
Në hyrje të Kalasë së Ulqinit, aty ku gurët ruajnë në vete shekuj të tërë, histori dhe heshtje, piktorja e njohur Zake Prelvukaj solli një instalacion të fuqishëm e tronditës, të titulluar “Ofshamë”, i cili në kontekstin e artit bashkëkohor shqiptar paraqet një shembull domethënës të ndërthurjes së dimensionit personal me universin simbolik të mitit dhe ritit popullor, ku ndërthuren arti vizual, teksti poetik dhe simbolika e riteve të lashta.
Vepra ngritet mbi tri shtylla kryesore: performativitetin e tekstit, materialitetin e objekteve të ekspozuara dhe ndërveprimin hapësinor me ambientin historik të Kalasë, dhe flet për plagët e heshtura të gruas duke hapur një hapësirë të re leximi mbi trupin, feminitetin dhe dhembjen e heshtur, për gjykimin dhe stigmatizimin që shoqëria shpesh ia ngarkon gruas, por edhe për fuqinë transformuese të krijimit artistik.
Instalacioni përfshin elemente të ndryshme vizuale e semantike: rroba banje me ngjyra të ndryshme të hedhura mbi shkëmb, vizatime në stilin e saj krijues me rol ilustrativ me figura femrash nudo të vendosura në muret e gurta të kalasë, me tekste poetike e rrëfimtare që ndërthurin magjinë e riteve të lashta me dramën e boshllëkut shpirtëror njerëzor. Nga qemerët e gurta të fortifikimit varen fletë të shumta ku shkruhet: “guri”, “sa rëndë”, “hup”, “e mohuar”, “ujë i qelbur”, “tri herë sillu”, “dielli”… etj., fjalë të thjeshta, por të ngarkuara me peshë shpirtërore, që krijojnë një ambient të ndërtuar si hapësirë rituale, ku arti përzihet me një dhimbje të brendshme. Të gjitha këto shndërrohen në të ashtuquajtura mantra dhe që shërbejnë për të qetësuar mendjen dhe për të thelluar meditimin, për t’u përqendruar dhe ndërgjegjësuar, për të vendosur paqe në trup, në mendje dhe në shpirt, në një ritual të brendshëm, në një udhëtim përballë vetmisë dhe mungesës, e që zakonisht përsëriten tri herë dhe përdoren shpesh në përfundim të praktikave meditative.
Në qendër të veprës qëndron teksti i artistes, i ndërtuar si monolog, i cili reflekton mbi stigmatizimin e gruas në kontekstin patriarkal – emërtimin e saj si “nuse shterpë” apo “bark boshe” – dhe njëkohësisht hap një udhëtim simbolik drejt besëtytnive të lashta për shuarjen e këtij mallkimi duke kërkuar një fëmijë te strofka e lakuriqeve, përmes riteve pranë ujit squfuror të Plazhit të Grave. Ky rrëfim, i vendosur mes besëtytnive dhe mitologjisë popullore si dhe, mbase, të dramës intime, shndërrohet në metaforë të plagës që hapin normat patriarkale mbi trupin dhe fatin e gruas. Artisja i referohet pikërisht hapësirës së njohur në Ulqin, të cilit i atribuohet një funksion mitik në ndërgjegjen kolektive. Ky lokalizim nuk është vetëm një kornizë gjeografike, por një hapësirë liminale ku ndërthuren e vjetra dhe e reja, tabutë dhe dëshirat, dhembja personale dhe miti i trashëguar. Në këtë mënyrë, instalacioni merr karakter ritual, duke e shndërruar shikuesin në pjesëmarrës të heshtur të një akti të shenjtëruar.
Nga perspektiva kritike, ekspozita “Ofshamë” me tekstin narrativ përcjellës “Shpella e lakuriqeve” si nëntitull, nuk është vetëm një ekspozim artistik në formën e një instalacioni vizual, por një ritual artistik i përbashkët, ku vizitorët ndalen, lexojnë, preken e meditojnë, e që mund të lexohet edhe si një formë e artit feminist, që i jep zë një përvoje të margjinalizuar dhe të heshtur. Është një përballje me një tabu shoqërore që shpesh mbetet e pazëshme: dhimbja e gruas që nuk bëhet nënë, por edhe fuqia e saj për ta shndërruar këtë zbrazëti në një akt arti dhe dëshmie. Në këtë mënyrë, Zake Prelvukaj e tejkalon përmasën e personalizuar të dhembjes, duke e universalizuar në një testament estetik dhe njerëzor, duke e vendosur në një hapësirë ku arti bëhet mjet për të thyer heshtjet kolektive. Instalacioni i saj është një homazh për gruan e cenuar, të gjykuar dhe të përjashtuar, por edhe një testament i forcës krijuese që nga plagët më të thella arrin të ngrejë një vepër të fuqishme estetike e njerëzore.
Prelvukaj arrin, në këtë mënyrë, të krijojë një dialog mes së shkuarës dhe së tashmes, mes hapësirës individuale të dhimbjes dhe hapësirës publike të artit. Instalacioni i saj mbetet një dëshmi e fuqisë transformuese të artit, që nga boshllëku dhe mungesa arrin të artikulojë një akt të plotë estetik, ritual dhe shoqëror.
