Ulqin – Gazetari dhe drejtori i përgjithshëm i Televizionit Klan Kosova, Adriatik Kelmendi, ka qenë mysafiri i radhës në Librarinë “Ulqini”, me të cilin të dielën mbrëma është zhvilluar takimi me temë “Si mund të jetojmë diku tjetër kur në botë ekziston Parisi?”, huazuar nga libri i tij me të njëjtin titull.
Në bisedë me udhëheqësin e takimit Sami Flamurin, ai ka folur për çështje të ndryshme që lidhen me jetën e tij, lidhjet me Ulqinin, lidhjet e Ulqinit me Kosovën, përvojën e tij gazetareske, situatën gjeopolitike në rajon etj.
Kelmendi ka thënë se janë tre qytete ku ndjehet si në shtëpinë e tij.
“Një është Peja, ku kam lindur; dy Prishtina, ku jetoj dhe veproj; dhe tre, jo për nga renditja, është Ulqini, ku po ashtu jam rritur një pjesë të mirë të jetës. Gjithë verën kemi ardhur këtu”, ka theksuar ai.
Kelmendi ka thënë se shqiptarët sot ndodhen në pozitën më të mirë që kanë qenë ndonjëherë në të gjitha vendet e rajonit ku ata jetojnë. Në këtë kuadër, ai ka përmendur edhe Ulqinin që, sipas tij, ka arritur që të imponohet në të gjithë sferën shqiptare, jo vetëm në fushën e politikës, ku për momentin janë dy kryeministra nga Ulqini, por edhe në fusha të tjera.
“Ulqini është i shumanshëm dhe u ka ofruar gjithmonë shumë jo vetëm shqiptarëve, por edhe rajonit. Dhe sot është edhe Ulqini, në Mal të Zi por bashkë me të gjithë shqiptarët, që plotëson këtë mozaikun e arritjeve më të mëdha të shqiptarëve”, është shprehur ai.
Sipas Kelmendit, lidhjet e Ulqinit me Kosovën janë të shumta dhe nga to kanë përfituar të dy palët.
“Mund të them se Ulqini iu dha për herë të parë kosovarëve detin, iu mësoi se çfarë është deti. Por kosovarët ia ofruan Ulqinit shqiptarinë… Sinonim i detit, i plazhit, i diellit për Kosovën ka qenë Ulqini. Po ashtu sikur të mos ishte kjo ndërlidhje që është ndërlidhje interesi, mbase do të ishte edhe ky segmenti i shqiptarizmës në Ulqin më i vagët seç është sot. Pra, kjo lidhje e ndërlidhur edhe me plazhin ka bërë edhe lidhjen tjetër, që të jetë pastaj edhe për ulqinakët e qasshme edhe shkolla në Kosovë”, ka theksuar ai.
Për Kelmendin, ajo çfarë i shquan shqiptarët është ambicia.
“Mos të harrojmë se kudo që jetojnë sot shqiptarët e kanë ambicien. Dhe ambicia e tyre ka shkuar drejt realizimit. Pra, Parisin duke e pasur ambicie, si një figurë, metaforë, që e kam përdorur,… tregon se nuk mund të arrijmë asgjë nëse nuk e dimë se ku e kemi synimin. Dhe e mira jonë si popull gjithnjë ka qenë që kemi synuar shumë”, është shprehur ai.
Kelmendi ka thënë se Kosova është bërë shtet kur e ka fituar idenë e lirisë.
“Ideja e lirisë erdhi me brezat e para që u arsimuan në Kosovë, që e kuptuan se nuk ka pse dikush që vetëm pse flet një gjuhë tjetër prej tëndes, me automatizëm të jetë një klasë më i lartë se ti. Dhe duke e kuptuar këtë, u mbars edhe ideja se edhe ti e meriton të jesh në pozitë të barabartë me të gjithë”, ka thënë ai.
Kelmendi ka thënë se pajtohet me idenë e Veton Surroit, sipas të cilit Mali i Zi dhe Kosova janë dy shtete të pakryera, sepse megjithëse e kanë fituar pavarësinë, kanë probleme pak a shumë të ngjashme, për të mos thënë të njëjta, me fqinjin e tyre të parë – Serbinë.
“Pra, ndonëse këto shtete që kufizohen me Serbinë janë të pavarura, ka një përpjekje nga Serbia që të mbajë konflikte të ngrira, që në rrethana të tjera gjeopolitike në të ardhmen t’i shfrytëzojë ato për të trazuar këto shtete dhe rrjedhimisht ndoshta edhe të kthejë një fuqi hegjemonie mbi to”, ka theksuar drejtori i Televizionit Klan Kosova.
Kelmendi ka folur edhe për karrierën e tij gazetareske, duke pohuar se në vjeshtë të këtij viti bëhen 25 vjet apo një çerekshekulli që ka filluar punë në media, kurse prej 20 vitesh drejton emisionin “Rubikon”, që është emisioni më jetëgjatë i debatit autorial në historinë e televizioneve kosovare. Ai ka folur edhe për intervistat e tij më të dashura dhe që i kanë mbetur në kujtesë, me personalitete të ndryshme të botës shqiptare apo botërore.
Kelmendi është përgjigjur edhe në disa pyetje të publikut të pranishëm në takim.
Takimi është organizuar nga Këshilli Kombëtar i Shqiptarëve në Malin e Zi në bashkëpunim me Librarinë “Ulqini”.i. k.
Lidhjet e shumanshme të Ulqinit me Kosovën
“Ulqini është i shumanshëm dhe u ka ofruar gjithmonë shumë jo vetëm shqiptarëve, por edhe rajonit. Dhe sot është edhe Ulqini, në Mal të Zi por bashkë me të gjithë shqiptarët, që plotëson mozaikun e arritjeve më të mëdha të shqiptarëve”, është shprehur ai
