Mbrëmje argëtuesekushtuar bashkatdhetarëve që jetojnë në mërgim

“Ndër vite në këtë koncert ka pasur pjesëmarrës të shumtë, si këngëtarë dhe shoqata kulturore- artistike nga Malësia, ashtu edhe nga trojet tjera shqiptare. Si gjithmonë publiku i ka pritur shumë mirë të gjitha aktivitetet që kemi organizuar deri më tani në skenën verore këtu në Milesh” tha drejtori artistik i SHKA-së “Liria”, Emin Palaj

Shoqëria Kulturore- Artistike “Liria” në bashkëpunim me QKI “Malësia” në Tuz, organizoi të mërkurën (31 korrik 2024) në Milesh koncertin vjetor tashmë tradicional “Diaspora me ne”, i cili u kushtohet bashkatdhetarëve tanë që jetojnë në shtete të ndryshme të botës e që gjatë sezonit të verës e vizitojnë vendlindjen e tyre, Malësinë.
Në këtë koncert performuan para një publiku të madh, anëtarët e SHKA-së “Liria” dhe mysafirët e ftuar të kësaj mbrëmjeje, SHKA “Koha”- Dinoshë dhe SHKA “Ramadan Sharkiq”- Tuz të cilët sollën një atmosferë të këndshme në skenën e hapur në Milesh.
Drejtori artistik i SHKA-së “Liria”, Emin Palaj, në prononcimin e tij për gazetën “Koha javore” shprehet se ideja për organizimin e këtij koncerti kishte qëllim që të bashkojë në një vend veçanërisht diasporën, por dhe krejt Malësinë, për t’i argëtuar me këngë dhe valle folklorike shqiptare.
“Ndër vite në këtë koncert ka pasur pjesëmarrës të shumtë, si këngëtarë dhe shoqata kulturore- artistike nga Malësia, ashtu edhe nga trojet tjera shqiptare. Si gjithmonë publiku i ka pritur shumë mirë të gjitha aktivitetet që kemi organizuar deri më tani në skenën verore këtu në Milesh” tha drejtori artistik i SHKA-së “Liria”, Emin Palaj.
Ai shton se synimi kryesor i këtij organizimi të përvitshëm është, ruajtja e kulturës tonë të lashtë, veshja kombëtare, këngët dhe vallet shqipe.
“Shpresoj se do të vazhdojmë edhe vitin tjetër që ta organizojmë këtë koncert, me qëllim që t’i ruajmë vlerat tona kombëtare, të dëgjohet kënga dhe vallja shqiptare, dhe t’i bashkojmë rininë e diasporës dhe të Malësisë tonë”, përfundoi, Palaj.

t. u.

Të fundit

më të lexuarat