E dielë, ditë shtatori me diell. Ishim në grykën e Bunës me Hajro Ulqinakun, Gazmend Çitakun dhe Jaho Kollarin.
“Këtu isht deti më i bukur se çdo kejt”, foli Hajro Ulqinaku.
“ Do të bëjmë më vonë disa fotografi”, tha Gazmend Çitaku.
“Dikur, para shumë viteve kam punue në Adë, atëherë ishte drejtor Ali Peshku. Një herë e shpëtova një djalosh i cili u largue prej bregut të detit. Gjithmonë kam notue mirë”, ishin kujtimet e Jahos.
…
Jaho Kollari u lind në Ulqin. Shkollën fillore tetëvjeçare dhe të mesmen i përfundoi në vendlindje. Ka studiuar Gjuhën e letërsinë shqipe në Universitetin e Prishtinës.
Fëmijërinë e kaloi në pjesën e ullishtës, në Gjirin e Valdanosit. Deti, imagjinata e legjendave për Kronin e Zanave, për detarët dhe të kaluarën..
“Në rreth 200 metra nga uji, në fund të Ullishtës së Valdanosit në Ulqin, gjendet Kroni i Zanave. Rruga deri në këtë vend sot është praktikisht e pamundur, sepse e tërë kjo zonë është mbuluar nga shkurret dhe kaçubat, gjë që akoma më shumë i jep Kronit të Zanave kuptim mitik.
Edhe vetë toponimi i Valdanosit që e ka prejardhjen nga “Vallja e nuses”, që ka edhe kuptimin e valles së sirenës, zanës. Ulqinakët në raste stuhie i largonin anijet e veta në këtë “gji të qetësisë”, ku natën, ata që qëndronin atje, dëgjonin dhe kënaqeshin me muzikën e zanave. Ekziston po ashtu legjenda se në shpellë mbas Kronit të Zanave, zanat edhe sot ruajnë thesarin e mbretëreshës ilire Teuta”.
Jaho flet për një ngjarje:
“Profesori i gjuhës shqipe ka pasur metodë të mirë, na ka shpërnda libra disave nga ne nxënësit. Mua më takoi një libër me poezi. Nuk e lexova aspak. Duke ecur këmbë prej Valdanosit ku kemi jetuar atëherë, e shkrova një vjerësh-poezi si edhe një tregim.
Në orën e gjuhës shqipe profesori më qiti në tabelë dhe më tha të flas për vjershën të cilën e kam pasur për detyrë që ta lexoj dhe ta komentoj. Isha i habitur, por pas pak kohe mora guxim dhe recitova poezinë time “ Vallja e maringonave “si edhe prozën time.
Profesori mbeti i fascinuar, më lavdëroo. Por ai nuk e ka ditur se kjo ishte poezia dhe proza ime”.
Budije Karamanaga ( 1949) :” Kam qenë arsimtare në shkollën fillore. Jaho Kollari ishte në klasën time. Ai ishte nxënës shumë i mirë, posaçërisht ka pasur interesim për biologji dhe kimi. Atëherë ka jetua në Valdanas dhe çdo ditë ka ardhur në këmbë prej atje”.
Në vitin 1992 kur ishte lufta në Ish-Jugosllavinë , papunësia e detyroi Jahon që të emigrojë në Suedi. Atje qëndroi 11 vjet deri në vitin 2003, kur kaloi në Gjermani në një vend afër Shtutgardit.
“Në Suedi kam mësuar gjuhën suedeze, kam lexuar dhe mësuar shumë, kam filluar të merrem me letërësi. Jeta nuk ka qenë e lehtë”. Janë kujtimet e Jahos për ato kohëra.
…
Për Jaho Kollarin kam dëgjua prej Hajros dhe Gazmendit. Ishte tash emër i njohur në letërsinë tonë shqiptare.
Në vitin 2007 ishte në Tabje, në Kala përurimi i librit tim “Në derë të oborrit”. Pas përurimit Jahoja më tha:
“Këto gja për çka je duke shkrue kanë vlerësi të madhe për ne, vazhdo kështu, të lumtë..”
Këto ditë doli nga shtypi antalogjia e Hajro Ulqinakut “Degë e trungut të urtë”. Për gazetën “Koha Javore” kam shkruar:
“ Duke e vlerësuar lart botimin e kësaj antologjie, mund të konstatohet se të gjithë autorët aty e kanë vendin e vet. Por, mbetet vërejtja se ka pasur edhe shkrimtarë të tjerë të cilët e kanë pasur vendin në këtë antologji. Kësaj radhe do ta përmend vetëm një emër shumë të rëndësishëm në letërsinë shqiptare. Bëhet fjalë për Jaho Kollarin”.
Në recensionin për librin tim “Mullini i erës”, mes të tjerash Jaho Kollari shkruan:
“Libri “Mullini i Erës” (që fare lehtë mund të mbajë edhe titullin: Barka me Vela, që sigurisht paraqet një traditë tonën të këputur), i Gani Karamanagës mbase nuk paraqet një histori aq të veçantë, por e veçanta e gjithë kësaj është se, në tekstet e veta, ky autor Ulqinin me rrethinë në vazhdimësi e nxjerr të goditur nga tërmetet! Në këtë rast, në rend të parë, nuk mendohej në lëkundje seizmike; por ka qenë vazhdimisht i goditur nga tërmetet demografike. Kjo hemoragji e gjakut të arbrit, si masovike sikurse edhe e pjesërishme, nuk ka të reshtur. Tërmeti, si tërmet, ndjehej me lëkundje që të tmerron, porse kur ngjajnë tërmete shoqërore (trazira, luftra, epidemi…) popullata edhe më shumë shqetësohet, si rrjedhojë vjen deri te zhvendosja, ikja, arratisja… braktisej, pra, trualli i të parëve. Toka e vet e padroni i huaj, një realitet i hidhur ndër shqiptarë këtu e gjersa dihej për vete.
O, si nuk kam një grusht të fortë
t´i bie mu në zemër hallit…
Hallit që na ka mbërthyer shpirtin tonë paqedashës. Dy vargjet e fuqishme (pak të modifikuara) të Migjenit të madh, i cili si i brishtë (fizikisht) që ishte shprehet përmes penës me një fuqi të pazakontë. A na mungon kjo sot; kjo fuqi që na bën tok, të mos braktisej trualli i stërgjyshit!?”
Jaho Kollari vjen dy – tri herë në vit në Ulqin me krejt familjen.
Në pyetjen time si punon dhe jeton në Gjermani, ai shprehet:
“Punën e kam të mirë, nuk ka lidhje me shkrime dhe letërsi, punoj në një kompani për kontrollimin e medikamentave”.
U takuam përsëri në kafenenë “Bonita”.
Biseda ishte lidhur me angazhimet tona në letërësi. I tregova Jahos se kam në punim dy projekte: “Kulla e Beqirbegut” dhe “Mërgimtar”.
“Tash, ti ke formua një emër, njërëzit u referohen shkrimeve tua.. Mendimi im është që të vazhdosh të shkruash për ngjarjet e dikurshme në Kalanë e Ulqinit… Materiale ka, duhet të përderohet edhe imagjinata, tu afrohet lexuesve historia e dikurshme, ngjarjet…”.
Jahoja mi tregoi fotografitë e dy shëpive të tij në Ulqin. Njëra ishte e re, e tjetra e vjetër e adaptuar, e renovuar me pamje të dikurshme.
“Më pëlqen kjo vjetra. Më e bukur, si ka qenë dikur, kja e reja shihet gjithandej”.
Ishte mendimi im.
Para se të ndaheshim , mi dhuroi dy librat e tij të parë :”Terapia” (1997) dhe “Lidhja me suturë”(1999).
Jahoja të shtunën kthehet në Gjermani. Do të vijë shpejt në Ulqin.
Shtojcë
Biografi e shkurtër
Jaho Kollari u lind në Ulqin (1961).
Shkollën fillore si dhe atë të mesme i kreu në vendlindje. Studioi në Prishtinë, ku edhe filloi të merret me shkrime. Botoi atëbotë poezi nëpër revista të ndryshme, e më vonë edhe librin e parë.
Shkruan poezi dhe prozë, sikurse edhe recensione e kritika letrare.
Jeton dhe vepron në diasporë.
Veprat:
“Shtëpia në mes Ullinjve” (poezi), Rilindja, Prishtinë 1988;
“Terapia” (prozë), Art Club, Ulqin 1997;
“Lidhja me suturë” (prozë), Art Club, Ulqin 1999;
“Plusquamperfekti” (prozë), Ulqini, Ulqin 2013;
“Poeti i Mijëvjeçarit të Tretë” (poezi), Ulqini, Ulqin 2014;
“Prokrastinacioni” (poezi), Ulqini, Ulqin 2015”
“18+” (prozë), Ulqini, Ulqin 2016;
“Ulqinication”(prozë), Ulqini, Ulqin 2020.Në fund
Në Qafë Larin ( ishte emri i parë për Mahallën e Re të Ulqinit) jetojnë krijuesit:
Asllan Bisha, Lumnije Bisha, Sami Misherri, Jusuf Lika, Maksut Haxhibrahimi, Mustafë Canka, Skender Osmani, Jovan dhe Andrej Nikolaidisi, Gazmend Çitaku dhe Jaho Kollari
( Nga libri në dorëshkrim “Mërgimtar”)
Gani Karamanaga
