Shtëpia Studio Kadare dhe Bashkia Tiranë shënuan 90-vjetorin e lindjes së shkrimtarit më të madh bashkëkohor shqiptar, Ismail Kadare, me një aktivitet të titulluar “Liria ime ka qenë letërsia”, që është organizuar të shtunën mbrëma (31 janar 2026) në Teatrin e Operas dhe Baletit në Tiranë.
Në hollin kryesor të TOB-it është hapur ekspozita me dorëshkrime dhe artefakte origjinale, pjesë e fondit të Shtëpisë Studio Kadare, ndërsa më pas në mbrëmjen kremtuese është folur për jetën dhe krijimtarinë e shkrimtarit, i ndarë nga jeta vitin e kaluar.
Drejtuesja e Shtëpisë Studio Kadare, Anisa Ymeri ka thënë se kanë vendosur ta përkujtojnë Ismail Kadarenë përmes krijimtarisë së tij, “pa fjalë shumë të mëdha, pa vlerësime nga ato që sigurisht janë të denja për konferenca shkencore, por jo për mbrëmje të tilla”, duke zgjedhur që të sjellin disa nga veprat themelore me të cilat është shënuar rrugëtimi i letërsisë shqipe.
Pronari i Shtëpisë Botuese “Onufri” dhe botuesi i Kadaresë në shqip, Bujar Hudhri ka ndarë me publikun disa përshtypje nga bashkëpunimi me shkrimtarin e madh.
“Në 30 vjet bashkëpunimi me Kadarenë, ajo që unë tani kam konkluzion të qartë, por e kam pasur në fakt gjatë viteve, është që sa më shumë kam ndenjur me të, e kam ndier që sa larg jam tij. Sepse kur ti rri me të, i ulur në një tryezë me të, dhe ti pret nga radioja që të thotë se ai do marrë Çmimin Nobel! Pra, imagjinoni me kë ke të bësh dhe sa i vogël që dukesh?!”, ka thënë ai, duke vijuar se sa herë që e përcillte Kadarenë kur ikte nga Shqipëria, i thoshte se po ikën në një planet tjetër, duke nënkuptuar me këtë letërsinë.
Një qasje kritike për krijimtarinë e Kadaresë përmes stacioneve simbolike në veprat e tij më me peshë ka paraqitur për publikun studiuesja e letërsisë Prof. dr. Persida Asllani.
Duke folur mbi romanin e Kadaresë “Kronikë në gur”, si një stacion simbolik për vendlindjen e tij Gjirokastrën, ajo ka thënë se ky është një qytet që në veprën e Kadaresë është i gdhendur në fjalë.
“Kjo gdhendje e shkruar në fjalë e qytetit, e shndërron atë në qytetin e letërsisë, në qytetin që strehon rrëfimtarin dhe lexuesin e pasionuar të fjalës artistike. Dhe kështu Gjirokastra e paemër, Gjirokastra e gdhendur në gurë dhe fjalë, kthehet në qytetin universal, prej të cilit, jemi në fakt të gjithë të bindur, Kadare nuk u largua kurrë”, ka theksuar studiuesja, duke shtuar se “ne do të shohim vazhdimisht një rikthim, ose mosikjen e tij të vërtetë nga qyteti”.
Një stacion tjetër simbolik i pashmangshëm, për të cilin ka folur Asllani, është romani më i famshëm i Ismail Kadaresë “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, me të cilin ai imponohet jo vetëm në letërsinë shqipe, por edhe në letërsinë botërore.
“Është një roman që ngre pyetje universale mbi kuptimin e së keqes, mbi kuptimin e dhunës – çfarëdolloj dhune që ushtrohet në gjendje lufte mbi arbitraritetin, mungesën e thellë etike që ka çdo dhunë”, ka thënë ndër të tjera studiuesja.
Pjesë nga krijimtaria poetike dhe në prozë e Kadaresë kanë interpretuar në këtë mbrëmje kremtuese aktorët e njohur Rajmonda Bulku, Luiza Xhuvani, Myzafer Zifla, Alert Çeloaliaj dhe Kristjan Koroveshi, ndërsa Gjergj Leka riktheu motive të njohura të muzikës shqiptare me tekste të shkrimtarit, duke kulmuar me këngën “Në parkun që mbluan fletët…” së bashku me studenten Delina Murati në kitarë.
Kuarteti i harqeve, i udhëhequr nga Lorenc Radovani, solli esencën e muzikës shqiptare, ndër to edhe pjesë nga baleti “Delina” i Çesk Zadesë, ndërsa dy balerinët e rinj, Greta Toçila dhe Enri Nela interpretuan “Vallja shqiptare” të Kadaresë, me koreografi nga Keida Luga.
Fondi i Shtëpisë Studio Kadare u pasurua në këtë mbrëmje artistike me dy eksponate të reja: stilolapsin e dhuruar nga botuesi Bujar Hudhri, me të cilin ai kishte nënshkruar kontratën me Kadarenë para 30 vitesh, si dhe me një dorëshkrim të librit të shkrimtarit Ylljet Aliçka, të redaktuar nga Ismail Kadare.
Shtëpia Studio Kadare ka bërë të ditur se përgjatë këtij viti do të organizohen edhe aktivitete të tjera, jo vetëm në Tiranë por edhe në qytete të tjera, për nder të 90-vjetorit të Ismail Kadaresë.
I. Kallaba
