtarisë së tij: si publicist, botues i gazetës “Populli”, si patriot i flakët atdhedashës, si shkrimtar, por edhe si politikan. Brenda një jete shumë të shkurtër (nën 30 vjeçare) para se të vritej barbarisht, Sali Nivica kishte arritur shumë më shumë se ndonjë prej nesh mund të arrijë në një jetë të tërë e të plotë. Me veprat e tij patriotike ai kishte bërë emër në qarqet atdhetare dhe intelektuale të kohës në Shqipëri dhe në Kosovë si patriot i flakët, organizator dhe veprimtar i kryengritjeve antiosmane dhe antisllave. Fillimisht ai nisi veprimtarinë e tij patriotike në gjimnazin që frekuentonte në Manastir, në fillim të viteve 1900. Atje u njoh me patriotin Bajo Topullin (vëllai i Çerçiz Topullit), një figurë e njohur nacionaliste shqiptare – themelues i Komitetit të parë Kryengritës për Çlirimin e mbarë Shqipërisë të cilit iu bashkua edhe i riu Sali Nivica. Bashkëpunoi me Bajo Topullin, të cilit kolosi i gjuhës shqipe Eqrem Çabej i është drejtuar me fjalët e fundit: “Ti o shpirt bujar, derdhe tërë gazin e jetës për këtë Shqipëri… që t’i e deshe gjithë jetën, më tepër sesa shpirtin”. Me njerëz të tillë, të vlerësuar për kontributin e tyre, vepronte dhe bashkëpunonte i riu Sali Nivica në mbrojtje të atdheut dhe të drejtave të shqiptarëve nga Jugu në Veri, duke filluar nga Manastiri e në Shkodër e deri në Kosovë.
Më vonë Saliu i ri shkon në Shkodër, ku në shkurt të vitit 1918 bëhet anëtar i Komisisë Letrare, në të cilën merrnin pjesë disa nga patriotët më të njohur dhe personalitetet më të shquara të gjuhës, kulturës, por edhe të politikës kombëtare si At Gjergj Fishta, Gurakuqi, Pekmezi, Mosi, Logoreci, Mjeda, Xhuvani etj. Merreni me mend këtë patriot të ri shqiptar në shoqërinë e këtyre kolosëve të kombit duke diskutuar fatin e kombit dhe duke mësuar prej tyre dashurinë e vërtetë për kombin e vet! Duke marrë mësim nga më të mirët e kombit, Sali Nivica në atë kohë e shtriu gjithashtu veprimtarinë e tij patriotike edhe në Kosovë, ku në nëntor të vitit 1918 bëhet njëri prej organizatorëve të themelimit dhe anëtar i Komitetit të emërtuar Mbrojtja Kombëtare e Kosovës, me qëndër në Shkodër. Edhe në këtë organizatë Sali Nivicës i jepet mundësia të bashkëpunonte me figurat më të ndritura të kombit shqiptar, si Hoxha Kadri Prishtina, Hasan Prishtina, Bajram Curri, Kel Marubi, Sotir Peçi, Elez Isuf Ndreu, Gjergj Fishta, Ndre Mjeda, Vinçenc Prenushi, Sejfi Vllamasi etj.
Veprimtaritë e tij nepër organizata e komisione në mbrojtje të interesave të atdheut në bashkpunim me më të mëdhenjtë e kombit të asaj kohe dhe sot, i riu Sali Nivica, i cili falë rinisë së tij duhet të ketë qenë edhe më entuziasti në atë grup e dyfishonte dhe trefishonte kontributin e tij me punën në fushën e publicistikës si botues i një gazete në Shkodër. Sipas burimeve si botues i gazetës së tij “Populli” ai vuri në dispozicion gazetën që në numrin e parë të saj Komitetit Mbrojtja Kombëtare e Kosovës – gazetë që e botonte me moton “Për Lavdinë e Atdheut”. Gazeta “Populli” nën drejtimin e atdhetarit të ri Sali Nivicës jo vetëm gjatë Konferencës së Paqes në Paris, por gjatë gjithë periudhës që ajo u botua shërbeu si një “pararojë” e mendimit atdhetar-nacionalist të kohës për çlirimin dhe për bashkimin e Kosovës dhe të gjitha trojeve shqiptare “nën sundim të Shqipërisë së lirë”.
Fatkqësisht për botën e sotme shqiptare dhe për të ardhmen afatgjatë të kombit shqiptar, subjekte dhe personalitete të historisë së shqiptarëve të para Luftës së Dytë Botërore si Sali Nivica nuk janë subjekte që pëlqehen të mbulohen nga media e sotme “moderne” majtiste. Pra, nuk janë subjekte as personalitete historike që frymëzojnë njeriun sot, mendojnë ata. Për fat të keq për ta më shumë ka rëndësi publiciteti i një çante 10 mijë dollarëshe të një kompanie evropiane të modës, ndonëse me shqiponjën dy-krenare në faqen e saj, se sa të përmendurit e një kauze ose personaliteti të madh të kombit si Sali Nivica, si një rast frymëzimi për brezin e ri të shqiptarëve të cilët kollaj mund të joshën nga reklamat e kohëve të fundit për çantën 10 mijë dollarëshe, që të largohen masivisht nga Shqipëria, ashtu siç po ndodhë për fat të keq. Megjithëse rinia shqiptare ka edhe shumë e shumë arsye të tjera politike, ekonomike, korrupsioni, varfëria, mungesa e sigurisë, mungesa e perspektivës që po arrariset ditën e natën nga trojet shqiptare, madje edhe duke rrezikuar jetën në detet e hapura.
Bota e sotme shqiptare përfshirë politikën dhe median, por edhe entet akademike shqiptare nuk janë hiç të interesuar për të ditur ose për t’i treguar brezit të sotëm ose të nesërm të shqiptarëve se kush ishte Sali Nivica dhe çfarë vlerash përfaqësonte ai për kohën që jetoi, por edhe për kohën e sotme. Një shënim që gjeta në lidhje me përvjetorin e Sali Nivicës (10 janar) ishte një shkrim i shkurtër në gazetën “Dielli” të Vatrës së Amerikës nga studiuesi dhe historiani Dr. Dorian Koçi, i cili kujton dhe vlerëson Sali Nivicën: “Në këtë vend idealistët janë të rallë, por aq të paktë sa janë shkelqejnë me personalitetin e tyre”. Dr. Koçi kujton 103-vjetorin e vrasjes barbare të Sali Nivicës, mesuesit, patriotit e gazetarit që në Shkodrën e viteve 20’ kishte themeluar gazeten “Populli”, shkruan ai dhe vlerëson rolin e gazetës së Sali Nivicës, gazetë e cila sipas historianit Koçi “ishte një tribunë e mendimit të lirë e demokratik shqiptar dhe pasqyronte me pathos përpjekjet e kombit për të krijuar shtet modern”. Dr. Dorian Koçi nënvijon se Sali Nivica “përfaqëson brezin e shkëlqyer të studentëve idealistë shqiptarë që u mëkuan me vargjet e Naimit, aksionin luftarak të vëllezërve Topulli, publicistikën therrëse të Konicës, epikën e satirën e Fishtës. Sali Nivica ishte një dishepull i tyre dhe me veprën e tij pasuroi dhe çoi përpara mendimin idealist e shtetformues shqiptar…”, përfundon vlerësimin e tij të shkurtër (por të vetëm që kam parë me këtë rast në median shqiptare) për veprën dhe jetën e patriotit Sali Nivica, studiuesi Dr. Dorian Doçi në shkrimin e tij për gazetën “Dielli” të Nju Jorkut.
Rrallë ose hiç ka momente kur shfrytëzohet rasti që kontributi dhe sakrificat sublime të patriotëve si Sali Nivica të përkujtohen zrytarisht nga entet qeveritare e shtetërore. Por në rastin e Sali Nivicës, ish-presidenti i Republikës së Shqipërisë, z. Bamir Topi në janar të vitit 2011 të paktën ka përkujtuar dhe nderuar këtë patriot të madh të kombit, duke i akorduar urdhrin e lartë “Nderi i Kombit”. Me atë rast ish-presidenti Topi vlerësoi karakaterin qytetar, historik dhe atdhetar të Sali Nivicës dhe zonës së Labërisë nga e ka origjinën ai: “Rruga jonë nëpër histori nuk ka qenë e lehtë, ajo ka qenë heroike dhe populli i kësaj treve nuk është kursyer në sakrifica sa herë shqiptarëve u është dashur t’i bënin ato. Nga gjiri juaj kanë dalë shembuj frymëzues siç është rilindasi Sali Nivica, personalitet ky që idetë e mëdha i shndërroi në histori… Ndërgjegjësimi që vjen nga kujtesa na bën të pohojmë sot njëzëri se krahina juaj e krejt Labëria kanë qenë gjithmonë një pishtar i ndezur në luftrat patriotike për zgjim kombëtar, pavarësi e konsolidim të saj. Sa herë jepej kushtrimi ata ishin rojtarë të fateve të atdheut”, ka thenë presidenti Topi. Sipas ish-udhëheqësit shqiptar, ndonëse në moshë shumë të re, Sali Nivica krah për krah dhe me më të mëdhenjt e kombit ishte një “mbrojtës i zjarrtë i integritetit territorial, përkrah Luigj Gurakuqit në Kancelaritë Evropiane zë i parreshtur i Kosovës së martirizuar, intelektual e mendimtar, i vrarë pabesisht nga armiqtë e Shqipërisë më 10 janar të vitit 1920, me të drejtë do të meritonte përkufizimin e të madhit Gjergj Fishta se “Sali Nivica ishte portë e shtyllë e të thuesh nji shkam të cilit tash 10 vjet i turren tallaze të mëdha pa mujt me e brejtë kurrkund, burra të cilët rrallë i lindin nanat!”, ka cituar Topi vlerësimin e At Gjergj Fishtës për Sali Nivicën.
“Mësuesi i popullit” Sali Nivica ishte dhe mbetet një shembull i vlerave patriotike, intelektuale e morale, të cilin ne sot e vlerësojmë si një nga mendjet e ndritura të asaj Shqipërie që synonte të shkëputej nga e kaluara duke fituar lirinë e duke parë nga moderniteti, si një nga themeluesit e gazetarisë, arsimit e fjalës së lirë në Shqipëri. “Nderi i Kombit” është një dekoratë e merituar për ata që e udhëhoqën kombin drejt lirisë, shtetformimit dhe modernitetit, për ata që sakrifikuan jetën për idetë, për idenë e madhe e të shenjtë të një Shqipërie të lirë, të pavarur e të denjë për të qëndruar në krah të shteteve evropiane”, ka thenë z. Topi duke shtuar: “Të gjithë ne brezat e rinj, fëmijët tanë, nxënësit dhe studentët duhet të formohen intelektualisht me parime të drejta historike, sepse historia gjithmonë konfirmohet si mësuese e jetës! Ata duhet të dinë se mbijetesa e Shqipërisë në ato rrethana historike u realizua nga idealizmi dhe sakrifica e dëshmorëve si Sali Nivica! Burra të tillë i dhanë gjithçka Shqipërisë pa interes, duke sakrifikuar edhe jetën e duke na lënë ne pasardhësve të tyre pasqyrën morale ku të shihemi çdo ditë, modelin etik të sakrificës, ndershmërisë dhe idealizmit, bashkëpunimit dhe dialogut që vendi ynë natyrshëm të realizojë ëndrrën e madhe – Shqipërinë e përparuar, Shqipërinë evropiane”, ka vlerësuar Topi kontributin e Sali Nivicës.
Në qoftë se rinia e sotme shqiptare anembanë trojeve iliro-arbërore e cila po lagohet masivisht nga Shqipëria dhe nga Kosova, ka nevojë për një shembull patriotizmi e atdhetarizmi e pse jo edhe nacionalizmi të pastër kombëtar, ja ku e kini Sali Nivicën që At Gjergj Fishta e ka quajtur si njërin ndër “burrat të cilët rrallë i lindin nanat” dhe njerin prej “intelektualëve më të aftë dhe më konsekuent të kohës”, sipas vlerësimit të Luigj Gurakuqit.
