
Klima e butë gjatë gjithë vitit si dhe mbi 218 ditë me diell kanë bërë që Ulqini të jetë një ambient në të cilin mund të kultivohen bimë të llojllojshme. Një e tillë interesante që tërheq vëmendjen me pamjen dhe vetitë e veta është Maranxha.
Maranxha është një bimë e cila gjatë gjithë vitit është e gjelbër. Trungu i saj arrin trashësinë deri në 80cm kurse në lartësi shkon 3-5m. Të veçantë këtë bimë e bën edhe vetia e saj që njëkohësisht ajo ka edhe lule por edhe fruta. Ky fenomen shpjegohet asisoj, se fruta e maranxhës nuk piqet menjëherë por e ka procesin pothuaj njëvjeçar. Andaj, ky është edhe shkaku se njëkohësisht në këtë pemë mund të shohësh edhe lule edhe fruta. Frutat në fillim kanë ngjyrë të gjelbër, pastaj të verdhë dhe kur piqen kthehen në të kuqërremtë. Frutat arrijnë madhësinë deri në 2,5 cm. Maranxha është bimë tipike mediterane dhe shtrihet në tërë Mesdheun duke filluar që nga: Portugalia, Spanja, jugu i Francës, Italia, Sllovenia, Kroacia, Mali i Zi, Shqipëria, Greqia, Turqia, Izraeli, Palestina, Jordani, Libani, Siria dhe vendet e Magrebit. Kurse në Ulqin është e shpërndarë gjithandej, por më së shumti e gjejmë në malin e Mavrianit, nga ana e detit, e që shtrihet deri në Krruç. Gjithashtu e gjejmë edhe në Valdanos, Bashbylyk e Mendër.
Emërtimi latin është “Arbutus unedo” dhe i përket familjes së bimëve Ericaceae. Në gjuhën shqipe e gjejmë me disa emërtime si p.sh.: në Ulqin e quajmë maranxhë, në Durrës – mare, në Fier – marezë. Por, ia vlen të përmendim se maranxhën në gjuhën shqipe e hasim edhe në variantet: kucumare, koçimare etj. Emërtimi në gjuhën latine i nënshkruhet Plini Plakut i cili ka thënë “Unum tantum edo” e që kur ta përkthejmë në gjuhën shqipe do të thotë “Unë ha vetëm një”. Këtë e ka thënë sepse kur frutat janë të pjekura ato janë shumë të shijshme, mirëpo në vete përmbajnë sasi të madhe të metil-alkoolit i cili mund të shkaktojë turbullim të mendjes “dehje”. Andaj edhe preferohet që të hahen vetëm 3-5 kokrra.
Lidhur me maranxhën kujtoj tregimin e nënës time, e cila tregon se si kur ishte fëmijë kishte mësuar për maranxhën. Një ditë deri sa nëna ime si e vogël ishte duke u kujdesur për vëllain dhe motrën e vogël, për vizitë i kishte ardhur nenja e saj dhe me këtë rast kishte sjellë një tas me maranxha. Meqë gjyshja ime nuk ishte në shtëpi, por vetëm fëmijët, ajo nuk ndenji por e la tasin plot me maranxha. Nëna ime, atëherë, duke mos ditur se çka janë këto frute ngjyrë të kuqe kishte ngrënë kush e din se sa kokrra dhe të nesërmen kishte gjetur veten duke fjetur në shtrat dhe asgjë nuk i kujtohej. Nëna e vet e kishte qortuar atëbotë dhe nga ajo kohë nuk kishte ngrënë më më shumë se 2 kokrra.
Pra, këto fruta janë shumë të shijshme, plot sheqer dhe metil-alkohol andaj edhe nëse konsumon më shumë fruta të shkakton gjendjen e dehur. Andaj kujdes.
Siç u përmend edhe më lart për këtë frutë është shkruar që në antikitet. Ndër të parët që e përmendin është Theophrasti (shek. IV p.e.re) e që atëherë ai e quante Andrachne, si dhe Pedanios Dioscoriedes (De materia medica, Libri II-150). Plini Plaku jepte këshilla që mos të mbillet afër hojeve të bletëve për shkak të hidhësisë që i jep mjaltit. Gjithashtu poeti romak Ovidi e përmend këtë pemë në Librin I, 89-112.
Në Spanjë, konkretisht Madrid, si kryeqyteti i saj, stema dhe flamuri për simbole kanë ariun dhe drurin e maranxhës (El oso y el madroño).
Maranxha i atribuohet edhe flamurit të Italisë pas unifikimit të saj në shekullin XIX. Duke u bazuar në shumë autorë italianë, pra, ngjyrat e flamurit të Italisë shpjegohen përmes ngjyrave të maranxhës në këtë mënyrë: e gjelbra simbolizon gjethet e saja, e bardha – lulet, kurse e kuqja frutën e pjekur të maranxhës (Il corbezzolo simbolo dell’Unita d’Italia. Una specie che resiste agli incendi).
Maranxha është shumë e pasur edhe me vlera ushqyese. Kësisoj, një kokërr e maranxhës së pjekur përmban: vitamin C, fibra dietale, pektin, sheqer, kalium, kalcium, magnezium, natrium, hekur, zink, bakër etj. Këto fruta edhe pse të shijshme nuk pëlqehen nga të gjithë. Shija e saj specifike vjen nga koncentrimi i madh i sheqerit (fruktoza) që në kulmin e pjekjes jep shije të ëmbël dhe të thartë njëkohësisht. Preferohet të konsumohen kur janë të pjekura pra, kur kanë ngjyrë të kuqe dhe janë të buta në prekje.
Kjo frutë gjithashtu ka edhe veti shëruese. Banorët e Mesdheut shumë e përdorin edhe në gastronomi kurse gjethi i saj shërben si ilaç për një varg sëmundjesh. Çaji nga gjethi i maranxhës përdoret te sëmundja e sheqerit, vështirësitë me prostatën dhe kanalet e urinimit si dhe për reumatizëm. Sipas hulumtimeve të fundit janë zbuluar edhe shumë veti tjera shëruese.
Në gastronomi më së shumti e hasim në formë të xhemit si dhe likerëve aromatikë. Në Shqipëri është e njohur rakia kocimare, në Portugali është e njohur pija Mendrohno kurse në Greqi Tsipouro. Gjithashtu përdoret edhe në kozmetikë si përbërës shtesë për kremrat e fytyrës me vetitë e saj për parandalimin e njollave.
Në Ulqin druri i saj përdoret edhe si lëndë djegëse. Shpeshherë e hasim në grumbullin e drurëve për djegie por nuk është shumë e preferuar. Një veti interesante e saj është se po ta hedhësh drurin në det, ajo fundoset menjëherë. Dendësia e bën të fortë dhe të rëndë andaj edhe fundoset.
Fruta e maranxhës fillon të piqet në fund të shtatorit dhe vetëm frutat e buta dhe me ngjyrë të kuqe janë të gatshme për konsumim. Por, kujdes, mos konsumoni më shumë se 5 kokrra!
