Një libër për fëmijë, që na fton ta duam vendlindjen dhe historinë e saj

Xhahid Bushati

Libri “Floçka e Liqenit” është vepra më e arrirë në krijimtarinë e shkrimtarit për fëmijë Ibrahim Berjashi. Vepra qëndron në kufirin ndërmjet letërsisë artistike, historisë, mitologjisë dhe gojëdhënave popullore të trevës së Krajës dhe Ulqinit e rrethinave të tij. Ky libër ruan si amanet trashëgiminë shpirtërore dhe identitetin historik të shqiptarëve në Mal të Zi. Kjo trashëgimi e ruajtur dhe e përdorur edhe përmes elementeve legjendare e të vërtetave historike, krijojnë në këtë libër një rrëfim të pasur dhe me një ndërthurje interesante, të cilat në tërësinë e tyre shprehin talentin dhe personalitetin artistik të shkrimtarit Ibrahim Berjashi.
“Floçka e Liqenit” nuk është thjesht një rrëfim për një vajzë mitike apo një figurë alegorike, por është një metaforë e gjallë e historisë së Krajës, Shasit, Ulqinit, ku ndërthuren: legjendat e liqenit dhe zonave të lashta (figura e Floçkës është e lidhur me gojëdhëna për krijesat magjike që kanë dalë nga uji…). Gjithashtu, në libër, gjejmë plot figura historike dhe motive popullore për të mbajtur gjallë ndodhi që nuk janë të dokumentuara, por që jetojnë në kujtesën e popullit.
Duke iu referuar titullit përrallor e legjendar të librit, Floçka është personazhi kryesor që i jep frymë veprës, por ka dhe karakter simbolik. Përfaqëson gruan shqiptare si mbrojtëse e jetës, kulturës dhe e gjuhës. Ndërsa Liqeni është simbol i jetës dhe i misterit. Në këtë libër parakalojnë kapitenë dhe luftëtarë shqiptarë, krajanë e ulqinakë, prijës popullorë etj. Por kanë një domethënie historike edhe plot figura legjendare që zënë vend në këtë libër, si: zanat, gjarpërinjtë mbrojtës, kafshët nënujore… etj., të cilat autori i shpërfaq si dukuri mitologjike në përmbushjen e historisë së Ulqinit e më gjerë.
Duke shfletuar me kujdes librin e Berjashit, vërejmë realizimin dhe funksionimin artistik mes historisë dhe gojëdhënës. Historia rikrijohet përmes artit letrar. Ai nuk ndalet në një rrëfim linear historik, por përmes fabulave me të papritura e simboleve që sjellin atmosferën e moteve të shkuara. Kështu, ata bëjnë bashkë të vërtetën me fantazinë, ndaj Floçka si krijesë mitike merr pjesë rreth ndodhive reale. Përdorimi i gojëdhënave, i rrëfimeve të të moshuarve, legjendave… etj. i jep librit edhe një vlerë dokumentare.
Në këtë krijim letrar e dokumentar me theks identitar, vërejmë edhe disa dukuri të këtij libri, si: gjuha poetike dhe figurative e pasur me metafora dhe përshkrime të natyrës; malli për të shkuarën; udhëtimi i fëmijëve, natyra kurioze e tyre, pjesëmarrja dhe elementi njohës dhe dituror për Vendlindjen dhe më gjerë. Kjo, nga ana e autorit mbetet aktuale dhe porosi për brezin e ri që të mos harrojnë rrënjët, të çmojnë trashëgiminë kulturore dhe historinë e prindërve, gjyshërve, katragjyshërve… etj.
Talenti i shkrimtarit Berjashi shfaqet që në fillim të kapitullit të parë me një befasi të këndshme dhe me një tipar thelbësor të vendlindjes së tij. Paraqet një atmosferë zbulimi të një bote të fshehur nën sipërfaqen e ujit – një liqen që mban në thellësi histori të shumta të harruara. Floçka, një figurë qendrore, paraqitet si një krijesë e lidhur me të shkuarën e qytetit dhe zbulimi i saj është një mënyrë për të ringjallur kujtesën kolektive. Më pas vjen ndërtimi strukturor i këtij kapitulli, i cili nis me një ndërtim gradual të përshkrimit natyror dhe, përshkon një rrugëtim emocional të personazhit që gjen Floçkën. Ka një tension që rritet, pastaj kulmon me zbulimin e së vërtetës së historisë së saj dhe përfundon me reflektim.
Është interesant, krahas kapitujve të tjerë është dhe kapitulli me titullin “Dita e Tratkës”. Kjo ditë përshkruhet si një festë e vjetër detare, ku populli i Krajës, Ulqinit u jepte nderim detit dhe banorëve të tij. Floçka përfshihet në këtë ngjarje, si pjesë e një rituali ku jetojnë e komunikojnë: të mëdhenj e të vegjël, të moshuar e të rinj, legjendat, historitë, mitet… etj. Ka një mbyllje të gjetur e të motivuar artistikisht e poetikisht, siç është paraqitja e misterit. Autori don të na thotë se ky liqen dhe qytet mbajnë ende mistere që duhen gërmuar dhe gjetur që të plotësohet dhe të njihet sa më në thellësi historia e tij e qëmoçme.
Në vijim të një këndvështrimi dhe analize, dua të ndalem edhe te kapitulli “Qyteti i Princeshave”. Një tregim alegorik që flet për një qytet të zhytur në legjendë, ku princesha të ndryshme kanë gjurmë me mençurinë e tyre. Floçka udhëton në këtë qytet në kërkim të historive të tyre, kur ajo vetë është histori. Çdo princeshë përfaqëson tipare e virtyte, si: mençuria, guximi, butësia, drejtësia etj. Vetë kapitulli është i konceptuar dhe ndërtuar në mikro-rrëfime dhe funksionon si strukturë ciklike.
Kurse analiza e dytë është për tregimin “Ditëlindja e peshkut”. Një tregim simbolik, ku përshkruhet ditëlindja e një peshku të mençur, i cili ka dëgjuar të gjitha rrëfimet e liqenit. Festa e organizuar dhe rrëfimet e çdo peshku është një copëz historie, ku flitet për gjetje e detaje mahnitëse artistike e funksionale nga ana e shkrimtarit Berjashi, falë aftësive të talentit të tij.
Ndërsa analiza e tretë është për pjesën “Baladë për rosakun”. Një rrëfim poetik për historinë e jetës së trishtuar të Rosak Pikaloshit. Më ka mbetur në mendje ky fragment i mrekullueshëm e kuptimplotë: “Nga lotët e malli s’dinte të tregonte në cilën lagje kishte qenë shtëpia e tij. Më në fund e gjeti, por kishin mbetur vetëm gërmadha. Aty u strehua. Deri natën vonë është dëgjuar duke puthur gurët.”
E shoqëron librin “Floçka e Liqenit” edhe një fjalor i pasur detaro-poetik (me plot metafora e simbole), si: thellësia, rryma, spiranca, gufimi, kallami, limani, tratka, vela, barka e madhe, valët që mbajnë kujtime, përmes rrjedhjes së ujit që sjell kujtimet e qytetit, pluhuri i detit që bie mbi pallatet e vjetra, porti i mbuluar nga heshtja, era që fryn si këngë detarësh; rrjeta, rëndesa e thellësisë, shkëlqimi i peshqve si yje në errësirën ujore, kujtesa e dallgës, deti dhe liqeni – pasqyrë e shpirtit; (rrjedha dhe valët simbolizojnë kohën dhe rrëfimin edhe të autorit, që nuk ndalet kurrë…) Si përfundim i kësaj pjese të cituar: përdorimi i gjuhës e fjalorit detar dhe mitik krijon një poetikë të ujit, ku çdo fjalë ka jehonën e një legjende.


Mes kësaj bote plot ngjyra e të papritura, plot mistere legjendash e mitesh, me përshkrime realitetesh të afërta e të largëta ku sundojnë realja, imagjinata e fantazia, në ‘tharmin’ e librit janë një grup fëmijësh, si: Fani, Petriti, Salihu, Toni, Rexha, Marku, Zeka, Gjergji… etj., pa ndarë si personazh kësaj here edhe krijuesin e veprës (Adrianin ose shkurt Janin), të cilët së bashku janë përherë në udhëtim: drejt zbulimeve të reja nënujore, miteve dhe legjendave, ende të panjohura. Një rrëfim që vazhdon… Dhe “Floçka e Liqenit” me realizimet dhe dimensionet e saj, mbetet “pasaporta” më e vyer artistike e shkrimtarit të talentuar Ibrahim Berjashi.
Të dashur fëmijë, ju ftoj ta njihni këtë libër të vlefshëm e edukativ!

Të fundit

më të lexuarat