Plavë – Ndër liqenet glacial që gjenden në rajonet malore të pjesës së Bjeshkëve të Nëmuna që i përkasin Malit të Zi, pikërisht komunave të Plavës dhe të Gucisë, është edhe Liqeni i Horollacit, i njohur edhe si Liqeni i Avdisë, i cili shtrihet në lartësi mbidetare 2040 metra, mu rrëzë majës së Bjeshkës Horollac me lartësi mbidetare 2199 metra, në territorin e Komunës së Plavës në Parkun Nacional “Prokletije” (“Bjeshkët e Nëmuna”).
Prej të gjithë liqeneve në Mal të Zi, ky liqe është me lartësi më të madhe mbidetare, me gjatësi 50 metra, gjerësi 40 metra dhe thellësi 4 metra, i rrethuar me shkëmbinj të thepisur të cilët dukshëm vështirësojnë arritjen e vizitorëve deri te bregu i tij.
Edhe pse në pamje të parë mund të duket se është i vogël dhe jo bash i afrueshëm, megjithatë është mjaft interesant nga aspekti shkencor, ekonomiko turistik dhe edukativ.
Sipas gojëdhënës, në këtë liqe është mbytur bariu me emrin Avdi duke tentuar ta nxjerrë dashin i cili kishte rënë në liqe, i cili si pasojë i rëndimit të leshit nga uji ka filluar të fundosej, por nuk ia ka dalë, prandaj në popull është i njohur si Liqeni i Avdisë.
Bjeshka Horollac, sipas të cilës liqeni mban emrin Liqeni i Horollacit, i takon bllokut lindor në masivin e Bjeshkëve të Nëmuna.
Liqenet glacial, ujërrjedhësit e shumtë të vegjël dhe të mëdhenj, burimet dhe krojet, Bjeshkët e Nëmuna dhe Komunën e Plavës i radhisin në grupin e hapësirave më të pasura hidrologjike në Mal të Zi. Në tërë hapësirën e Bjeshkëve të Nëmuna ekzistojnë rreth 20 liqene alpin me prejardhje glaciale. Shumë liqene shtrihen në zonën kufitare Bogiqevicë (Bogiqe) në Mal te Zi dhe Bogiqevicë në mes të Kosovës dhe Shqipërisë. Ca liqene sikurse Liqeni i Hridit në Komunën e Plavës dhe Liqeni i Leqinatit – Liqeni i Kuqishtës në Kosovë, veç janë të njohur si atraksione turistike dhe piknikëve (shëtitore) të popullarizuara. Shumë të tjerë janë të pa studiuar sa duhet ndër të cilët edhe ai i Horollacit, për të cilin pak dihet.
Sh. Hasangjekaj
