Manifestimi jubilar u shënua me program të begatë kulturor

Pejë – Nën përkujdesjen e Ministrisë së Kulturës të Republikës së Kosovës, Ansambli Folklorik Autokton “Rugova” nga Rugova e Komunës së Pejës, të premten më 23 dhjetor 2022, në ambientin e Restorantit “Univers” në Pejë, në praninë e një numri të konsiderueshëm personalitetesh të shquara të jetës shtetërore e politike, shkencore e kulturore nga Komuna e Pejës dhe nga trojet etnike mbarëkombëtare shqiptare, me akademi solemne e shënoi dhe e kremtoi manifestimin jubilar 75-vjetorin e punës, të jetës dhe të rritës.
Programi i begatë dhe i larmishëm i manifestimit, filloi në orët e pasdrekës me fjalët përshëndetëse dhe mirëseardhëse të nikoqirit dhe vazhdoi me përurimin e librave: “Visare të trashëgimisë shpirtërore të Pejës me rrethinë I – Lojëra tradicionale të Rugovës, Sofra Pejane si vlerë autentike, Pleqnia në odat e anës së epërme të Rrafshit të Dukagjinit” dhe “Visare të trashëgimisë shpirtërore të Pejës me rrethinë II – Ansambli Folklorik Autokton ‘Rugova’, thesar i trashëgimisë kulturore shqiptare”, kryeredaktor dhe përgatitës për shtyp i të cilëve është epikologu i mirënjohur shqiptar, Prof. Dr. Zymer Ujkan Neziri, të botuara nga Qendra Rajonale e Trashëgimisë Kulturore – Pejë, mbi të cilat në mënyrë koncize e analitike elaboruan ca referues eminentë të zhanreve të ndryshme letrare shqipe, të cilët në fjalën e rastit përzemërsisht i falënderoi kryeredaktori i librave të përuruara, Prof. Dr. Zymer Ujkan Neziri, i cili të gjithë të pranishmit i përshëndeti dhe u uroi mirëseardhje dhe u shprehi mirënjohje për pjesëmarrje.
Programi i manifestimit solemn e jubilar, i gërshetuar me përformanca shumëpërfshirëse kulturore, artistike e muzikore, vazhdoi me shfaqjen e filmit dokumentar “Kanagjeqi në Rugovë” i autorit Fatos M. Lajçi dhe u përmbyll me koncertin festiv shumëpërmbajtësor disa orësh, në të cilin ishin të kyçur mbi 150 artistë profilesh të ndryshme dhe dhjetëra ansamble, SHKA dhe rapsodë nga trojet etnike shqiptare, ndër të cilët edhe anëtarët e Ansamblit Folklorik Autokton “Rugova”, të cilët me përformim të këngëve, valleve dhe shfaqjeve të tjera kulturore artistike e filluan koncertin.
Për të gjithë të pranishmit në ambientin e Restorantit “Univers” u organizua koktej rasti.

Shaban Hasangjekaj

Të fundit

më të lexuarat