Hëna në rrugëtim m’i rrëmbeu kujtimet

Ali Gjeçbritaj

KËNGËT E JETËS

Nuk e di sa kohë ka kaluar
kur u takova me ty
di se atëherë nuk shkruhej
ditëlindja as viti i shekullit
sot kam mbetur i njëjti
si atë ditë kur koka më ra
në truallin e lashtë sa jeta
këtu e mbi dy mijë e pesëqind vjet
në lëmin ku fshihej drithi
koha flet më shumë se unë
motet më bartën mbi supe
e unë në shpatulla
peshën e tyre
asnjëri fitimtar në kohë
jeta na shtroi në sofër
bukë kripë e zemër
legjenda që s’vdesin kurrë
kënduar në tel lahute
kreshnikët flasin me gjuhë nëne
flasin gjuhën e perëndive
kurrë s’u shterën vargjet e këngëve
as zëri i lahutës varur në mur
sytë në mëngjes i hapi me burrëri fjalësh
titanikun e fundosi deti
këngët tona s’i mposht dot kush
këngët e jetës që s’vdesin kurrë.

NJË PIKË LOTI

Në një pikë loti
shumë dhimbje
e pak ujë
nuk e di
pa ujë s’rri dot
dhimbja nuk shuhet
me ujë
por me dashuri
lot nënash
rrjedhin fytyrës
në vuajtje të vetmuara
shega në kopshtin tim
kokrrat rrit
pika loti
me dhimbje
përcjell frytin në pjekje

NË AEROPORT

Sot në aeroport
Me sy kah qielli
Shikoj fazat e hënës
Në perëndim të diellit
Pas malit iku edhe një ditë.

Sot në aeroport
Shikoj fluturimin e aeroplanit
Pas kam lënë hënën
E përpara kam detin
Bija ime më përshëndet
Shihemi vitin tjetër.

Sot në aeroport
Shikoj hijen time të tejzgjatur
Në drekë vala e detit
Ka ndalë vrullin
E në mbrëmje do ngrysem
Me rrjedha lotësh
Për mallin e fëmijëve
Që po na lënë vetëm
Deri në verën tjetër.

SHKUPI

Jam sot si dikur
në qendrën e Vilajetit
mbi Urën e Gurit
numëroj gjurmët
që kam hedhur dikur.

Shikoj rrjedhën e lumit
Vardari nën harqe
rrjedhën ngadalëson
pas shumë kohësh
më përshëndet me dorë.

Unë pas shumë vitesh
në Pazarin e Vjetër
me rrugë kalldrëme
me gurë
në kokë
kam vënë kësulën e bardhë
si dikur.

Në udhën e gjatë të kthimit
mjegulla iku nga toka
kaltërsia kaploi gjithësinë
botë e madhe e fjalëve
formë e planetit tonë
retë u bënë të bardha
Si shkumë e qumështit
kur vlon.

SHPORTË FJALËSH

Nga shporta e mbushur me fjalë
Një nga një i nxora ngadalë
I lidha si hallkat në zinxhir me radhë
Me vargëzim bëra kalanë.

Nga shporta e mbushur me fjalë
Thitha nektar dhe qumësht blete
Si musht frutash në ditë vjeshte
Ua dhashë të tjerëve s’i mbajta për vete.

Unë nga shporta fjalët nxora
Asnjërën për vete s’e mora
I shpërndava të gjitha sot
Shporta ime prapë është plot.

HËNA M’I RRËMBEU KUJTIMET

Në heshtje pranë dritares
qëndroj i vetmuar
në xham si lot
rrjedh pika e shiut.

Shikoj gjethet që bien në tokë
era lëkund degët pa mëshirë
hëna mbi liqen
qëndron pezull.

Vjeshta
më veshi me kujtime
dikur i mbaja me vete
sot po i rrëmben papritur.

Më kot thith cigaren
hëna çan rrugën
m’i zhvesh kujtimet
që mbaja me vete.

Notojnë
me valë të lehta liqeni
kujtimet djaloshare
hëna në rrugëtim i mori me vete.

FOLEJA E ZBRAZUR

Me pëlhurë mbulova mëkatet
e betejës së humbur
foleja e zbrazuar i mblodhi
në heshtje plumbat e shkrepur.
Në qiell ushtari i lirisë
numëron xixëllima yjesh
hëna mbi liqen kërkon
foletë e pulëbardhave.
Shtegtimi im në kohë
shkrin vitet memece
me duar shtrëngoj mallin
e në heshtje kërkoj
folenë e mbushur
por jo, e gjeta të zbrazur

GJYMTYRË

Sytë e mi kanë parë
fytyrën e viteve
lindje dhe perëndim dielli
hënë të re dhe hënë plakë
rritjen e bjeshkës
e zgjerimin e fushës.
Sytë e mi kanë parë
xixa stralli
gjithmonë bardhësi bore
në maje mali.
Veshët e mi
kanë dëgjuar
zërat e jetës
këngë djepi
këngë dasme
këngë pleqërishte
këngë vaji.
Duart e mia
kanë prekur horizontin
brendinë e tokës.
Me grushta
kanë kalitur çelik
kanë zgjidhur zinxhirë
vargonj në gjymtyrë
kanë hequr me zjarr.
Këmbët e mia
kanë shkelur në prush
në baltë e gurë
me shkëmbinj
janë kacafytur.
Hapa divash kanë bërë
për të ardhur deri këtu
për të dëshmuar se jemi këtu
për të vazhduar jetën
këtu e gjithkund
në rruzullin tokësor.

Nju Jork, 15 janar 2025

KAM DALË

(variant)
Sot kam dalë
kam marrë dheun në sy
në nëntokën e qytetit
vargonj trenash
bëjnë forcë pune
askush nuk flet
secili sheh punën e vet
as në sy nuk shikohen
në horizontin e botës memece
me pallate takohem në heshtje.
Sot kam ecur në këmbë
në zonat urbane të qytetit
me kafen e mëngjesit në dorë
vrapon njerëzia pa folë
edhe unë si ata
pa përshëndetje
i vetmuar sot kam dalë.
Nga qyteti i nëntokës
si milingonat punëtore
si dikur nga lëmi i grurit
ku formonin vargun zinxhir
hambaret mbusheshin
për stinën e ngrirë.
Në qiellin e qytetit metropol
avionët fluturojnë
si zogjtë mbi ara dikur
ku korreshin drithërat
gruri dhe misri bilur.

Nju Jork, 14 janar 2025

SOT

Sot
jam zgjuar herët
në nëntokën e qytetit
kam vrarë errësirën
trenat në vargonj
bartin forcë pune
askush nuk flet
vetëm zhurma e trenit
mbyt heshtjen
secili
sheh punën e vet
bota sillet e përsillet
nëntoka gjëmon
e në horizontin e qytetit
gradaçelat
janë vënë në rresht
kapur dorë për dore
hedhin vallen e kohës.
Sot
kam ecur në këmbë
në zonën urbane
të qytetit gjigant
kafen e mëngjesit
mbaj në dorë
e shtrëngoj fort
nga qyteti i nëntokës
në qytetin metropol
kam dalë memec
heshtjen e mbytën
fluturimet e avionëve
si dikur zogjtë
mbi arat tona
kur korrej gruri.

Nju Jork, 14 janar 2025

Të fundit

më të lexuarat