Mehmet Kraja nderohet me Çmimin për vepër jetësore “Azem Shkreli”

Shkrimtari Ag Apolloni është shpërblyer me Çmimin për veprën më të mirë në prozë “Anton Pashku”, për librin “Një fije shprese, një fije shkrepëse”, kurse Blerina Rogova – Gaxha me Çmimin për veprën më të mirë në poezi “Ali Podrimja”, për përmbledhjen “Thasë”. Me Çmimin për veprën më të mirë në kritikë letrare dhe eseistikë “Ibrahim Rugova” u shpërblye Agron Shala për librin “Dekalogu”, me Çmimin për veprën më të mirë për fëmijë dhe të rinj “Vehbi Kika” u shpërblye Nexhat Halimaj me veprën “I vetëm në mal”. Çmimin për veprën më të mirë të përkthyer në gjuhën shqipe “Pjetër Bogdani” e ndanë Fatbardha Statovci dhe Teuta Blakqori

Për nder të 13-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Republikës së Kosovës ka ndarë Çmimin Kombëtar Letrar për vepër jetësore “Azem Shkreli” dhe çmimet vjetore për letërsi.
Çmimin për vepër jetësore “Azem Shkreli”, MKRS-ja ia ka ndarë shkrimtarit, njëherit kryetarit të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, Mehmet Kraja.
Shkrimtari Ag Apolloni është shpërblyer me Çmimin për veprën më të mirë në prozë “Anton Pashku”, për librin “Një fije shprese, një fije shkrepëse”, kurse Blerina Rogova – Gaxha me Çmimin për veprën më të mirë në poezi “Ali Podrimja”, për përmbledhjen “Thasë”.
Juria profesionale e përbërë nga pesë anëtarë: Nysret Krasniqi, Dije Demiri – Frangu, Anton Berisha, Xhevat Syla dhe Fazli Gajraku ndau edhe disa çmime të tjera. Kështu, me Çmimin për veprën më të mirë në kritikë letrare dhe eseistikë “Ibrahim Rugova” u shpërblye Agron Shala për librin “Dekalogu”, me Çmimin për veprën më të mirë për fëmijë dhe të rinj “Vehbi Kika” u shpërblye Nexhat Halimaj me veprën “I vetëm në mal”. Çmimin për veprën më të mirë të përkthyer në gjuhën shqipe “Pjetër Bogdani” e ndanë Fatbardha Statovci dhe Teuta Blakqori. Statovci për veprën “Rasti i çuditshëm i Benxhamin Button” dhe Blakqori për veprën “Vogëlushja”.
Çmimet janë ndarë nga ministrja në detyrë Vlora Dumoshi, e cila ka thënë se përmes letërsisë është shpërfaqur identiteti ynë kombëtar.
“Nuk është e rastësishme që e kemi caktuar këtë ditë për ta ndarë këtë çmim. Letërsia është shtetndërtimi i Kosovës. Gjithmonë e kemi shpërfaqur identitetin tonë kombëtar përmes letërsisë, vargut dhe prozës”, ka thënë ajo.
Ndërsa, fituesi i Çmimit Kombëtar Letrar për vepër jetësore, autori Mehmet Kraja, duke u shprehur falënderues, ka thënë se çmimet nuk e bëjnë letërsinë, por për ambientin e letërsisë kanë rëndësi.
“Uroj që vlerësimet që kanë dalë nga juria të jenë vlerësime reale. Çmimet nuk e bëjnë letërsinë, por për ambientin e letërsisë kanë rëndësi”, ka thënë ai.
(Kohapress)

Të fundit

më të lexuarat