Tuz – Të enjten mbrëma, më 07 dhjetor 2023, në QKI “Malësia” në Tuz, u bë promovimi i librit “Antropologjia e Artit” i autorit prof. asoc. dr. Përparim Kabo nga Tirana.
Përpara adhuruesve të fjalës së shkruar, bisedën me autorit e ka zhvilluar Idriz Gjokaj, udhëheqës artistik dhe regjisor programi në QKI “Malësia”, ku në një bashkëbisedim mjaft të gjatë edhe me audiencën, u fol për këtë libër voluminoz me afro 1600 faqe, në dy vëllime, me pothuajse nga 800 faqe secili.
Ky interaktivitet mes audiencës dhe autorit është reflektuar shumë mirë, pasi që ka pasur një publik aktiv për ta pyetur autorin, jo vetëm për librin por edhe për tematika të tjera nga fusha e filozofisë, shkencës, kulturës, kritikës, teatrit, etj..
Ndryshe nga mbrëmjet e mëparshme letrare, autori Përparim Kabo ka qenë i veçantë për audiencën, për shkak edhe të profesionit që ka prej filozofi, dhe ai, përveç librit ka folur edhe për shumë çështje të tjera me interes për opinionin, si për jetën sociale në Shqipëri, në Mal të Zi, etj..
Libri “Antropologjia e Artit” (Vëllimi i parë) pasqyron ngjarje që nga Lufta e Trojës e deri në kohën që jetojmë sot. Ai trajton kulturën franceze, por hapësirë i kushtohet edhe shkrimtarit Viktor Hygo, ku përshkruhet jeta dhe veprat e tij. Në libër gjithashtu përfshihet edhe një studim për kryeveprën botërore, “Hamleti”. Ndërkaq, vëllimi i dytë përmban profile kryesisht artistike dhe letrare, ku veçohet një studim për Ndre Mjedën. Në këtë vëllim gjithashtu përveç tjerash, zënë vend studime për figura të tjera të shquara të kombit shqiptar.
Udhëheqësi artistik dhe regjisori i programit në QKI “Malësia”, Idriz Gjokaj në një prononcim për gazetën “Koha Javore” theksoi se organizimi i ngjarjeve nga fusha të ndryshme jetësore si: kulturore, letrare, artistike, shkencore etj., janë ushqim për shpirtin dhe se duhet vazhduar me aktivitete të tilla.
“A janë këto ngjarje të mjaftueshme apo jo, është çështje për t’u diskutuar, por e rëndësishme është që ne të vazhdojmë patjetër me organizimin e aktiviteteve kulturore, artistike etj., të cilat, sipas meje, duhet të ndiqen nga komuniteti ku jetojmë”, u shpreh Gjokaj.
Kjo është hera e parë që promovohet në Tuz libri “Antropologjia e Artit” e autorit prof. asoc. dr. Përparim Kabo, ndërsa më herët është përuruar në Tiranë, saktësisht në qershor të vitit të kaluar. Libri është botuar nga Shtëpia Botuese “Onufri”.
Prof. asoc. dr. Përparim Kabo ka lindur në Tiranë, më 23 gusht 1954. Mbaroi studimet e larta në Universitetin e Tiranës, në degën e filozofisë në vitin 1977. Prej më shumë se një dekadë jep mësim, fillimisht disa vjet në arsimin e mesëm, pastaj në arsimin e lartë, duke u thelluar në punën shkencore. Fillimisht, me gradën “Kandidat i Shkencave” dhe më tej në vitin 1996 “Doktor i Shkencave Filozofike”. Në periudhën 2004-2005 ka qenë këshilltar i lartë i kryeministrit Fatos Nano, për çështjet e arsimit, shkencës, kulturës, artit, fesë dhe minoriteteve.
Prof. asoc. dr. Përparim Kabo me një përvojë 42 vjeçare në fushën e arsimit si lektor, kërkues shkencor dhe autor librash, shpërfaq një personalitet të spikatur të jetës akademike dhe kulturore.
Ka një aktivitet të gjerë botues brenda dhe jashtë vendit si në Francë, Spanjë dhe tani së fundmi në Çeki, Hungari dhe në Itali. Ka marrë pjesë në tubime shkencore ndërkombëtare me referime brenda dhe jashtë vendit. Është nderuar me çmimin “Aleksandri i Madh” dhe me çmimin e UNESCO-s.
t. u.
