
Për letërsinë popullore
Para se njeriu kishte mësuar të shkruajë, kishte ditur të flasë dhe përveç nevojës për të mbijetuar, kishte filluar të kërkojë nga vetja diçka më shumë: të shprehë ndjenjat, të frikësohet dhe të gëzohet, të qajë e të këndojë; të krijojë edhe letërsinë gojore. Kështu edhe shqiptari, para se filloi ta shkruajë letërsinë, ai e kishte folur, në hapësirat ku kishte jetuar. Por gjërat ndryshojnë, transferohen edhe në aspektin kohor dhe hapësinor. Dhe kështu ai territor që aktualisht mund të quhet anë, skaj, dikur kishte qenë në mes, madje edhe sot është në mes si pozicion gjeografik. (Shikojeni hartën e trevave shqiptare në tërësi në Ballkan dhe do të shihni se shqiptarët që nga Ulqini, Ana e Malit, Kraja, Tivari, Tuzi, Malësia, Gucia, Plava e Rozhaja, nuk janë në skaj, por në mes të shqiptarisë).
Kanë kaluar shekuj e vite, por këto treva, ndonëse nuk janë në qendër të kulturës, letërsisë e artit shqiptar aktualisht, fakti se rrënjët, në të kaluarën e të qenit, këtyre trevave në vendin e origjinës së shqipes së shkruar në trekëndëshin gjeografik: Ulqin-Tivar- Shkodër kanë rëndësinë e vete. Si rrjedhim, nuk ka ndodhur rastësisht që nga këto rrënjë kanë mbirë dhe mugullojnë ende filiza të cilët rriten e japin frute të shijshme e ndonjëherë të papërsëritshme në kopshtin e kulturës, letërsisë e artit shqiptar.
Dhe për t’ia nisur nga fillesa: letërsia e kultura popullore e kësaj ane për nga pasuria është e paçmueshme. Deri gjatë viteve të shtatëdhjeta të shekullit të kaluar mbahet mend që në Anë të Malit e Krajë, lahutari këndonte me lahutë në mënyrë spontane këngët e Mujit dhe Halilit, kurse në Malësinë e Tuzit, ka lahutarë edhe sot. Për të ecur më tej, balada për Aga Ymer Ulqinin apo e murimit, këngët e majakrahut, apo gjamat janë ende aktive në këtë anë të letërsisë shqipe, sikurse edhe këngët e dasmës dhe të dashurisë. Do të veçoj vetëm katër vargje nga këto këngë. Dy vargjet e parë janë nga një këngë dasme dhe dy të tjerët nga një këngë dashurie:
Del a dole moj nusja jonë,
nisun jam e dal s’ po kam.
Po pikërrojnë dy pika shi,
hajde djalë nën zylyf t’mi.Rrënjët e shqipes së shkruar
Nëse letërsia është gjuhë, para së gjithash, atëherë mund të thuhet se edhe gjuha është letërsi. Kjo është e rëndësishme të pohohet për të vënë në pah faktin se kur flasim për rrënjët e gjuhës shqipe të shkruar, nënkuptojmë se po flasim edhe për rrënjët e kësaj letërsie të shkruar. Rrënjët e shqipes së shkruar janë në trekëndëshin Ulqin, Tivar, Shkodër. Ky është përfundim i shkencës albanologjike shqiptare që vështirë se mund ta bëjë dikush të diskutueshme. Argumentojmë: një nga gjurmët e para për shqipen na vjen pikërisht nga Tivari, e cila është ajo e atë Brokardus Monakus (1332), thelbi i së cilës është se këtu flitet një gjuhë që është krejt e ndryshme nga latinishtja; e kjo gjuhë duhet të jetë shqipja. Pastaj vjen Fjalorthi i Arnold fon Harfit (1497), që është një nga dokumentet e para të shqipes, autori i të cilit edhe nëse fjalët e Fjalorthit të tij nuk i ka shënuar në Ulqin, por në Durrës, ai ka zbritur së pari në limanin e Ulqinit dhe ka dëgjuar ndonjë fjalë e fjali të gjuhës shqipe: Boicke – bukë, Oie – ujë, Myr – mirë…
Dhe për të qenë argumenti i plotë vjen viti 1555, kur autori i librit të parë të gjuhës shqipe Gjon Buzuku duhet të ketë jetuar, shkruar, përkatësisht shqipëruar librin e parë të shqipes “Meshari”, pikërisht në njërin nga vendet e përmendura.
Sigurisht, nuk duhet të jetë rastësi, lutjet që kishte shqipëruar Buzuku në “Meshar” që e kishin bazën në fjalën, Librin e Shenjtë, do të kurorëzohen me shqipërimin në tërësi të “Biblës” nga dom Simon Filipaj, në të njëjtën vend apo vende, aty ku është vendi i origjinës së kulturës së lashtë shqiptare, origjinës së gjuhës shqipe të shkruar, në trekëndëshin Ulqin, Tivar, Shkodër.
Vijat lidhëse të kësaj ane të historisë, kulturës, gjuhës e letërsisë shqipe, më vonë do të jenë autorët si Ali Riza Ulqinaku e Hysejn Nexhati Bushati (përfaqësues të letërsisë së bejtexhinjve). Pastaj në shekullin e kaluar janë emrat e letërsisë: Nol Berisha, shkrimtar për fëmijë, deri te Ibrahim Berjashi, poet, e Asllan Bisha, shkrimtar, që filluan të botojnë në vitet ’70 të shekullit të shkuar.
Një anë, pjesë e letërsisë shqipe
Janë rreth dhjetë shkrimtarë që kanë krijuar Letërsinë shqipe në Malin e Zi (është fjala për ata të cilët kanë jetuar e jetojnë në trevat e tyre autoktone, kryesisht në Ulqin e Tuz). Këta autorë që nga vitet e shtatëdhjeta e deri më sot kanë krijuar një anë të letërsisë shqipe, që duhet marrë parasysh në mozaikun e letërsisë së tërësishme shqipe, sepse është pjesë e saj. Nga këta autorë të kësaj ane të letërsisë ka shkrimtarë aktualë seriozë shqiptarë të cilët kanë vazhdimësi të shkrimit, cilësinë e veprave letrare dhe mund të maten me vlerat e shkrimtarëve shqiptarë të tjerë që shkruajnë letërsi të mirë (renditja është sipas alfabetit: Anton Gojçaj – prozë e studime, Haxhi Shabani – poezi e studime, Mark Pashku Lucgjonaj, romane). Kurse autorët si Asllan Bisha e Ibrahim Berjashi, të cilët i kanë rrumbullakësuar veprat e tyre për shkak të moshës; ky i fundit, tashmë është i ndjerë, të cilët i bashkon shprehja realiste me elemente moderne, u takon nderi se kanë mbajtur gjallë letërsinë e shkruar në gjuhën shqipe në Malin e Zi, duke pasur parasysh kohën kur kanë shkruar librat e tyre.
Autori Fran Camaj, ndërkaq, me botimin e 7-8 romaneve për malësorët dhe Malësinë e Tuzit, përkatësisht për historinë e pashkruar të shpërnguljes së tyre nga historia e që shpeshherë është tragjike, ndonëse në veprat e tij shprehja është realiste, tashmë e tejkaluar në letërsi, ka rëndësinë e tij për këtë anë të letërsisë.
Përmbledhja me poezi “Lule mëngjesi”, botuar nga Anton Berishaj, kur ai ishte student, ka rëndësi si për nga aspekti stukturor, përkatësisht figurativ.
Poeti Hajredin Kovaçi me shprehjen e protestës e autori Jaho Kollari, që një pjesë të veprës e ka shkruar në Gjermani, e Anton Gjuravçaj, tregimtar, kryesisht plotësojnë këtë mozaik letrar.
Autorët më të ri në moshë si Mark Pashku Lucgjonaj nga Tuzi, autor i romaneve, fitues i çmimit Rexhai Surroi për roman, po konsolidohet si autor serioz; poetja Flutur Mustafa e poeti Argëzon Sulejmani tregojnë se kjo anë e letërsisë shqipe ka të ardhmen e saj.
Autorë të tjerë që kanë shkruar vepra letrare janë edhe: Ali Llunji nga Ulqini, Gjergj Gjokaj nga Tuzi, Idriz Ulaj nga Plava, Ali Gjeçbritaj nga Kraja, Shaban Osmanaj nga Ana e Malit etj. Kjo listë mund të ishte më e gjatë, por janë marrë në konsideratë autorë që kanë pasur një lloj ndikimi në këtë mjedis letrar, normalisht sipas mendimit tim.
Meqë letërsia nuk është thjesht vetëm krijimtari fiksionale, por edhe studim, përkthim, eseistikë, atëherë po përmend edhe disa emra në këto fusha.
Në fushë të përkthimeve letrare kanë dhënë kontributin e tyre përkthyesit: Nikollë Berishaj, me përkthime nga sllovenishtja në shqip e anasjelltas, gjuhë shqipe – gjuhë malazeze e anasjelltas; Qazim Muja, gjuhë shqipe – gjuhë malazeze e anasjelltas; Diana Rexha me përkthime nga anglishtja në shqip.
Në fushë të kritikës dhe studimeve letrare nuk duhet lënë pa përmendur ndihmesat e çmueshme të Anton Berishajt me dy monografi e Anton Gojçajt me recensionet e tij, sidomos për autorë të ndryshëm shqiptarë në Malin e Zi. Gjithashtu disa pjesë të veprës së studiuesit Ruzhdi Ushaku mund të lexohen edhe si eseistikë, sikurse është vepra “Ulqini në gjurmët e shekujve”.
Pjesë e kësaj kumtese mund të ishin edhe prozatorët Zuvdija Hoxhiq e Muzafer Çaushi, të cilët, edhe pse librat i shkruajnë në gjuhën malazeze, janë me origjinë shqiptare.
Pesëshja e artë e letërsisë shqipe
Por kjo anë, gem apo filiz, pjesë e letërsisë shqipe sido që ta quajmë, ka edhe brilantet e saj. Letërsia shqipe është studiuar dhe do të studiohet nga aspekte të ndryshme, por sidomos ajo e krijuar në Kosovë, nuk mund të anashkalojë pesë autorë, të cilët ndonëse punën dhe veprën e tyre e kanë bërë kryesisht në Prishtinë kanë lindur në vendet e kësaj ane të letërsisë shqipe dhe kush më e shumë e kush më pak ka pasur lidhje me ambientin letrar të saj.
Esad Mekuli, në poezinë e tij, jo vetëm se gati-gati është vëlla binjak i Migjenit, me specifikat e tij, por ai është ati i shkrimtarëve më të mirë të Kosovës në kuptimin shprirtëror si dhe arkitekti i ndërtimit të institucioneve kryesore të dijes, kulturës, letërsisë e arteve në Kosovë.
Rexhep Qosja është figurë e shumanshme në mjedisin kulturor të shqiptarëve të Kosovës gjatë gjysmës së dytë të shekullit njëzet. Ai është historian i letërsisë, studiues e kritik letrar, shkrimtar, dramaturg, polemist, mendimtar, mësimdhënës në universitet, akademik. Rexhep Qosja arriti të bëjë sinteza të mëdha studimore në veprën “Romantizmi shqiptar” I, II, III, shkroi librin gjithëpërfshirës për poetin kombëtar Naim Frashëri dhe është autor i romanit të parë shqiptar postmodernist “Vdekja më vjen prej syve të tillë”, dhe i sa e sa veprave të tjera në shumë fusha.
Letërsia shqipe, kur shikohet me një sy profesional, estetik dhe kritik, shpeshherë mund të thuhet sesi nuk është dashur të shkruhet jo vetëm për pjesën e realizmit socialist, por edhe për imitimet e eksperimentet pa kritere e shije.
Shkrimtari Mehmet Kraja, ndërkaq, në letërsinë shqipe, është një nga modelet e rrallë që është dëshmi sesi duhet shkruar letërsia e mirë përgjithësisht. Ai është shkrimtari i shkrimtarëve për letërsinë shqipe, pasi modeli i shkrimit të tij, duhet marrë si i tillë jo për ta kopjuar, por për të konstatuar se letërsisë i duhet jo sasia, por cilësia; edhe pse në rastin e tij kemi edhe cilësi sasiore, sa çudi, dukuri që ndodh krejt rrallë! Mehmet Kraja ka shkruar së paku dhjetë romane të nivelit të lartë, prandaj si i këtillë ai ka peshë të rëndë në letërsinë shqipe. Letërsia e tij sjell orgjinalitete gjuhësore dhe letrare, të cilat në romanet e tij janë të pashtershme: nga njëri roman në tjetrin. Dhe vetëm fatkeqësia se për përkthimin e romaneve të tij është vështirë të gjendet përkthyesi i mirë, në një nga gjuhët e komunikimit global, e bën atë të mos jetë shkrimtar i njohur në përmasa ndërkombëtare.
Poeti Basri Çapriqi i cili në letërsinë shqipe, sidomos në ambientin letrar të Kosovës në fillim ka sjellë mjedisin, figuracionin dhe shprehjen mesdhetare të munguar, për ta pasuruar më vonë diskursin e tij me figurën e ironisë dhe absurdit, me metaforën e ujit. Për të ka mendime se është poeti që nuk i ngjan askujt në poezinë shqipe, pasi eci në të kundërtën e rrjedhës së saj të deriatëhershme.
Hajro Ulqinaku, klasik i gjallë i letërsisë shqiptare për fëmijë, që krahas autorëve Rifat Kukaj e Bedri Dedja, Vehbi Kikaj e Gaqo Bushaka janë themeluesit e letërsisë së mirëfilltë shqipe për fëmijë. Hajro Ulqinaku ka sjellë në këtë letërsi mjedisin, personazhet, ndjeshmërinë, botën e pasur të fëmijëve që jetojnë me detin dhe në det, duke i dhënë veprës së tij edhe karakterin edukativ e pedagogjik. Përveç kësaj, ai gjatë tridhjetë vjetëve të fundit ka edhe kontribute në letërsinë dokumentare për Ulqinin dhe ulqinakët.
Letërsia e kulturës ujore
Mendoj që kjo anë e letërsisë shqipe, pra e shqiptarëve që krijimtarinë e tyre e kanë zhvilluar në trevat e tyre në Malin e Zi dhe e atyre që kanë lindur në këto treva, por që veprimtarinë e tyre e kanë realizuar kryesisht në Prishtinë, të mos lexohet e studiohet vetëm në planin që bazohet në traditën e kritikës shqiptare e cila ka qenë më shumë historiko-kombëtare, por të fillojë qasja e studimit hapësinor që në bazë ka mjedisin bregdetar, bregliqenor e breglumor; pra ajo që mund të përfshihet në kulturë ujore. Ky këndvështrim do të nënkuptonte edhe studime të kulturës ujore në tërë letërsinë shqipe, jo vetëm në këtë pjesë të saj që do të krijonte një zhanër apo nënfushë të konsoliduar. Dhe kjo pjesë e letërsisë ka bazën e saj të gjerë, e cila shtrihet pikërisht në kulturën ujore: vepra e Mehmet Krajës (liqeni), Basri Çapriqi (uji), Hajro Ulqinaku (deti), Haxhi Shabani (shiu).
Pra, në këtë kumtesë shtroj nevojën e përdorimit të sintagmës kulturë ujore për të emërtuar një kompleks përfaqësimesh estetike, simbolike dhe imagjinare që burojnë nga marrëdhënia historike, gjeografike dhe të përvojës së shqiptarëve me hapësirat ujore. Dhe në këtë kontekst me kulturë ujore kuptohet jo thjesht prania tematike e ujit në tekst, por një ndërthurje e mënyrës së jetesës, ndjeshmërisë estetike dhe formave shprehëse që artikulohen nëpërmjet detit, lumit, liqenit dhe kufijve ujë-tokë. Në këtë kuptim, uji funksionon si hapësirë materiale dhe si strukturë simbolike që ndikon në ndërtimin e imagjinatës letrare dhe artistike.
Në terminologjinë ndërkombëtare, kjo dukuri përkon me atë që në studimet krahasuese dhe ndërdisiplinore emërtohet si hydro-cultural tradition ose water-centered cultural imagination, koncepte të përdorura gjerësisht në antropologji kulturore, ekokritikë dhe studime letrare bashkëkohore. Këto qasje e trajtojnë ujin si faktor formësues të identitetit kulturor, jo vetëm si motiv estetik të izoluar. Kjo mënyrë e studimit të letërsisë shqiptare do të krijojë mundësi për studimin e saj jashtë kufijve brendashqiptarë; do të ndikojë edhe në leximin dhe studimin krahasues të letërsisë shqiptare me letërsinë mesdhetare, nordike e atlantike të cilat mbështeten pikërisht në bazamentin e përbashkët, atë të kulturës ujore.
(Kumtesa është lexuar në Festivalin Poetik të Prishtinës, në ditën e parë kushtuar Letërsisë shqipe në Malin e Zi, më 21 janar 2026)
