Manifestimi madhështor në krajë

Ali Gjeçbritaj

Manifestimi gjthëpopullor “Festa e verës”, u mbajt të martën më 30 korrik 2024 në qendrën e Krajës Ostros. Kësaj radhe u titullua “Vera në Krajë”. Organizator i manifestimit ishte Lidhja Demokratike në Mal të Zi siç ka qenë gjithmonë si sot e gjithë ditën që nga viti 1993 kur është organizuar manifestimi i parë. Që nga ajo kohë në vazhdimësi është mbajtur ky manifestim gjithëpopullor në këtë trevë. Pra, këtu e tridhjetë i një vjet me radhë. Fesa e Krajës është manifestimi i parë i këtij lloji i organizuar në trevat shqiptare në Malin e Zi, mbase edhe i pari në gjithë trojet shqiptare. Manifestimi i sivjetmë u gërshetua, krahas fjalëve përshëndetëse të organizatorit me këngë, valle, poezi, humor, histori…
Në manifestim përshëndeti dhe foli në fillim z. Mehmet Bardhi, kryetari legjendar i subjektit të parë shqiptar – Lidhjes Demokratike në Mal të Zi, tash kryetar nderi i LDnëMZ. Ai ndër të tjera në fjalën e tij foli për rrjedhat e këtij manifestim ndër vite. Bardhi ndër të tjera tha: “Tash posaçërisht kam një apel, porosi për bashkatdhetarët tanë që jetojnë e punojnë jashtë Krajës, që janë diku rreth tri të katërtat e Krajës: Mos e harroni Krajën, vendin tuaj, votrat e gjyshave e stërgjyshave, themelet e shtëpive dhe varret e të parëve tonë. Ndërtoni e rindërtoni, mbani shtëpitë, sillni brenda mundësive familjarët tuaj që ndërrojnë jetë, se Kraja po zbrazet. E ju e dini se po t’i lëmë zbrazët, historia na ka mësuar, i huaji mezi pret të hyjë brenda në këtë tokë të bekuar, për të cilën poeti jonë i Rilindjes kombëtare Ndre Mjeda, për Krajën e krajanët shkroi vargjet tashmë shumë të njohura , në këngën e tretë të poemës “Skodra”,
Difto si grigjen nëpër shpat kur l’shote Me l’kur’ harushet vesh’ e njesh’ barija, Gjith rrotull Krajës e kah merr Rumija Kumbim trokash mbi troje tingllote;”
Në fund të fjalës së tij ai shtoi “Dhe krejt në fund nga ky manifestim edhe sivjet u bëjmë apel dhe kërkojmë nga Qeveria e Malit të Zi që ta na çlirojnë majën e malit tonë legjendar Rumisë, të cilën e okupoi Kisha Serbe, ta dislokojnë objektin metalik objektin në formë kishe, të cilën e vendosën me helikopterët e ushtrisë së Serbisë e Malit të Zi, më 18 qershor 2005, që më vonë e rrethuan me gurë dhe e cila vazhdimisht po kërcënon paqen e kësaj treve shqiptare, po kërcënon këto troje paqedashëse.
Përshëndeti manifestimin edhe Ali Gjeçbritaj i cili për më shumë se njëzet vjet ka qenë në krye të Këshillit Organizator të Festës së Krajës. Ai në fjalën e tij mes tjerash vuri në pah dhe tha: “Studiuesit thonë se autori i “Buzukut” ka jetuar dhe vepruar në trekëndëshin Shkodër, Ulqin, Tivar. Thonë se vepra e parë shqip “Meshari” e ka shkruar në Brisk të Poshtë ku edhe ka shërbyer. Unë po ju rikujtoj se në manifestimin e dytë më 13.06.1994, në Arbnesh kryetarët e bashkive të trekëndëshit që përmenda më parë, Filip Guraziu, kryetar i Bashkisë së Shkodrës, Mehmet Bardhi, kryetar i Ulqinit dhe Zarija Lekiq, kryetar i Tivarit janë takuar për herë të parë në manifestim në Arbnesh. Më një fjalë, tri qytete shqiptare për herë të parë në histori takohen në një lokalitet që mban një emër të veçantë në gjithë truallin Iliro-arbërorë, Arbnesh. Andaj manifestimi në Krajë ka një histori të posaçme. Rrënjët e tij janë nga lashtësia. Straboni thotë rumianët, ai kështu i quan krajanët, festojnë festën e vet të Shën Merisë së verës”, festën e të korrurave.
Në emër të forumit rinor të LDnëMZ manifestuesit i përshëndeti Taulant Gjeçbritaj i cili mes tjerash u shpreh: “Ky organizim ka një domethënie të gjerë e të thellë për ta ruajtur kulturën, historinë e gjuhën tonë të bukur shqipe. Është pra edhe një vazhdimësi e ruajtjes së themeleve tona shqiptare, traditave tona të pasura e të lashta sa edhe vetë populli shqiptar”.
Kryetari i LDnëMZ Saubih Mehmeti në fjalën përshëndetëse mes tjerash tha: “Edhe pse nuk është koha për fjalime, pasi që këto takime duhet t’i shfrytëzojmë për biseda miqësore e vëllazërore mes njëri-tjetrit, të argëtimit e të shijuarit të vendlindjes dhe bukurive natyrore që zbresin nga maja e Rumisë përshkojnë të gjitha fshatrat e zonës së Krajës, prej Shestanit, Gjuraçit e Muriqit, Besit e Ljares, Briskut e Ftjanit, Boboshtit, Sjerçit, Runjit e Kështenjës, Ostrosit, Arbneshit, Skjeit e deri në majë të Shtegvashës për të përfunduar në brigjet e bukura , magjepsëse e unike të liqenit të Shkodrës, e gjithë kjo e mbështjellë me ngrohtësinë dhe bujarinë e familjeve krajane, por është e nevojshme dhe unë dua që edhe disa ngjarje t’i rikthejmë në kujtesën tonë”. Pas fjalëve të rastit dhe përshëndetjeve të organizatorit në skenë u ngjitën këngëtarë, instrumentistë, poetë e humoristë.
Këngëtarët: Myzafer Koliqi, Vesel Pelinku, Valdet Luka, Blerim Marshiqi, Amra Demiri, Ramazan Islami, Zan Bogdani dhe Ilir Gjeçbritaj i argëtuan manifestuesit me këngë të zgjedhura të cilat zgjuan emocione te publiku që e kishte mbushur qendrën e Ostrosit. Kënga dhe vallja nuk u ndërpre deri në mesnatë. Emocione të veçanta, pa asnjë dyshim shkëlqesinë manifestimit “Festa e Krajës” ia dha artistja dhe këngëtarja e mirënjohur na Kosova Vjollca Haxhiu e cila interpretoi këngët me të arrira nga repertori i saj i begatë.
Më këtë rast poetët vendas Ibrahim Berjashi, Ali Gjeçbritaj dhe Hajredin Kovaçi lexuan nga një poezi kushtuar vendlindjes të cilat u duartrokitën, ndërsa humoristët Shefqet Luca dhe Bashkim Alaj para manifestuesve u paraqitën me katër grimca humoristike.
Të kujtojmë se manifestimi “Në fillim të verës” nisi rrugëtimin e tij më 1993 për të vazhduar deri sot pa ndërprerje. Gjatë rrugëtimit tridhjetë e një vjeçar manifestimin e kanë nderuar me praninë e tyre personalitet të jetës kulturore, shoqërore, shkencore dhe diplomatë shqiptarë etj.. Diplomatët shqiptarë si Besnik Konçi, Shkëlzen Imaraj, Osman Kraja e të tjerë kanë begatuar e respektuar me pjesëmarrjen e tyre Krajën dhe manifestimin e saj. Aktorë të njohur të kinematografisë Tinka Kurti dhe Rikard Ljarja, aktorë të estradës së Shkodrës Paulin Preka, Zyliha Miloti, Drane Xhai, Besnik Çinari, Gëzim Kruja, Edmond Halili, Mërgim Muja etj., për shumë vjet kanë qenë pjesë e programit kulturor të manifestimit.
Në fillim të viteve 2000 manifestimi u pagëzua “Ditët e kulturës dhe të sportit në Krajë”, gjatë një periudhe mbi dhjetë vjeçare manifestimi ka zgjatur pothuaj një javë dhe ka pësuar ndryshime nga ai tradicionali, por duke mos iu shmangur për asnjë çast traditës popullore. Tashti për mrekulli janë gërshetuar bashkëkohorja dhe tradicionalja, ku ditë dhe natë të veçanta kanë pasur përmbajtje të ndryshme si bie fjala, mbrëmje letrare ku janë lexuar krijime letrare të autorëve shqiptarë, janë përuruar libra nga autorë vendas. Mysafirë në mbrëmje të këtilla kanë qënë Ali Podrimja, Fadil Kraja, Basri Çapriqi, Anton Gojçaj, Haxhi Shabani, Ibrahim Berjashi, Hajredin Kovaçi, Asllan Bisha, Lumnije Hoxha etj.. Për shumë vjet në kuadër të manifestimit janë shfaqur drama të autorëve shqiptarë si “Halili e Hajrija” e Kol Jakovës, “Jorgani” i Fadil Krajës, “Nita” e Josip Relës e shumë shfaqje tjera që ka dhënë grupi i dramës së shkollës në Ostros nën përkujdesjen e vazhdueshme të profesoreshës së Letërsisë dhe Gjuhës shqipe në atë kohë Aishe Gjeçbritaj. Janë organizuar edhe ekspozita të artit figurativ të piktorëve vendas e kështu me radhë.
Kujtoj se një ditë gjithmonë i është kushtuar sportit. Vlen të ceket se për shumë vjet është organizuar lundrimi nëpër liqen nga Moli i Skjesë deri në Zall të Muriqit (Kistrranjë) kur edhe janë mbajtur lojëra sportive në ujë si dhe dita ekologjike e mjedisit.
Në shkallët e manifestimit në Krajë janë ngjitur këngëtarë të njohur të estradës shqiptare Nikoll Nikprelaj, Çiljeta Xhilaga, Sinan Hoxha, Myzafer Koliqi, Vesel Pelingu e shumë të tjerë, pastaj shoqëri të shumta kuluro-artistike si “Kraja”, “Buzuku”, “Koha”, “Ana e Malit” etj..
Krahas anëtarëve të këshillit organizues duhet të përmenden pa asnjë dyshim dhe duhet falënderuar grupin muzikor “Albulena” dhe këngëtarët Myzafer Koliqi dhe Vesel Pelinku për kontributin e posaçëm në jetëgjatësinë këtij manifestimi.
Manifestimin e sivjetmë “Festa e verës në Krajë” e ndihmuan: Hamid Çoba, Njujork, Ardian Bardhi, Çikago, Liridon Mehmeti, Nju Jork, Avdyl Kraja, Nju Jork, Sabri Milla, Nju Jork, Mus Markashi, Nju Jork, Sait Gjenashi, Nju Jork.

Të fundit

më të lexuarat