Manifestim gjithëpërfshirës i shpalosjes së vlerave kombëtare shqiptare

Vuthaj – Në Vuthaj të Komunës së Gucisë, të hënën më 1 gusht 2022, u mbajt manifestimi tradicional mbarëkombëtar shqiptar “Mirë se vini në Alpet Shqiptare – Vuthaj 2022”, i 25-ti me radhë.
Dita me mot të bukur, ka mundësuar që në nënqiellin e hapur, në hapësirën skaj bregut të djathtë të Lumit Grla, të këtij vendbanimi piktoresk e përballë Alpeve Shqiptare, të tubohen disa mijëra qytetar, nga Vuthajt, Gucia e Plava me rrethinë, Malësia e Madhe, Ulqini, Tivari e Rozhaja, nga viset e ndryshme të Kosovës e Shqipërisë, nga Maqedonia e Veriut dhe të tjerë, si dhe bashkëvendës mërgimtarë në diasporë, të cilët pushimet verore kanë ardhur t’i kalojnë në vendlindje. Ata përjetuan çaste të këndshme pushimi, dëfrimi dhe argëtimi në programin e begatë të manifestimit tradicional në fjalë, të gërshetuar me pika të larmishme të zhanreve dhe opuseve kulturore, artistike, muzikore dhe sportive, në kuadër të së cilit këtë vit u mbajt edhe festivali folklorik kombëtar shqiptar “Kënga dhe vallja shqipe na bashkon”, i 5-ti me radhë, me kohëzgjatje njëditore, i cili ka filluar në orët e mesditës dhe ka vazhduar deri në orët e para të mbrëmjes, në atmosferë vërtetë solemne dhe festive.
Me sloganin “Mirë se vini në Alpet Shqiptare – Vuthaj 2022”, nën valëvitjen e flamujve kuq e zi, me shkabën dy krenare, manifestimin e kanë hapur dy anëtaret e Këshillit organizativ të Shoqatës “Alpet Shqiptare”, vashëzat simpatike – vuthjanet vizionare, Arbërore dhe Rilinda Gjonbalaj, të cilat kanë udhëhequr (moderuar) programin manifestues, kanë performuar në programin e SHKA-së vendase “Maja e Karanfilit”, anëtare të së cilës janë, dhe kanë përshëndetur gjithë të pranishmit, me theks të veçantë në mysafirët pjesëmarrës nga trojet shqiptare: Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi, ndër të cilët kanë veçuar vëllain e dy heronjve të rënë në luftën çlirimtare të Kosovës dhe njëherazi pjesëmarrësin e UÇK-së, Fadil Fazliun, veprimtarin e çështjes kombëtare, Arben Krasniqin, i cili enkas ka ardhur nga Zvicra për të marrë pjesë në manifestim, ca veprimtarë dhe miq nga Kumanova e Maqedonisë së Veriut, të cilët po ashtu kanë ardhur për ta nderuar manifestimin me pjesëmarrjet e veta. Po ashtu përshëndetje të veçantë, moderatoret Gjonbalaj shprehën edhe për koreografin dhe mjeshtrin e madh nga Shqipëria, zotëri Deli Metalia, i cili për vite të tëra ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm në punën e SHKA-së vendase “Maja e Karanfilit”.
Programi muzikor i manifestimit tradicional “Mirë se vini në Alpet Shqiptare – Vuthaj 2022“, këtë vit filloi me prezantimin e programeve të ansambleve të këngëve e valleve dhe të shoqërive kulturore artistike, nga trevat etnike shqiptare, pjesëmarrëse në festivalin folklorik kombëtar shqiptar “Kënga dhe vallja shqipe na bashkon” (të pestin me radhë), në të cilin programet e veta të gërshetuara me këngë dhe valle burimore autoktone të vendeve që i përfaqësojnë në garë dhe konkurrim, kanë marrë pjesë: AKV “Deçani” nga Deçani, AKV “Katarina Josipi” nga Zymi, AKV “Teuta” nga Durrësi, SHKA “Koha” nga Dinosha dhe SHKA vendase “Maja e Karanfilit”, e cila pa qëllim konkurrimi e ka filluar programin e festivalit, të cilin e përcolli dhe e vlerësoi juria pesë anëtarëshe, në përbërje: Prof. Dr. Ukë Xhemaj – etnolog, Dilaver Kryeziu – profesor e koreograf, Hasnije Gjonbalaj – profesoreshë dhe poete, Mirjeta Gjonbalaj – aktiviste e SHKA “Maja e Karanfilit” dhe Azgan Haklaj – mjeshtër i madh dhe kryetar i Unionit artistik të kombit shqiptar. Juria ndau këto çmime: -kostumografia më e mirë e festivalit u shpall ajo e AKV “Deçani” nga Deçani, të cilit njëherazi iu nda edhe çmimi special; valltarë më të mirë të festivalit u shpallën ata të AKV “Katarina Josipi” nga Zymi; dyshja (dueti) e valltarëve më të mirë u shpallën Ali Beqiraj dhe Edina Skepoviq të SHKA “Koha” nga Dinosha; dhe paraqitja më e mirë artistike e festivalit u vlerësua ajo e AKV “Teuta” nga Durrësi.
Të pranishmit në manifestim, me performancën nga repertoari i begatë muzikor, i argëtoi këngëtarja e mirënjohur shkodrane e melosit popullor shqiptar Elvira Fjerza.
Manifestimin e kanë bërë madhështor edhe pikat e programit sportiv në ca disiplina garuese, ku janë kyçur shumë të ri, ndër të cilat janë veçuar: herdhja e gjyles nga krahu, ku vendin e parë ndër 13 garues e zuri fituesi edhe i ca viteve të kaluara me radhë, i riu nga Vuthajt, Besfort Dedushaj, të cilit i është ndarë kupa dhe shpërblimi prej 50 eurosh, kurse vendin e dytë e zuri vëllai i tij Donati, i cili u shpërblye me 20 euro, dhe vrapimi i kuajve (tre sish), ku këtë vit në cak me kalin e vet arriti i pari i riu nga Hoti i Kujit të Plavës Smajl-Smako Mujaj, të cilit iu nda kupa dhe shpërblimi në të holla.
Shumë adhurues të natyrës, ca çaste i kanë kaluar duke vizituar bukuritë e rralla e magjepsëse natyrore, me të cilat begaton ky fshat piktoresk, ndër të cilat Syri i Skavkaçit, Ujvara “Grla” te Hartini, lugina e Ropojanit dhe Leskovës, Krojet e Ali Pashë Gucisë, dhe ca vende të tjera tërheqëse atraktive e piktoreske të këtij nënqielli rrëzë e përballë Alpeve Shqiptare.
Sponsor të këtij manifestimi, pos Shoqatës “Alpet Shqiptare”, janë edhe ca vendas mërgimtarë nga diaspora, të cilët individualisht kanë shprehur gatishmërinë për mbështetje dhe përkrahje të këtij manifestimi vërtetë madhështor me vlerë të lartë kulturore dhe me vizione përmbajtjesore kombëtare shqiptare.

Shaban Hasangjekaj

Të fundit

më të lexuarat