Xhavit Kastrati
E kam parë me interes këtë libër për shkak të tematikës së larmishme, shtrirjes së gjerë në kohë dhe vende, shtrirjes së temave, nga më të ndryshmet dhe si një dëshmi e një punë të bërë gjithandej trojeve shqiptare.
Plava e Gucia që në kohëra të hershme na ka mbajtur me një simbolikë bashkuese për krejt ne shqiptarët, që me Lidhjen e Prizrenit dhe luftën e madhe që bashkoi pas një kohë shumë të gjatë gjithë viset shqiptare në mbrojtje të kësaj krahine me emër dhe peshë në traditën dhe vetëdijen shtet formuese shqiptare. E autori Hasnagjekaj gamën e vet të interesimit e nis nga vendlindja e tij, nga jeta e njerëzve të vendit të tij me gjithë koloritin e bukur të natyrës, trashëgimisë dhe nga një traditë e pasur dhe multietnike, e pastaj kalon gjithandej trojeve shqiptare, në Rugovë dhe Dukagjin, nëpër Kosovë dhe Shqipëri, por edhe nëpër malësitë e Tuzit, Ulqin e Tivar e deri në Bosnje e Hercegovinë.
Publikimi trajton tema të letërsisë, folklorit, trashëgimisë kulturore, etnike dhe ndëretnike shqiptare (e pjesërisht edhe boshnjak edhe të popujve tjerë) në rajonin e trekufirit Kosovë-Shqipëri-Mal i Zi, duke dhënë shembuj të përbashkët të kësaj trashëgimie kulture në letërsi e muzikë, pikturë e trashëgiminë kulturore materiale në Pejë dhe Rugovë, Plavë dhe Guci, Rozhajë, Tropojë në të tri anët e këtij kufiri.
Me autorin nuk jam njohur personalisht, por puna e tij e bën atë personalitet të shquar në trevën e Plavës dhe Gucisë dhe në Kosovë, intelektual ndër të parët, mësues veteran, që prej vitesh ndonëse është në pension ka zhvilluar një aktivitet të madh studiues dhe promovues të letërsisë dhe studimeve shqiptare në Mal të Zi, por edhe ndër troje shqiptare. Me shkrimet e tij jam ndeshur disa vjet më parë, në dy recensione lidhur me publikimet e institucionit të cilin unë e udhëheq, Qendra Burimore për Mësim dhe Këshillim “Xheladin Deda” në Pejë, një nga to lidhur me përmbledhjen poetike “Bardhësi” dhe e dyta lidhur me monografinë kushtuar institucionit tonë.
Tema e historisë në libër është shumë e pranishme, e përzgjedhur mirë dhe me kujdes. Në mesin e librave të pafund që sot botohen pothuaj në të gjitha trojet shqiptare dhe diasporë, Hasnagjekaj ka përzgjedhur me kujdes se çka t’i prezantojë lexuesit të vet, duke e joshur në leximin e librit me vlerë dhe duke e larguar nga pseudo studimet pa vlerë. Kapitulli i katërt i librit është një parakalim librash dhe autorësh me vlerë, rezultate të një punë të gjatëjetësore. Aty trajtohen autorë si Myzafer Korkuti, Kristo Frashëri, Jusuf Buxhovi, Isa BiIcaj, Sabile Keçmezi Basha, Ilijaz Rexha e të tjerë me vepra madhore të tyre, që Hasangjekaj i ka prezantuar si më së miri.
Edhe temat janë përzgjedhur. Historia, folklori dhe tradita, aspekte të rëndësishme të jetës dhe qenësisë sonë edhe në shekullin 21. Jeta e njerëzve tonë në këtë shekull, fillimisht e shqiptarëve në Mal të Zi, nga Plava, Gucia e Rozhaja, nëpër Tuz e Malësi deri në Ulqin dhe Tivar, është një interesim parësor i autorit. Pozita e shqiptarëve në Mal të Zi, ruajta e identitetit, traditës, prezantimi dhe vlerësimi i trashëgimisë kulturore janë shqetësimi i tij i parë. Natyrshëm edhe historiku i fisit të madh të Kelmendit, ndër më të mëdhenjtë dhe të dalluarit që është shtrirë në shumë pjesë të trungut kombëtar dhe ka qenë pjesë e rëndësishme e historisë sonë. Ajo paraqitet nga autorët përmes fjalës, kujtesës historike, traditës së ruajtur, paraqitet përmes pikturës, fotografisë dhe këngës. Krijuesit, studiuesit dhe rapsodët e kanë dhënë secili kontributin e vet. E Hasnagjekaj i ka dhënë secilit një vlerësim të merituar në faqet e gazetës ku boton.
“Ky libër përbëhet nga 90 trajtesa, kryesisht recensione, dhe falë përgatitjes me përkushtim për shtyp nga Enver Ulaj, në 75-vjetorin e lindjes së autorit, është me interes dhe tërheqës për lexuesit edhe për vlerat e veçanta që ka. Gjuha e shkrimeve është e qartë, e lehtë, e kuptueshme, e afërt dhe ka terminologji përkatëse të fushave të trajtuara. Shihet se autori ka nderim sipëror për rregullat e shkrimit të drejtë. Hetohen edhe ngjyrime vendore të leksikut të vjetër që shqipes, që ruhet në këto anë, po edhe të sintaksës. Mbizotërojnë thjeshtësia, kuptimorja, drejtpeshimi i komunikimit, saktësia, plotësia e të dhënave, madje deri në imtësi për veprat e trajtuara” ka thënë në fjalën hyrëse studiuesi i njohur kosovar, epikologu Zymer Neziri.
Ky është një libër poliedrik, një enciklopedi e fjalës dhe shkencës shqipe të shkruar në dy dekadat e fundit’ ka vlerësuar profesori dhe gazetari Enver Ulaj, që është marrë me përgatitjen e librit. Në parathënien e librit ai ka vlerësuar Hasangjekajn në punë e tij si gazetar, studiues, përkthyes, edukator, që ka kombinuar të gjitha këto përvoja në punën e tij. “Ia ka shpjeguar lexuesit me durimin e mësuesit që ju shpjegon nxënësve; me saktësinë e gazetarit ka përcjellë deri në imtësi të dhënat që ka libri dhe me pedanterinë e përkthyesit ka zbiriluar në kuptimin e fjalive dhe kuptimeve, gjithnjë për të dhënë ashtu si e ka menduar autori, dhe gjithë kjo që lexuesin shqiptar në Mal të Zi, lexues që në të vërtetë është më i shkëputur nga rrjedha e librit dhe kulturës shqiptare, ta njoftojë për risitë duke përzgjedhur për të librat që i ka pëlqyer, studimet që i ka parë të nevojshme, dhe duke ua rekomanduar lexuesve, familjeve, studentëve dhe të gjithë atyre që libri u destinohet” ka shkruar Ulaj.
Librin ndahet në dy pjesë, nga të cilat pjesa e parë “Gjurmë” paraqet ato gjurmë që këta autorë, e bashkë me ta edhe Hasangjekaj, po mundohen të lënë në qenësinë shqiptare në Mal të Zi, e pjesa e dytë është “Refleksione” mbi krijimtarinë dhe historinë.
Kapitulli i parë i kësaj pjese “Bota e njerëzve tonë në Mal të Zi” e paraqet këtë botë me të gjitha ngjyrat e multietncitetit që ka ajo, duke përfshirë ngjyrat etnike dhe fetare, krahinore të cilat e karakterizojnë. Poaq multietnike sa edhe vet zona, është edhe përmbajtje e librave që paraqiten aty, duke përfshirë në gjuhën boshnjake, folklorin dhe trashëgiminë e krahinës së Plavës dhe Gucisë.
Kapitulli i dytë i “Gjurmëve” është ai i gjurmëve letrare, krijuese të fjalës poetike që në Malësi ka gjithmonë një mbështjellës të veçantë idilik dhe romantik. Pavarësisht lëndës së pakët që ka pasur në dispozicion autori, zërat krijues të shfaqur tek tuk janë prezantuar me atë material që sjellin ato, mbase edhe si një stimul për të tjerë krijues që presin ta thonë fjalën e tyre.
Pjesa e dytë e librit “Refleksione”, që ka tre kapituj, sipas fushave: folklori, studimet mbi të tashmen dhe të kaluarën apo ai mbi letërsinë, janë reflektime në tematikë shumë më të gjerë me autorët që vijnë nga të katër anët e atdheut, kurse tematika është nga më e ndryshmja, ndonjëherë edhe befasuese.
Libri u botua në Pejë në 75 vjetorin e lindjes së autorit dhe u shtyp në shtypshkronjën “Dukagjini” të Pejës, ndërsa përurimi i librit është bërë në muajin korrik në Shtëpinë e Kulturës në Guci, në prani të miqve, bashkëpunëtorëve dhe mediave.
