Ostros – 7 Marsi – Dita e Mësuesit është shënuar me një aktivitet të organizuar nga Lidhja Demokratike në Mal të Zi të enjten mbrëma (6 mars 2025) në restorantin “Votra” në Ostros.
Në fjalën përshëndetëse, kryetari i LD në MZ, Saubih Mehmeti ka thënë se ky subjekt politik e ka pjesë të programit të vet festimin e dy datave të rëndësishme të kombit shqiptar – 7 Marsin – Ditën e Mësuesit dhe 28 Nëntorin – Festën e Flamurit.
Duke u drejtuar mësuesve të pranishëm, ai ka thënë se shpreh mirënjohjet më të thella për punën që bëjnë mësuesit aktivë apo kanë bërë ata arsimtarë që sot janë në pension, por edhe ata që nuk janë sot në mesin tonë, por që me kontributin e tyre kanë lënë gjurmë.
“Misioni juaj është i shenjtë. Duhet ta çoni deri në fund. Vetëm me profesionalizëm besoj që do të ndërtojmë kuadro të reja, të cilat do të vazhdojnë t’i shërbejnë këtij vendi dhe të gjitha trevave shqiptare”, ka thënë Mehmeti.
Drejtori i shkollës fillore “Gjergj Kastrioti – Skënderbeu”, Sami Doda ka thënë se të jesh mësues nuk është vetëm një profesion, por është një mision.
Sipas tij, mësuesi i mirë ndërton të ardhmen dhe në orët mësimore mësuesit frymëzojnë ëndrra dhe nxjerrin në pah potencialin e çdo fëmije.
“Mësues të dashur, le të vazhdojmë ta kryejmë këtë mision fisnik me pasion dhe përgjegjësi. Një mirënjohje e veçantë shkon për ju mësues në pension. Kontributi juaj është i madh dhe vazhdoni të na frymëzoni edhe neve”, ka thënë ai duke u drejtuar mësuesve të pranishëm.
Mësuesi në pension Ali Gjeçbritaj ka folur për historikun e shkollës në Krajë, ndërsa për rolin dhe rëndësinë e arsimit për shqiptarët në Malin e Zi ka folur kryetari i nderit i LD në MZ, Mehmet Bardhi. Pjesëmarrësit i ka përshëndetur dhe i ka uruar mësuesit për ditën e tyre edhe kryeimami i Krajës, Irfan ef. Kaca.
Organizatori i aktivitetit ka shtruar iftar për të gjithë të pranishmit – mësuesit e shkollës fillore “Gjergj Kastrioti – Skënderbeu” në Ostros, ish-mësues të kësaj shkolle në pension, aktivistë të LD në MZ dhe aktivistë shoqërorë, përfaqësues të Bashkësisë Islame në Krajë etj.
Pas kësaj, për nder të 7 Marsit – Ditës së Mësuesit në Shtëpinë e Kulturës në Ostros nxënësit e shkollës fillore “Gjergj Kastrioti – Skënderbeu” kanë shfaqur dramën “Gjaku i arbrit” të dramaturgut shkodran me origjinë krajane, Fadil Kraja.
i. k.