
PLEJADË
Në cepin e dhomës, aty ku heshtja fle
Jeton një grua që lutet të jetojë nën dhè
“Të dua shumë”, një zë i brishtë i thotë
Edhe një herë e kupton pse duhet t’ia dalë dhe sot
Sa shumë i pëlqejnë ngiyrat atij burri
Por jo në telajo, në timen lëkurë
Plejadë… Çfarë kryevepre e mirëfilltë
I thua vetes çohu edhe një herë për fëmijët
Para teje çdoherë inerte do të jem
Të drejtën e fjalës ashtu si jetën ma shemb
Se me vdekjen vallëzoj çdo ditë
Merr hak, vetëm me falje o i pashpirt
A ke menduar fajësia si shfajësohet
Apo edhe ajo si plaga ime largohet
Të pavlerës vlerat si i ruhen
Harrova, je burrë e të gjitha shuhen…
Si ushtar spartak para teje qëndroj
Zhurmë e madhe, por të flas s’guxoj
Vrizëm empatie që kurrë s’ma fale
Klithmë zëri im ushton mbi male
SA FRIKË TË JESH NJERI
Edhe heshtja bën zhurmë,
sidomos kur humb në turmë.
Sa frikë…
Sa frikë të jesh njeri…
Sa frikë të presësh,
të gjesh veten në dritë,
përtej natës,
deri kur të bëhet ditë.
E atëherë, kur bën gabim,
të bërtasësh është faji im,
e pastaj të notosh në pendim,
por t’i thuash vetes jam njeri trim.
Se të jesh trim
do të thotë të falësh,
se ndërgjegjja mallkimet të bën t’i ndalësh,
edhe nëse ato gabime kanë peshë malesh.
Të pasqyrosh ndershmëri ndaj të tjerëve,
nga kjo botë
as nuk ke marrë
as nuk ktheve.
Të jesh njeri
do të thotë të ndihmosh,
pa lënë premtime bosh,
pa patur nevojë te ndokush ta arsyetosh.
Të flasësh kur e gjithë bota hesht,
se fjala çdo njeri e çon peshë,
sidomos kur me frikën
s’ke frikë me u ndeshë.
Të kuptosh se edhe vetmia trishtohet
atëherë kur çdo lule i rrënohet
pak nga shiu
e nga toka që trazohet.
Se kufiri i urrejtjes dhe dashurisë
gjendet te pragu i shtëpisë,
kur atë e kalon,
ikën ndjenja e sigurisë.
Se zotëri morali
nuk lexon ligjërata në qytet,
të të tregojë si çdo fjalë që të vret,
edhe atëherë kur ti nuk e pret.
Nuk të bërtet njeri i ndyrë,
as jep dhuratë një pasqyrë
të shohësh nëse aty
ka mbetur ndonjë fytyrë.
Nuk të këshillon as kur ti gabon,
po t’bërtet me të madhe
“s’mund t’i japësh frymë
asaj që nuk frymon”.
Se flaka bëhet hi e flokët e thinjur
do të na marrin bashkë me valsin e vdekjes,
të na pyesin
përse kemi shpalosur epitomën e jetës.
Sa frikë të jesh njeri…
Sa frikë…
MALL
Krejt kjo pamje që më venitet, në nuancat e qytetit të humbur,
Rrënjët larg, por s’i kam shkulur,
Aromën në kuti postare ta kërkoj,
Rrugët e nëmura më shumë i mallkoj.
I veshur me copa neverie, pa zë, pa fjalë,
Nga sytë e mi skëterrë trishtimi – lot më rrjedhin dalëngadalë,
Shfryj si era në trungjet e thata,
Në vend të huaj u thinja, u plaka.
Kollitje e thatë, që s’më ka lëshuar,
E vetmja pasuri – një grusht dhe që mbaj në duar.
Kur t’i mbyll sytë, ju lutem, me vete ma jepni,
Mbi varr, në vend të huaj, vendi im të më preki.