Manifestim me peshë dhe vlerë të lartë i prezantimit dhe reflektimit të virtyteve shumëpërfshirëse kombëtare shqiptare

Shaban Hasangjekaj

Në Vuthaj të Komunës së Gucisë, të enjten më 1 gusht 2024, u mbajt manifestimi tradicional mbarëkombëtar shqiptar “Mirë se vini në Alpet Shqiptare Vuthaj 2024” i 28-ti me radhë.
Dita me mot të bukur ka mundësuar që në nënqiellin e hapur, në hapësirën skaj bregut të djathtë të Lumit Grla, të këtij vendbanimit piktoresk tërësisht të banuar me popullatë shqiptare, i shtrirë rrëzë dhe përballë maleve të larta e thepisura të Alpeve Shqiptare, të tubohen ca mijëra qytetarë nga Vuthajt, Gucia e Plava me rrethinë, Malësia e Madhe, Ulqini, Tivari, Rozhaja, nga viset e ndryshme të Kosovës e Shqipërisë, nga Maqedonia e Veriut dhe vise të tjera me popullatë shqiptare, si dhe bashkëvendës mërgimtarë në diasporë, të cilët pushimet verore kanë ardhur t’i kalojnë në vendlindje. Me këtë rast ata vërtetë përjetuan çaste të këndshme pushimi, dëfrimi dhe argëtimi në programin e begatë të manifestimit tradicional në fjalë, të gërshetuar me pika të larmishme të zhanreve dhe opuseve kulturore, artistike, muzikore dhe sportive, në kuadër të të cilit edhe këtë vit u mbajt festivali folklorik kombëtar shqiptar “Kënga dhe vallja shqipe na bashkon”, i 7-ti me radhë me kohëzgjatje njëditore, i cili nuk kishte karakter garues por vetëm prezantues dhe argëtues. I gjithë manifestimi ka filluar në orët e mesditës dhe ka vazhduar deri në orët e parambrëmjes, në atmosferë vërtetë solemne dhe festive.
Me sloganin “Mirë se vini në Alpet Shqiptare Vuthaj 2024”, nën valëvitjen e flamujve kuq e zi me shkabën dykrenare në mes, manifestimin e kanë hapur dy anëtaret e Këshillit organizativë të Shoqatës “Alpet Shqiptare” vuthjanet vizionare, Arbërore dhe Rilinda Gjonbalaj, të cilat kanë moderuar programin manifestues, kanë performuar në programin e SHKA-së “Maja e Karanfilit”, anëtare të së cilës janë dhe kanë përshëndetur gjithë të pranishmit, me theks të veçantë në mysafirët pjesëmarrës nga trojet shqiptare: Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut e Mali i Zi dhe mërgimtarët të shumënumërt bashkëvendës e bashkëkombës në diasporë, ndër të cilët kanë veçuar ambasadoren e Shqipërisë në Mal të Zi, zonin Zhaklina Peto dhe vëllain e dy heronjve të rënë në Luftën Çlirimtare të Kosovës dhe njëherazi pjesëmarrësin e UÇK-së, zotëri Fadil Fazliun, i cili vazhdimisht është i pranishëm në manifestime të këtilla.
Manifestimin solemnisht e shpalli të hapur kryetari i Këshillit organizativ, Tahir Gjonbalaj, i cili në fjalën e rastit përshëndeti me përkushtim dhe admirim gjithë të pranishmit, e mysafirëve të nderuar u uroi mirëseardhje, qëndrim të këndshëm dhe falënderim për pjesëmarrje.
Të pranishmit e manifestimit solemn në fjalën e vet të rastit me paraqitje mallëngjyese e emocionuese me admirim i përshëndeti ambasadorja e Shqipërisë në Mal të Zi, zonja Zhaklina Peto, e cila falënderoi organizatorin e manifestimit për ftesë pjesëmarrjeje e cila në elaborimin e vet konstruktiv theksoi se e ndjen veten vërtetë të lumtur që iu ka dhënë rasti që të marrë pjesë në akademinë solemne të këtij evenimenti vërtetë madhështor, duke shtuar se e ndien veten krenare që gjendet në mesin e vëllezërve e motrave shqiptare këtu në Vuthaj rrëzë Alpeve Shqiptare, të cilin nga shteti amë e ndajnë bjeshkët e larta të këtij nënqielli.
Edhe këtë vit, programi i larmishëm muzikor i manifestimit tradicional “Mirë se vini në Alpet Shqiptare Vuthaj 2024”, filloi me prezantimin e SHKA-ve dhe grupeve artistike (katër sosh) nga trevat etnike shqiptare pjesëmarrëse në festivalin folklorik kombëtar shqiptar “Kënga dhe vallja shqipe na bashkon”, nga një nga Shqipëria e Kosova dhe dy nga Mali i Zi, në të cilin me programet e veta të gërshetuara me këngë dhe valle burimore autoktone që i përfaqësojnë, kanë marrë pjesë: nga Shqipëria – Grupi artistik polifonik “Konispoli” nga Konispoli i Krahinës së Çamërisë, nga Kosova – Ansambli folklorik i këngëve dhe valleve “Katarina Josipi” nga Hasi i Prizrenit dhe nga Mali i Zi – SHKA “Besa” nga Trieshi i Malësisë së Komunës së Tuzit dhe SHKA vendase “Maja e Karanfilit” e cila edhe e filloi programin e manifestimit në fjalë.
Theksojmë se pos grupeve artistike dhe SHKA-ve, të pranishmit në manifestim me performansat e veta nga repertoari i begatë muzikor i argëtuan këngëtari i ri por i mirënjohur nga Kosova, por me prejardhje nga Vuthajt, Hysni Kelmendi dhe këngëtarët në zë nga Kosova Ilir Shaqiri dhe Arben Krasniqi i cili enkas ka ardhur nga Zvicra për të marrë pjesë në akademinë solemne të manifestimit.
Manifestimin popullor mbarëkombëtar “Mirë se vini në Alpet Shqiptare Vuthaj 2024” e kanë bërë madhështor edhe pikat e programit sportiv në ca disiplina garuese, ku janë inkuadruar shumë të rinj, ndër cilat janë veçuar: hedhja e gjylës prej 7,275 kg nga krahu, ku vendin e parë ndër 10 garues e zuri i riu nga Vuthajt, Besfort Dedushaj, fitues edhe i ca viteve të mëparshme, të cilit i është ndarë shpërblimi prej 100 euro dhe kupa, edhe këtë vit vendin e dytë e zuri vëllai i tij, stomatologu Donati dhe të tretin i riu nga Rugova e Pejës Liridon Gjevukaj. Ndër të pranishmit aderues të sportit interesim zgjoi gara në tërheqjen e litarit në të cilën ngadhënjeu ekipi ca anëtarësh i vëllazërisë Dedushaj të Vuthajve ndaj atij të fshatit Martinaj. Por pa dyshim, në këtë garë ishte interesant gara e tërheqjes së litarit në mes të dy ekipeve garuese të ke fëmijëve të moshës prej 5 deri në 10 vjeçare të cilët me prindërit e vet ishin pjesëmarrës të manifestimit. Në garën e vrapimit të kuajve në të cilën këtë vit morën pjesë dy të rinj me kuajt e vet, vendin e parë “Koçin” me kalin e vet e mori fituesi edhe i vitit të kaluar Edon Hysenaj Hoti, i cili u shpërblye me 400 dollar dhe kupë, pronari nga Bijello Pola, Ado Duroviq, të cilit i takoi vendi i dytë mori shpërblimin prej 200 dollarësh.
Në fund të programit sportiv, në stadiumin ku u mbajt manifestimi u zhvillua ndeshja finale e turneut në futboll të vogël në mes të ekipeve “Vuthaj” nga Vuthajt dhe “Punëtorët e Arsimit”, me rezultat 2:0 fitoi ekipi i “Punëtorëve të arsimit”, të cilit i takoi kupa, shpërblimi nga organizatori prej 100 euro dhe të hollat e tubuara nga ekipet pjesëmarrëse në turneun në fjalë.
Në fund të këtij shënimi meritor për publikim theksojmë se shumë adhurues të natyrës ca çaste i kanë kaluar duke vizituar bukuritë e rralla e magjepsëse natyrore me të cilat begaton ky fshat piktoresk dhe ca vende te tjera tërheqëse, atraktive e piktoreske rrëzë e përballë Alpeve Shqiptare.
Sponzor dhe organizues i këtij manifestimi tradicional mbarëkombëtar është Shoqata “Alpet Shqiptare” nga Vuthaj, e mbështetur, përkrahur dhe materialisht e ndihmuar nga disa mërgimtarë vendas në diasporë, kryesisht në SHBA.

Të fundit

më të lexuarat