Martesat e shqiptarëve në mërgim ndër vite

Prindërit pothuajse kanë humbur ndikimin dhe në raste të rralla ata mund të bëjnë zgjidhjet për pasardhësit e tyre. Realiteti po thellohet në vetëdijen e të gjithë atyre që jetojmë jashtë vendlindjes. Sido që të jetë, kjo ishte e paevitueshme. Sado që do kalonte kohë, ëndrrat fillojnë e zbehen, asimilimi në shumicën e rasteve është i pashmangshëm

Haxhi Zeneli

Ishin vitet e 80 ,ku shumë shqiptar nga kushtet të rënda ekonomike dhe politike që kishte krijuar ish shteti Jugosllav, filluan të shpërngulen me të madhe nga trojet e tyre me [rast një pjesë e madhe e tyre përfunduan në Sh.B.A. Emigrimi i shqiptarëve është trajtuar shpesh herë, por nuk është trajtuar sa duhet jeta e tyre sociale, e sidomos lidhjet martesore në ato vende ku ata kanë shkuar për të jetuar.
Unë si një protagonist i kohës kam marr pjesë në shumë ceremoni familjare: dasma, ahengje dhe organizime të ndryshme të shqiptarëve. Kam ndjekur për së afërmi këto rrjedha të lidhjeve të tyre ndër vite. Për shembull siç ishin martesat, fejesat, gëzime të tjera familjare dhe nëse krahasojmë vitet e 80, me atë të sotmen, mund të konstatojmë se kanë pësuar ndryshime, por megjithatë mendojë se baza e kësaj nuk ka ndryshuar shumë. Shqiptarët ende mundohen ti qëndrojnë besnik traditave të tyre, por në anën tjetër kjo nuk varet krejtësisht nga vullneti i tyre.
Është e vërtetë se ato vite kontaktet e shqiptarëve me njëri tjetrin ishin tradicionalisht më të lidhura, çka do të thotë se shqiptarët fizikisht ishin më afër. Në atë kohë shqiptarëve nuk ju kalonte ndonjë fund jave që ata nuk vizitonin familjarisht njëri tjetërin. Kështu që këto vizita të shpeshta lehtësonte edhe njohjet e të rinjve me njëri tjetrin. Mbase vendi më i përshtatshëm për tu takuar apo më mirë të themi për tu parë dhe njohur ishin pikërisht këto takime familjare. Megjithatë, një meritë për njohje ishin edhe dasmat dhe festat të ndryshme që organizoheshin nga vetë shqiptarët.
Në atë kohë ka pasur raste që prindërit i fejonin vajzat në moshë relativisht shumë të re(14 vjeçare).Kjo ndodhte për disa arsye, por ajo më kryesorja ishte frika që mos tu lejohet shumë hapësirë kohore që fëmijët e tyre të njoftonin njerëz jashtë komunitetit shqiptar dhe sipas traditës shqiptarët nuk martoheshin me kombet të tjera. Kjo mund të ndodhte, por ishin raste të rralla. Martesat bëheshin në mënyra më tradicionale. Nga ana e djalit nisej ndërmjetësi(shkuesi),një traditë kjo e bartur që nga vendlindja e tyre,për të kërkuar dorën e ndonjë vajze që prindërit e pëlqenin. Shumica e këtyre martesa bëheshin në rrethe të ngushta krahinore, kurse për martesat jashtë krahinës së tyre mbase kishte edhe paragjykime nëse dikush lidhësh me ndonjë vajzë jashtë krahinës që ata i takonin si për shembull nga: Kosova, Maqedonia, Shqipëria e vende të tjera shqiptare. Ndërsa sot pothuajse ky fenomen është në zhdukje për shumë arsye. Sot të rinjtë shqiptar që kanë lindur në Amerikë nuk kanë paragjykime si prindërit e tyre dikur, bile atyre nuk u intereson kjo fare. Në këtë drejtim është bërë një ndërgjegjësim tek shumica e fëmijëve të tyre, duke i lënë pasë paragjykimet krahinore të prindërve.
Kuptohet se për ta ndryshuar gjendjen këtu ka luajtur një rol edhe teknologjia, me hyrjen mediave sociale(F.B dhe Instigram, kanë mundësuar edhe me shumë në zhdukjen e mentalitetit lokalist tek shumica e shqiptarëve). Në të vërtetë të rinjtë nuk ndalojnë me kaq, ato sot kanë filluar ti kalojë edhe kufijtë e nacionalitetit të tyre shqiptar. Të rinjtë nuk kufizohen vetëm tek kombësia e prindërve të tyre. Gjeneratat e reja kanë filluar të bëhen pjesë e “kazanit të shkrirjes”, duke u integruar edhe me nacionalitetet jo shqiptare. Sot prindërit shqiptar janë të shqetësuar dhe të preokupuar përball këtij fenomeni se me kënd po lidhën sot fëmijët e tyre?
Prindërit pothuajse kanë humbur ndikimin dhe në raste të rralla ata mund të bëjnë zgjidhjet për pasardhësit e tyre. Realiteti po thellohet në vetëdijen e të gjithë atyre që jetojmë jashtë vendlindjes. Si do që të jetë kjo ishte e pa evitueshme. Sa do që do kalonte kohë ëndrrat fillojnë e zbehen, asimilimi në shumicën e rasteve është i pa shmangshëm. Ndoshta dikush ka mundësi të ruajë një gjeneratë apo dy, por jo më shumë se aq. Zinxhiri ka filluar të këputët, hallka nuk ka fuqi ta mbajë më, ajo po zgjerohet.
Braktisja e vendlindjes ka çmim e vetë, qoftë ajo me dëshirë apo pa dëshirë kjo s’ka rëndësi fare. E vërteta është se ti do të shkrihesh në një komb të ri, në atë amerikan, i formuar para 250 viteve duke lënë kombin tënd mijëravjeçar. Ky është realiteti i çdo shqiptari që këtu në këtë vend ,pa marr parasysh se si ai e arsyeton gjendjen e tij, ky është realiteti i emigrantit në “tokën e premtuar, që ka ikur për një jetë më të mirë”.
Mërgimtari shpresat nuk i humbë asnjëherë, se ai një ditë do kthehet aty ku ka lindur, pa e kuptuar edhe një realitet të ri se rrënjët i ka shkulur për ti mbjellë në tjetër vend.

Të fundit

më të lexuarat