Libër që përcjell mesazhe humane dhe vlera edukative

Dea Karakaçi

Në veprat e Asllan Bishës, hapësira që i kushtohet zërit të botës fëmijërore, zë një vend të veçantë në krijimtarinë e tij. Ky libër u drejtohet e dedikohet fëmijëve, në vazhdën e krijimtarisë së tij në letërsinë për fëmijë. Autori rishtazi, vazhdon të jetë një mik i ngushtë e besnik i botës fëmijërore, duke sjellë plot 16 tregime, ku sjell ngjarje të botës së peshkimit, ujërave shqiptare, marrëdhënie të njerëzve në raport me kafshët, mesazhet e drejtpërdrejta dhe edukuese që ato mbartin më vete, pasi Bisha, është një njohës mjaft i mirë i botës së çiltër të fëmijëve.
Tregimet rrjedhin natyrshëm, pasi autori atë që shkruan e njeh mirë, dhe njëkohësisht duke e pasur edhe pasion peshkimin, e ka derdhur dijen e tij artistike në rreshtat e botës së fëmijëve, duke i afruar ata me: delfinin, ngjalën, qefullin, ndoshta diku-diku, edhe duke i drejtuar ata mbi njohuritë e botës së peshkimit.
Një realitet që autori e ka të parë e të jetuar vetë, duke e ulur përvojën e tij personale në prehrin dhe moshën fëmijërore. E nga ky realitet, ai merr temat, subjektet, brumin jetësor duke e përshtatur me syrin e të vegjëlve.
Libri “Foleja e bilbilit” hap siparin e botës së fëmijëve, me tregimin “Princesha Albionë”, ku protagonistët më të ëmbël e më të dashur për fëmijët, janë gjyshi dhe gjyshja, ku vetëm ata mund të transmetojnë me ëmbëlsi leximin e tregimit, dhe njëkohësisht duke qenë edhe interpretues të mesazhit të rrëfenjës.
Një tjetër tipar dallues i krijimtarisë së autorit që vihet re në çdo tregim të tij, është edhe ai i shkrirjes së natyrës së liqenit, lumenjve, deteve mes shpirtit të vetë autorit dhe mes shpirtit të karaktereve, si: Albiona, gjyshi, gjyshja, Suzana, Genci, Genti etj.
Tregimet i përshtaten moshës së fëmijëve, duke dominuar në të 16 tregimet humanizmi dhe dashuria për botën ujore. Elementet të cilat i gjejmë te “Plagosja e delfinit”, ku përkushtimi, përkujdesja e Gencit dhe e Blertës, kthehen në një zë të fuqishëm ndaj papërgjegjshmërisë që dëmton botën ujore, faunën e florën, në funksion të përfitimeve monetare janë mjaft edukative. Një krijimtari që ngrihet mbi qasjen e një realiteti të së djeshmes, e gërshetuar me realitetin e sotëm, haset në veprën “Foleja e bilbilit”. Liqeni i Shasit, i Shkodrës, lumi Buna, Valdona, Barbana, fauna nënujore dhe ajo tokësore, si delfini, ngjala, krapi, qefulli, lepuri, pa lënë mënjanë edhe zogjtë, bilbilin, bashkëjetojnë në çdo tregim, duke e sjellë nëpërmjet tregimeve, botën fëmijërore afër shpirtit të natyrës. Në tregimet mbizotëron e vërteta, ato nuk janë të trilluara apo të sajuara, por të jetuara nga vetë autori, një fuqi e artit të të shkruarit, që nëpërmjet dialogëve të shumtë arrin ta sjellë ngjarjen duke e kthyer lexuesin si protagonist të saj.
Lexuesi-fëmijë, sapo e merr në dorë librin, do ta ndjejë në çdo rresht, dashurinë për ujin, peshqit, peshkimin, tokën e qiellin, kafshët, zogjtë, gjyshin, gjyshen, shokët e shoqet, mësuesin, që të ngjan si një familje e madhe, që të përkëdhel nga tregimi në tregim. Gjatë leximit të vëllimit me tregime “Foleja e bilbilit”, që ua ofron të vegjëlve, mësojmë se librat që ai shkruan për fëmijët, transmetojnë një mesazh të çiltër e të pastër, që i paraprinë lumturisë së vërtetë të fëmijëve, të ardhmes së tyre, duke ia rrënjosur që në vegjëli dashurinë për vendlindjen. Ngjarjet, bëmat, aventurat e personazheve janë në funksion të nxitjes së ndërgjegjësimit për mbrojtjen e florës dhe faunës, ku Bisha arrin t’ia dalë që të ndriçojë interesimin dhe pëlqimin në sytë e fëmijëve, me qëllimin për ta përpirë librin.
Rrëfimet janë shkruar me një gjuhë të thjeshtë dhe dallohen për dialogët dhe përshkrimet e shpejta, që mban në tension e kërshëri lexuesin-fëmijë nga tregimi në tregim. Libri ka një strukturë narrative të logjikshme, në skalitjen e personazheve deri në detaj, e po me aq pasion, ai depërton në botën dhe imagjinatën fëmijërore, gjë që nuk është e lehtë, pasi ti duhet te jesh me plot gojë, fëmijë në fantazi e përshkrim, dhe i rritur – si autor – në përgjegjshmërinë e mesazhit edukues që t’i transmeton.
Magjia e tregimeve dhe bukuria e përshkrimeve, e mban të ngërthyer lexuesin. Një sintezë e jetës reale e gërshetuar me atë të botës së fëmijëve, vjen nëpërmjet penës së mprehur mirë, për t’i dhënë gjeneratës së re dije historike e gjeografike mbi pasuritë ujore.
Tregimet për fëmijë të Asllan Bishës lidhen me simbolika kryesore të botës, natyrës dhe të edukimit. Në to zotëron e ëmbla natyrë, enigmat dhe të papriturat me të cilat fëmijët përballen gjatë rritjes së tyre në lidhje me njerëzit dhe kafshët që i rrethojnë.
Në çdo rrëfenjë të Bishës dominojnë emrat e personazheve shqiptare, si: Albiona, Petriti, Genci, Genti, Agroni, Beni, apo të emërtimeve të sakta të emrave të lumenjve, liqeneve, deteve, nëpërmjet dialogëve dhe fjalive të shkurtra, për ta sjellë të lundrueshme rrëfenjën.
Po në këtë rrafsh të gjerë gjeografik, hasim një shtrirje horizontale pothuajse në të gjitha tregimet e Bishës, një bashkëjetesë e botëkuptimit social me atë historik, duke krijuar çdo rrëfenjë të lexohet me kureshtje të madhe.
Bisha përpiqet që nëpërmjet rrëfenjave të tij të sjellë te fëmija triumfin e së mirës ndaj së keqes, rrugën drejt virtytit, si forcë e madhe edukuese për fëmijët.
Gjuha, tematika, stili dhe figuracioni përcjellin te lexuesi-fëmijë mesazhe humane, me një tablo të jetës së gjallë e të gëzueshme me atë plot pasion të vetë autorit, ku jetojnë fëmijët, familjet, miqtë, si dhe lumi, liqeni, fauna ujore, si një pjesë e pandalshme e vetë njerëzimit.
Lënda krijuese e deritanishme e autorit, sjell një kod magjik, i krijuar nga ngrohtësia, çiltërsia, ngjyrat, ëndrrat e pafundme që i ka vetë bota dhe jeta fëmijërore. Çdo pjesë e librit ka një titull më vete dhe tregim më vete, ku lexuesi pasi i lexon deri në fund, arrin t’i japë formën e duhur në tërësi.
Është një privilegj të lexosh këtë libër me tregime të Asllan Bishës, i cili sjell në letrat shqipfolëse, alternativë të këndshme në krijimet që futen në letërsinë fëmijërore e më gjerë.
Shpreh mendimin tim, duke pasur parasysh përmbajtjen dhe cilësinë e librit, se Enti i Teksteve dhe i Mjeteve Mësimore të Podgoricës duhet falënderuar që boton dhe vë në dispozicion libra të tillë për nxënësit e moshës shkollore.

Të fundit

më të lexuarat