Anton Gjuravçaj
prej terri
e morëm dritën
duke e ruajtur
si pikë uji
në pëllëmbë të dorës
që mos të na fiket
dhe e vumë në bebëzat e syve
që bukuria të shkrihet në to
prej ferri
na e prunë frikën
që të rrënojë guximin
e ashtit tonë
të na lënë
“vullnetarisht” në qoshe
sikur vetëm të donim
me sinqeritet
t’i kuptonim fjalët tona
do të mësonim se ne nuk flasim me zë
as nuk lëvizim pa urdhër
të tjerët na bien
si veglave muzikore
por jo
për të trembur lugetërit…
në teatrin e të çmendurve
ku fillon dhe përfundon
përditshmëria jonë
për ditë e sjellim në rreth historinë
si një nuse të re
për t’i vu në prehër
të verbër dhe të çalë
/mrekullia e shërimit…/
duke menduar se kënga na krijoi
e jo ne këngën
i ngjisim pare në ballë
apo i fusim në gjinj
kandari ynë
ka kohë që mund të masë
vetëm interesin e mbështjellë në gënjeshtër
vaj kush na i mëson këto veprime
frika jonë që je në “qiell”
e interesi ynë vetjak që je në tokë
kjo mund të vazhdonte
por më mirë
si pasqyrë
të lakojmë emrin qyqar
qyqari
qyqarit
qyqarit
qyqarin
qyqarit
kjo mund të merret edhe si emër
mbiemër
brez
nuk mund të flasim për identitet
pa dinjitet
kemi zbuluar emrin fluturues për njerëzit
/zogjtë shtegtarë…/
njeri i xhepit
paramendo një poet
/që mos t’u vijë keq të tjerëve/
apo për hir të së drejtës
një jurist
që thyen qafën prej xhepit të dikujt…
deri kur do të na qepin…
paralizojnë
përqeshin
poshtërojnë
me ndërrimin e dorëzave në pakufi…
i bekuar
i pëkuar
kështu shtohet edhe një rreth i ferrit
përfaqësues
shpesh e ngatërruar me
për fat mësues
/mes neologjizmit dhe mitologjisë/
“kolos” në mesin e të vetëve
e kacabu në mesin e të tjerëve.
dashtë e pa dashtë
u bë i detyrueshëm një kurs nate i demagogjisë
veçanërisht për ata që kishin vlera
injoranca nuk ishte diçka që nuk e njihnim
për shumë kënd modus vivendi intelektual
/”pasuri dhe trashëgimi” familjare…/
njerëzve në post sanduiç
/…e pranueshme për gjendje mentale specifike/
u çlidhen krahët prej gënjeshtrave
dhe ashtu të kthyer me kokë poshtë
vazhdojnë marshimin…
…ku kambana shndërrohet
në troke…
gjithçka që nuk përputhet me interesin
duhet të ndërrojë emrin
apo kuptimin
fillon me qitje ashti
e vazhdon me qitje shkopi…
në vend të asaj e gjithë njohur
të formimit të njeriut prej dheu
arritëm të formojmë njeriun prej pështyme
ku sistem vlerash bëhet posti… edhe pse valle leckash…
/pushteti i shkurt’/
e turpi i përjetshëm/
këngët e porositura me pagë
/i njohur si argëtimi me këngë pulash/
librat e porositur me pagesë
/të njohur si libra të përhimët/
a ka dëgjuar kush kurrë për arkiva…
dokumente të shkruara
kush ka të drejtë
ta turbullojë të vërtetën
t’i krijojë rrugë paralele realitetit
të na krijojë një jetë pas rrjete
vetëm që të mbledhë lëmoshë historike për emrin e vet…
përse na pengon e vërteta
madje tmerron
pse në vend të përgjegjësisë
zgjedhim heshtjen…
a ka kuptim hamendja
për një kosh pleh…
pse të “fortit” u rëndojnë kapakët mediave
e “vegjëlia” mundohet t’u vendosë shtylla
posedimi i dritës ka vetëm një emër
terr
rrokullisje
vetëm në një anë
bota pa parime dhe e turbullt
rritet në saksitë e verbëta dhe të shurdhëta…
në shoqëri lëmoshe
lehtë ngatërrohet profesioni me aktrim
në lojë gjysmash
vështirë dallohet çalimi drejt qëllimit
me qëllimin e çalë…
rruga prej dritares deri te njolla
/edhe pse ecje nëpër tel/
mund të jetë ndonjëherë
edhe e shkurtë…
përfaqësuesit u shndërruan në përqafues
/”pushtet” e yndyrë…/
karakteri në karrige-terri
/që i ngjiten si kroma/
pesha e njerëzisë dhe funksioni
në varëse çelësash…
vragë kolektive… me përmasa historike
/dhuratë e “patriotëve“/
prej “intelektualëve” modernë
/me mësua
mos me mendua
me u punësua… mundësisht politikisht/
nuk na mungojnë shembujt
e hyrjes
nëpër derën e shërbëtorëve…
ku nuk ka farë
/apo është e stërkequr/
fillojnë të rriten barishtet…
si duket bota prej flluske
a ka marramendje
e si duket njeriu në flluskë
a është kjo liria
dhe e kujt është…
e njerëzit në zarf
/zëvendësim i vendqëndrimit të natyrshëm/
asketizëm i kushtëzuar
apo… aventurizëm më shumë se i gabuar
plagët e tyre
prej vulave postare
a do t’i këndojmë në këngë….
në libra të porositur
prej ferri
na e prunë frikën… injorancën… smirën…
që të rrënojë guximin
e ashtit tonë
rrënjëve tona
të na lënë
“vullnetarisht” në qoshe
me një rrahje krahësh…
edhe pse “oborri mbretëror” u shndërrua në fund filxhani
mendojnë se nuk ka turp
që s’mund të mbulohet me “pushtet”
/konvertim me përplot vullnet në statistë…
pjesë e dekorit…/
dhe kjo më edhe nuk është ngjarje
por mburrja me të është fundosje historike…
ndjekje e karvanit… edhe pse i panevojshëm
edhe pse të shajnë
apo gjuajnë me gurë
egoja e barkut
komfori
“siguria”…
sikur kështu të na kishte funksionuar historia
njerëzit kurrë nuk kishin marrë malet
dhe sot nuk do të ekzistonte emri malësor
nuk do të kishim asnjë atribut mburrjeje
asnjë veçori
as stol
as vend
as komb
mund të jetë
do të quheshim strajcorë
kalldrëmorë
/me logjikën e sotme/
hija e hijes së hijes…
tradita nuk mund të shndërrohet në pronë
ajo meritohet…
sikur dinjitetit të shqiptarit
kohët e vështira
t’i kishin shkaktuar marramendje…
kaherë ishte shua vatra jonë
kush
kush fjalët dhe ndjenjat më të dëlira
/duke manipuluar dhe përdor për qëllime vetjake/
na i shndërroi në farsë
prej ferri
na e prunë frikën
…heshtjen… plogështinë… letargjinë…
që të rrënojë guximin
e ashtit tonë
rrënjëve tona
të na lënë
“vullnetarisht” në qoshe…
me kohë
pa kurrgjë pas shpirti…
me një “trashëgimi” të re…
prej vilajetit të errët
dhe fshatrave të Potemkinit
e deri te frika e “djegies” politike
/edhe një rreth i shtuar i ferrit/
vetë formohet mozaiku
i idiotëve të dobishëm
që kurrgjë nuk lënë në vendin e vet
“lëshimi i bletës” politikë…
/me tendat e veta të qyqarëve/
keqpërdorim i njeriut të lirë
patriotizmit…
farisenjtë në lojë…
mediat e “lira”…
“realiteti” historik me “arkiva” dollari…
xhepi plot e kryet bosh
thirrje vaj demokracisë
me gërvishtje faqesh në kor…
vetëdija për pavetëdije
a është fillim i katarzës
ndalja më në fund në sipërfaqe…
për bukurinë e dritës në bebëzat e syve
kur dora e shtrirë realitetit
mbetet e varur
gjithmonë flitet
për atë pyetjen e përjetshme
a ka kujt t’i shkruajë poeti…