Libër dokumentar përarsimin shqip në Ulqin

“Monografia ‘Shkolla shqipe në Ulqin (Historiku dhe veteranët)’ tenton të mbajë gjallë kujtesën tonë dhe të mos kalojë në heshtje rruga tepër e vështirë e arsimimit të shqiptarëve në trojet e veta etnike, pra edhe në Ulqin me rrethinë”, ka thënë recensenti Gjekë Gjonaj

Në Galerinë e Qendrës së Kulturës, të premten mbrëma (5 maj 2023) është përuruar libri “Shkolla shqipe në Ulqin – Historiku dhe veteranët” i autorëve Hajro Ulqinaku dhe Gani Karamanaga.
Njëri prej bashkautorëve të librit, shkrimtari Hajro Ulqinaku e ka cilësuar si një libër të vonuar duke qenë se, siç ka thënë ai, ky është libri i parë për shkollën shqipe në Ulqin.
Ai ka thënë se libri është një përpjekje për ta bërë pak më të qartë se kur u hap shkolla e parë shqipe në Ulqin.
Ulqinaku ka theksuar se libri merret me një periudhë njëzetvjeçare, prej vitit 1941-1961, me mësuesit e parë, shkollimin e ulqinakëve dhe punën në arsim në atë periudhë. Ndërsa se si zhvillohet arsimi shqip në Ulqin pas ’60, ai ka thënë se kjo përbën një temë që duhet ta trajtojë dikush tjetër.
Në fjalën e tij, bashkautori i librit Prim. Dr. Gani Karamanaga ka thënë se gjatë Luftës së Dytë Botërore u hapën shkollat shqipe anembanë trojeve shqiptare.
“Periudha 1945-2018 ka qenë më e volitshme se periudhat e mëparshme. Kjo periudhë karakterizohet me hapjen e shkollave fillore e të mesme me mësim në gjuhën shqipe dhe hapjen e programit studimor për arsimin e mësuesve në gjuhën shqipe”, ka theksuar ai.
Ai ka folur për mësuesit e parë që ishin të pakualifikuar, mësuesit e parë të shkolluar, pastaj për periudhën e mbylljes së shkollave shqipe etj.
“Nderim i veçantë për të gjithë mësuesit, arsimtarët, profesorët në gjuhën shqipe. Një homazh për ata që nuk jetojnë më. Gjeneratat e sotme dhe ato që do të vijnë nuk do t’i harrojnë dhe do t’i kujtojnë me respekt dhe dashuri”, ka përfunduar Karamanaga.
Recensenti i librit, gazetari Gjekë Gjonaj, duke folur për autorët e librit ka thënë se “me entuziazmin, vullnetin për punë dhe dashurinë e tyre për të lënë një dokumentar për historikun e shkollave në fjalë, shlyen një borxh ndaj arsimit dhe edukimit fillor dhe të mesëm në disa periudha të caktuara kohore në këtë komunë”.
Ai ka thënë se monografia “Shkolla shqipe në Ulqin (Historiku dhe veteranët)” tenton të mbajë gjallë kujtesën tonë dhe të mos kalojë në heshtje rruga tepër e vështirë e arsimimit të shqiptarëve në trojet e veta etnike, pra edhe në Ulqin me rrethinë.
Sipas tij, “ky leksikon shërben edhe si një shprehje falënderimi e mirënjohjeje për afro 60 veteranë/e të arsimit, sa janë përfshirë këtu, të cilët me punën e tyre ringjallën shpresën e shqiptarëve dhe shqiptareve dhe e mbajtën të ndezur zjarrin e atdhedashurisë te popullata vendase”.
Udhëheqësja e përurimit dhe e Bibliotekës së Ulqinit, Ardita Rama ka thënë se bëhet fjalë për një historik të shkollës shqipe në Ulqin dhe për mësimdhënësit që dhanë kontributin e tyre për të mbajtur gjallë mësimin në gjuhën shqipe në këtë trevë.
Ajo ka thënë se autorët grumbulluan studime të shkruara nga autorë të ndryshëm dhe nga vetë ata, ku flitet për shkollat shqipe në periudha të ndryshme historike si dhe biografitë e veteranëve të arsimit të ilustruara me fotografi, që e vendos këtë monografi në mesin e librave dokumentarë me rëndësi për njohjen e historikut dhe vlerave arsimdashëse të popullit tonë në këtë trevë.
Libri është botuar nga Bashkimi i Krijuesve Shqiptarë në Malin e Zi me mbështetjen e Fondit për Mbrojtjen dhe Realizimin e të Drejtave të Pakicave, ndërsa përurimi i librit është organizuar nga Bashkimi i Krijuesve Shqiptarë në Mal të Zi dhe Qendra për Kulturë – Biblioteka e Ulqinit.

i. k.

Të fundit

më të lexuarat