Manifestim me vlera të shumta për kulturën e shqiptarëve të Rozhajës

Manifestimi “Ditët e shqipes në Rozhajë” filloi me defileun e grupit folklorik “Rugova” nëpër qendër të Rozhajës, ndërsa manifestimi qendror është mbajtur në sallën e madhe të Qendrës Kulturore në Rozhajë, e cila u mbush plot me dashamirë të librit, vendas dhe mysafirë të shumtë nga Ulqini, Plava, Tuzi, Peja, Prishtina dhe Gjilani.
Përgjatë këtij programi, u bë promovimi i librit “Rrugëtimi i shqiptarëve të Rozhajës për mbijetesë nëpër kohë”, të autorëve Faruk dhe Kenan Daci. Hapjen e këtij manifestimi e bëri recensenti i librit, veterani i arsimit në Malësinë e Rozhajës z. Sokol Daci, i cili e vlerësoi lartë punën dhe përkushtimin e vëllezërve Daci për zbardhjen e historisë së shqiptarëve që jetojnë në Rozhajë.
Në anën tjetër Prof. Dr. Muhamet Sadiku – redaktor i librit, vuri në dukje se vepra e autorëve Faruk dhe Kenan Daci, është një projekt historik dhe shumë i guximshëm, i cili me fakte dhe hulumtime të detajuara, tregon haptazi për historinë e trevave të tyre shumëvjeçare. Gjithashtu potencoi se rozhajasit me rrethinë me dekada kërkuan për të drejtat e tyre njerëzore edhe për të mos u asimiluar.
Botimin e librit e mundësoi Fondi për Mbrojtjen dhe Realizimin e të Drejtave të Pakicave në Mal të Zi, ku në emër të këtij institucioni të pranishmit i përshendeti Drejtori z. Safet Kurtagiq. Vlerësime për këtë libër e ka dhënë Albanologu, Ekrem A. Kryeziu, i cili në mes tjerash shkruan:
“Rozhajasit me rrethinë ndër dekada kurrë nuk pushuan së kërkuari për të drejtat elementare, njerëzore e qytetare, edhe pse asimilimi ndër shqiptarë la gravurat e veta, e plagë shpesh të pashëruara. Ndër dekada e breza, figura të shquara shqiptarësh, brenda dhe jashtë trungut, dhanë kontribut të paçmuar në përndritjen dhe zgjimin e kombit shqiptar në këto troje. Një kontribut të jashtëzakonshëm dhanë edhe vëllezërit Faruk e Kenan Daci, autorët e këtij libri, duke rrëmuar në arkivat jugosllave, e duke gjetur dokumente origjinale dhe unike për vendin dhe kohën. Ky libër historik është një zgjim ndjenjash e prekje faktesh e realitetesh historike, nëpër të cilat ka kaluar e vuajtur kombi shqiptar. Ky libër është udhërrëfyes i brezave të ardhshëm, se si të parët tanë, në mesin e tyre, sot dëshmitarë të gjallë, me aq shumë sakrifica e peripeci ruajtën traditat, kulturën, gjuhën e identitetin kombëtar ndër breza, ku shpesh të pamundurën e bënë të mundur, e të mundurën e skalitën në formë margaritari. Ndër margaritarët e kësaj plejade është edhe ky libër të cilin nga sot do ta keni në dorë.”
Bashkautori i librit “Rrugëtimi i shqiptarëve të Rozhajës për mbijetesë nëpër kohë”, z. Kenan Daci, tha se realizimi i këtij libri, ishte një rrugë e gjatë, por falë përkrahjes së bibliotekës kombëtare të Tiranës, Malit të Zi, Arkivit Shtetëror të Malit të Zi në Cetine dhe në Rozhajë, Arkivit Qendror të Shqipërisë në Tiranë, edhe atë të arkivit të Pejës, ia dolën mbanë për finalizimin e këtij libri..
Mes tjerash, bashkautori i këtij libri Faruk Daci, vuri në dukje mbështetjen e vazhdueshme për finalizimin e këtij libri dhe festivalit të folklorit, duke theksuar se populli shqiptar dha dhe vazhdon të japë kontribut për komunën e Rozhajës. Me dy aktivitete kulturore janë munduar të kremtojnë moton “Ditët e Shqipës në Rozhajë”, promovimin e librit dhe Festivalin e Folklorit Shqiptar
Të pranishmit i përshëndeti Haxhi Lajçi, drejtor i Shkollës Fillore “Dacaj” në Dacaj të Rozhajës, i cili me këtë rast tha se ndjehet krenar me ish nxënësit e shkollës që kanë arritur që me hulumtime shkencore të nxjerrin në dritë historinë e shqiptarëve të Rozhajës.
Në kuadër të këtij programi u bë edhe hapja e edicionit të parë të Festivalit Forklorik Shqiptar në Rozhajë. Manifestimi me kaq shumë vlera nuk do mund të bëhej i mundur pa përkrahjen e Komunës së Rozhajës. Përmes mjeteve për Organizatat joqeveritare buxheti i komunës ndau mjete të nevojshme për realizimin e këtij manifestimi shumë të rëndësishëm për shqiptarët e Rozhajës.
Në emër të Këshillit organizativ të Festivalit të Folklorit Shqiptar foli z.Nezir Dacii cili tha: “Esenca e këtij projekti të Festivalit i Folklorik Shqiptar është integrimi i shqiptarëve në kremtimin e Ditës së Rozhajës. Ne do ta ndihmojmë komunën që ta pasurojë këtë ditë duke e përshtatur dhe shënuar atë si një festival tradicional.”
Në emër të ansamblit, të pranishmëve ju drejtua me një fjalë rasti kryetari z. Vesel Nikçi, i cili pasi e vlerësoi punën e autorëve Daci, u bëri thirrje të rinjve të Pejës dhe atyre të Malësisë së Rozhajës, ta vazhdojnë traditën e të parëve të tyre, sepse sipas kryetarit Nikçi, kjo trashëgimi e luajtshme ka filluar të zhduket.
Madhështinë gjithë kësaj feste ia shtoi Ansambli Folklorik Autokton “Rugova” i cili para të pranishmëve u shfaq me një program të bukur kulturor-artistik me këngë dhe valle. Faruk Daci

Të fundit

më të lexuarat