Ulqin – Artistët e rinj nga Ulqini kanë gjetur një formë të veçantë për t’u falënderuar të gjithë punonjësve shëndetësorë të Ulqinit dhe më gjerë në luftën e tyre kundër koronavirusit gjatë kohës së pandemisë.
Të nxitur nga kriza e përgjithshme për shkak të pandemisë dhe të frymëzuar nga puna e përkushtuar e punonjësve shëndetësorë të Shtëpisë së Shëndetit në Ulqin dhe institucioneve shëndetësore malazeze, në mënyrë që të tregojnë respektin dhe mirënjohjen për mjekët heronj, ata kanë organizuar të shtunën mbrëma në sallën e Qendrës së Kulturës një koncert falënderimi kushtuar bluzave të bardha.
Ideatorja dhe organizatorja e këtij koncerti, violinistja Aksa Murati, studente e vitit të katërt në Akademinë e Artit Muzikor në Cetinë, ka thënë se gjatë vitit të kaluar kanë kaluar tragjedi personale dhe kolektive, ndërsa në rrethin familjar, në rrethin e të afërmve, por edhe në rrethin tonë kemi përjetuar agoninë e pandemisë, ku fatin e secilit prej nesh e kanë pasur në dorë punëtorët shëndetësorë.
“E vetëdijshme për madhështinë e njerëzve që luftojnë për një qëllim gjatë gjithë ditës, për çdo jetë njerëzore, ndjeva nevojën që t’ju them faleminderit. Si dikush që profesionin jetësor e gjen në muzikë, përgjigjen në pyetjen si t’u falënderohem, po ashtu e gjeta në muzikë. Kështu lindi dhe u realizua ideja që ne sonte na bashkon”, ka thënë ajo.
Murati ka thënë se qëllimi i organizimit të këtij koncerti është vetëm një, që t’u tregojmë punonjësve me mantel të bardhë “se ne jemi të vetëdijshëm për atë që ata kanë bërë dhe për atë se çfarë ata bëjnë për çdo ditë për secilin prej nesh. Dhe se ne jemi shumë mirënjohës, edhe pse ndonjëherë nuk e dimë si ta shprehim këtë falënderim”.
Drejtoresha e Shtëpisë së Shëndetit në Ulqin, dr. Sadije Hollaj, ka shprehur falënderime për organizatorët e koncertit, për të gjithë personelin shëndetësor të këtij institucioni, diasporën që më shumë se kurrë është gjetur pranë vendlindjes në luftën kundër COVID-19, Komunën e Ulqinit dhe Ministrinë e Shëndetësisë për bashkëpunimin etj.
Ajo ka thënë se ky nuk ka qenë një vit i lehtë për askënd në Ulqin dhe anekënd botës, sepse pandemia na ka sfiduar ashtu siç nuk e kemi imagjinuar ndonjëherë.
“Kemi luftuar e po luftojmë me një armik të padukshëm, i cili nuk ka njohur kufij, por na ka sulmuar të gjithëve dhe pa dallim. Pandemia ka ndryshuar gjithçka, por nuk ka arritur të ndryshojë një gjë – dashurinë dhe respektin që e kemi për njëri-tjetrin”, ka theksuar ajo, duke shtuar se dëshmi për këtë është “edhe kjo mbrëmje kaq e veçantë e organizuar nga rinia e vendit tonë, ata që përherë mbeten shpresa dhe motivi për të fituar luftën, pa u dorëzuar”.
Hollaj ka thënë se “përkundër thirrjeve për distancë, ne u afruam më shumë, duke zhvilluar akoma më tepër shpirtin solidar”.
I pranishëm në koncert ka qenë edhe Zëvendëskryeministri i Malit të Zi, dr. Dritan Abazoviq, i cili në fjalën e tij ka thënë se bluzat e bardha ia kanë zbardhur fytyrën Ulqinit.
“Një falënderim u shkon të gjithëve, jo vetëm doktorëve por të gjithë stafit, të cilët në kushte jashtëzakonisht të vështira kanë bërë një punë jashtëzakonisht të madhe dhe kanë treguar se në momentet më të vështira ky qytet mund të jetë më i miri”, ka thënë ai.
Ai ka falënderuar për organizimin të rinjtë e Ulqinit duke thënë se arti dhe muzika janë mënyra më e mirë për t’u ballafaqur me një situatë kaq të vështirë, duke treguar në këtë mënyrë se Ulqini në momentet më të vështira mund të jetë së bashku dhe mund të solidarizohet.
Në emër të organizatorit të koncertit Abazoviq ka ndarë mirënjohje për Shtëpinë e Shëndetit dhe Shërbimin e Urgjencës në Ulqin, si dhe për ideatoren e koncertit, violinisten Aksa Murati.
Në koncert janë paraqitur studentët e Akademisë së Artit Muzikor në Cetinë, Aksa Murati (violinë), Lejla Sulejmanoviq (piano), Teodora Qaliq (violë), Ardit Lika (violinë), studentja e Akademisë së Arteve në Tiranë, Egzona Salaj (soprano), profesoreshat e Shkollës së Muzikës në Ulqin, Fatime Katana – Buzuku (piano), Gjylie Pelingu – Hoxha (soprano), Jelena Knezheviq (piano), si dhe artistët Ajna Kaleziq, Bekim Tafa (kitarë), Eliza Markiq, Dino Zhygjeli, Andi Kollari (kitarë) dhe Besart Llazorja (bateri). Ata kanë luajtur në instrumente dhe kënduar pjesë të muzikës klasike si dhe vepra të trashëgimisë kulturore.
Pjesë e grupit organizues të koncertit kanë qenë gjithashtu edhe skenografistja Jetmira Hoxha, regjisorja Edina Mustafiq, disenjatoret Flutra Murati dhe Emina Nimanbegu, orkestruesi Islam Axhemoviq dhe ekonomistja Katarina Marnikoviq.
Për shkak të masave epidemiologjike, në koncert kanë marrë pjesë një numër i kufizuar i publikut, kryesisht punonjës të Shtëpisë së Shëndetit dhe Shërbimit të Urgjencës në Ulqin, punonjës shëndetësorë nga Ulqini që punojnë në institucionet e tjera shëndetësore në Mal të Zi dhe rajon, përfaqësues të politikës, pushtetit lokal etj.
i. k.
