Tuz – Adhuruesit e muzikës klasike, patën mundësi të argëtohen të premtën mbrëma në QKI “Malësia” me interpretimin mjeshtëror dhe zërin brilant të sopranos së njohur Gjylie Pelingu, shoqëruar në piano nga Fatime Buzuku dhe në fizarmonikë nga Jozo Jakoviq.
Kjo mbrëmje muzikore solli atmosferë të këndshme tek të pranishmit, të cilët për më shumë se një orë u dëfryen me këngë të njohura klasike shqiptare dhe të huaja, nga repertori i pasur muzikor i sopranos Pelingu.
Në fund të këtij koncerti solistik, sopranoja e njohur Gjylie Pelingu në një prononcim për gazetën “Koha Javore”, tregon se muzika për të është gjithçka, sepse ajo, gjithë jetën ia ka kushtuar muzikës.
“Muzikën e kam filluar që në moshën gjashtë vjeçare, kështu që muzika ka një rol shumë të madh në jetën time”, shprehet Pelingu.
E pyetur nëse ky zhanër muzikor vlerësohet tek ne aq sa do të duhej, Pelingu tha se kjo muzikë duhet vlerësuar më tepër, sepse kjo lloj muzike ka peshë, “kështu që edhe vetë artistët që e prodhojnë këtë muzikë, duhet vlerësuar më shumë”, tha ajo.
Ky është koncerti i dytë solistik në Tuz i këngëtares Gjulie Pelingu, ndërsa u organizua nga Sekretariati për Vetëqeverisje Lokale i Komunës së Tuzit.
t. u.
