Ky roman përbën një stad zhvillimor në veprimtarinë e autorit, një rritje artistike, që pasqyrohet në gjetjet e guximshme, në përzgjedhje dhe përdorim mjeshtëror të teknikave letrare dhe në një forcë shprehëse, sintetizim mendimi dhe përvijime situatash e personazhesh si realitete dhe fiksione artistike
Zija Vukaj
Shenjat e një guximi letrar autori Mark Lucgjonaj i ka shfaqur qysh në romanin e tij të parë “Fshati i heshtjes”; e tani kemi përpara një vepër që të provokon intelektin, jo më me analizat e procedimeve klasike, mbështetur në aftësitë riprodhuese të realitetit e pse jo edhe në teknikat tipizuese të skenave dhe të personazheve, të pamjeve mbresëlënëse dhe melodramave të jetës, të kthyera në melodrama artistike; por me rrymën e fuqishme të fiksionit dhe të elementëve konvencionalë që krijon shkrimtari i guximshëm për lexuesin e guximshëm. Para veprave dhe kuturisjeve të tilla, analistët dhe estetët vrasin mendjen dhe torturohen në sprova taksonomike, të gjasshme për t’i klasifikuar e kanalizuar në rryma e zhanre, në moderne apo postmoderne, në reale apo surreale etj.
Mendoj se përpjekja për të standardizuar artin, për ta kthyer mendimin kritik në shkencë ekzakte, është një përpjekje pa fryt, që çon në keqkuptime, në mbingarkesa terminologjike, në klishe që thajnë dhe paralizojnë origjinalitetin dhe perceptimin vetanak të veprës. Vetë Umberto Eko, një nga eruditët planetarë më të spikatur, thoshte: “Unë nuk e kuptoj termin ‘postmodern’”. Së këtejmi mendoj se lexuesi është një entitet po aq i rëndësishëm sa edhe krijuesi.
Në procesin e çdo komunikimi, qoftë ky edhe artistik, dhënësi (romancieri) dhe marrësi (lexuesi) kanë të njëjtën rëndësi, pasi nuk mund të imagjinohet njëri pa tjetrin. Në rastin tonë, të këtij romani me titull “Ligji i maskave”, lexuesi futet vetë në lexim dhe meditim. Dhe hyrja në këtë galeri është në fillim e thjeshtë, e lehtë. Rruga për të hyrë është ajo e zakonshmja, e njohura, tradicionalja. Thuajse lineare. Nyjëza të vogla narrative që ndjekin hapat apatikë të protagonistit Aleksandër (alterego e autorit), në një hapësirë ku ndodhin gjëra fare të vogla, nën diktatin e një kotësie ekzistenciale afër spleen-it bodlerian. Jetë province, njerëz të vegjël, probleme të vogla, statueta njerëzore të projektuara qysh në kohëra të hershme, nën një dekor po aq të hershëm e stereotipik. “Aroma e kotësisë po i mbyste të gjithë, ndërsa një amulli ndihej kudo.”
Më gjerësisht mund ta lexoni në numrin “786” të revistës Koha Javore
