Në ceremoninë vjetore të ndarjes së çmimeve në fushën e letërsisë, sivjet Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Republikës së Kosovës ka nderuar Akademikun Rexhep Qosja me çmim të veçantë për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në letërsinë dhe kulturën shqiptare. Ai u nderua me Çmimin për Letërsi.
“Me veprën e tij letrare dhe studimet shkencore, Qosja ka luajtur një rol kyç në jetën kulturore shqiptare, duke krijuar një bibliotekë të pasur albanologjike, historiko-letrare dhe kritiko-letrare. Ai ka qenë një zë i fuqishëm intelektual dhe protagonist aktiv në proceset e mëdha shoqërore në botën shqiptare”, thuhet në njoftimin e MKRS-së.
Në motivacionin e e saj, juria thekson se “Letërsia shqipe, në dimensionet shumëplanëshe të krijimtarisë letrare dhe të mendimit historiko-letrar e kritik letrar, e ka akademik Rexhep Qosjen shenjën më përfaqësuese të identitetit të saj”.
Ndërkaq, në një postim në Facebook, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti i ka kushtuar një shkrim të gjatë ndarjes së çmimit për Akademikun Rexhep Qosja nga MKRS.
“Ngjitja në mendim është thellim. Kështu e kam përshtypjen kur eci përpjetë shkallëve të mbushura me libra. Ky nuk është trillim. Në një shtëpi në Velani, shkallët e kateve brenda, nuk kanë mbajtëse normale. Në vend të parmakëve, ka libra. Nëpër shkallë, mali i librave krijon bibliotekën. Muret nëpër shkallë të mbushura me piktura. I rrëmbyer nga to, duke i ngjitur dy katet, në fund të shfaqet një tjetër bibliotekë. Nga antikiteti deri te më bashkëkohorët. Nga veprat e humbura të Eskilit deri te germat e fundit që një poet i ri, diku në botë sa i bëri varg”, është shprehur ai dhe ka vazhduar përshkrimin: “Letërsi e histori, filozofi e art, sociologji e shkencë, i humbur në atë hapësirë të mbuluar me libra rreth e përqark, në qoshe të dhomës, përballë dritares, një makinë shkrimi. Në të ulur një burrë me mjekër të bardhë, syze të trasha dhe që po shkruan ende. I shtyrë në moshë, ai sërish vazhdon të krijojë tingullin e bukur kur prek shkronjën e re për të krijuar fjalën e fjalisë së fundit. Ky është Akademik Rexhep Qosja, veprimtar e politikan, historian letërsie e kritik letrar, shkrimtar e publicist, kandidat për Çmimin Nobel për Letërsi, e sot i nderuar me çmimin e veçantë të vendit tonë ‘Letërsia Shqipe’, nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, i cili kombit të vet ia dhuroi 51 vepra nga opusi i gjerë dhe i begatë i krijimtarisë së tij ndër vite nga zhanret e ndryshme letrare, 14 prej të cilave të përkthyera në gjuhë të huaja”.
Sh. Hasangjekaj