Katarakti

Asllan Bisha

Para dy vitesh kisha operuar syrin në një poliklinikë private në Tiranë, që ma kishte sugjeruar një mjek shkodran me prejardhje ulqinake. Ai më kishte përcaktuar diagnozën – katarakt. Më tha çmimin që duhet të paguaja për heqjen e kataraktit, më lidhi me doktoreshën që kishte specializuar në Itali, gjë që më bëri të fitoj edhe më shumë besim.
Ashtu edhe veprova dhe çdo gjë shkoi mirë. Doktoresha dorëlehtë ma ktheu shikimin. Pas operacionit, ia dhurova librin tim “Nusja e detarit”, i cili kishte fituar çmimin e shoqatës.
Kontrollin e bëra në Shkodër pas një jave. Isha i lumtur ngase kisha pasur shumë problem me sy.
Pas dy vitesh, shikimi i syrit të djathtë m’u dobësua, mirëpo më mungonin paratë për operacion. Punoja gjatë verës dhe në fillim të vjeshtës vizitova mjekun okulist shkodran. Pasi që më bëri një kontroll të detajuar, më tha:
– Je vonuar pak. Për dy muaj unë hapi poliklinikën time në Shkodër. Por, shko në Tiranë, mos më prit mua! As mos më përmend, sepse nuk kam miqësi e as raporte me doktoreshën, por kontrollin pas operacionit hajde bëje tek unë.
Ashtu edhe veprova. Në fillim të vjeshtës, doktoresha më caktoi datën e operacionit. Mora paratë dhe trokita në poliklinikën e re. Dikur, pas nja pesë orësh, dy mjeke m’i kontrolluan sytë. Doktoresha që përtypte çamçakëzin në gojë, me sjellje aspak të hijshme dhe njerëzore, më tha:
– Zotëri, syri i djathtë ka katarakt, por në thellësi ka edhe kancer! Pas operacionit duhet të merrni gjilpëra për ta shpëtuar, por edhe syri i majtë duhet shëruar.
– Doktoreshë, sa kushton një injeksion? – e pyeta.
– 150 euro, – u përgjigj ajo.
Bashkëshortja ime u befasua! Filloi të dridhet ngaqë para një viti kisha operuar kancerin në fyt. Ndërsa unë, ashtu i turbulluar, lëviza në karrigen tjetër.
Doktoresha tjetër sillej si një vajzë shumë e kulturuar. Edhe ajo më tha të njëjtat fjalë, por ishte më bindëse, sepse duhet t’i ruhesha diabetit.
– Shpresoj se dhjetë injeksione janë të mjaftueshme për t’i shëruar sytë ngaqë sëmundja është në fillim! – më tha.
U ngrita. Bashkëshortja ime qante. Këqyrte kuletën për të gjetur 150 euro dhe për të nisur procesin. Kurse unë isha i zemëruar nga sjellja e doktoreshës së parë dhe fjalët identike të doktoreshës tjetër. Se ç’mu ngjall një shpresë në intuitën time.
“Ky është mashtrim! Injeksione në kërdhokull?! Jo, s’e besoj! Le të më operojë doktoresha!”, mendova me vete.
Isha me gjysmë narkozë, ndërsa doktoresha punonte në sy dhe rrëfente telashet që kishte me burrë, i cili e tradhtonte. Dikur mbaroi operacioni.
– Kujdes diabetin! Më ka pëlqyer libri. Disa doktoresha e kanë lexuar. U pëlqen, – më tha.
Gruaja dhe djali, të befasuar me qetësinë time, më pyetën me kureshtje:
– Çka të tha doktoresha?
– Asgjë. Kujdes diabetin!
– A është e mundur?!
– Unë s’kam kancer, – iu thashë.
– I gjejmë të hollat, i marrim borxh, – fliste si me të qarë gruaja ime.
– Jo, s’bëj injeksione! – thashë unë.
Djali rrinte si i gozhduar, ndërsa unë mezi prisja të kthehem në Ulqin. Ai bleu disa ilaçe që i kishte shkruar doktoresha. Isha i rraskapitur dhe i lodhur shpirtërisht. Nuk mund të besoja!
“A thua është e vërtetë apo kanë ndonjë plan?! Do të pres kontrollin te mjeku në Shkodër. Ai më tregon të vërtetën”, ziente mendja ime.
Pas dhjetë ditësh, doktori shkodran ma kontrolloi syrin e operuar, por edhe tjetrin. Pasi e kreu kontrollin, ndaloi pak dhe buzëqeshi, kurse unë gati sa nuk rashë nga karrigia.
– Operacioni ka pasur sukses. Edhe syrin e ke mirë, – tha doktori.
Unë mezi qëndroja. E falënderova, ndërsa pacienti tjetër priste në radhë. Lotët më rridhnin pa ndalur. Asgjë nuk besoja, dridhesha nga gëzimi.
“Si është e mundur të më ndodhë një gjë e tillë në Shqipëri?!”
Nisa të shkruaj për këtë ndodhi me qëllim që ta publikoj në shtypin shqiptar. Por?! O Zot i madh, do të thonë se më kanë korruptuar dhe e bëj për para, dua ta shkatërroj klinikën etj..
Tani pas tetë vitesh po e shkruaj këtë rrëfim, pa përmendur emrin e poliklinikës, as të doktorëve. Ndoshta do të më quani oportunist?! Edhe mund të më quani. Ashtu më kanë “pagëzuar” ata të partisë kur më dënuan. Më quani si të doni, mua rrallë më cingëron telefoni. Jam në pension, vlerësoni si të doni.

Të fundit

më të lexuarat