
Donika Berishaj është një poete e re nga Tuzi, e diplomuar në Universitetin “Mediteran” – programi studimor Gjuhë Angleze dhe Letërsi. Poezitë e saj janë publikuar në media kulturore si KultPlus, ku ishte finaliste në dhjetëshen më të mirë të konkursit poetik “KultStrofa”, dhe në gazetën zvicerane Le Canton 27, ku ka përfaqësuar zërin e rinisë nga trevat shqiptare. Përveç krijimtarisë letrare, ajo punon mësimdhënëse e gjuhës angleze dhe po ashtu në fushat e marketingut dhe komunikimit, duke gërshetuar fjalën poetike me frymën bashkëkohore të shprehjes artistike.
I KAM FOLË HANËS PËR TY
I kam folë hanës për ty,
Pa nalë i kam folë,
Se si shndrit edhe ti, jo vetëm ajo, natën.
I kam folë se sa e vetmueme jam kur nuk t’kam pranë,
I kam folë për dashninë që fshihet diku natën, nëpër terr,
E largohet si del drita.
I kam folë shumë hanës për ty,
Po ajo m’tha se e kam fatin e njajtë me të.
VIJA QË NUK PREKEN
Mund të mos ishim prekur, përkëdhelur, e as puthur.
Po shpirtrat tanë janë të lidhur që nga jeta jonë e kaluar.
Një univers paralel, ku ndjenjat nuk luhaten, ku fjalët thuhen, dhe buzët puthen.
Një jetë tjetër ku vetmia është koncept abstrakt,
Kurse unizimi i trupave tanë një realitet i pashmangshëm.
Po sikur të ishim puthur, dashur, prekur, ledhatuar, dhe në këtë botë?
Po si të na kishte vdekur egoja nga uria?
Sikur të kishim shpërthyer nga epshi,
E sikur të ishim ngopur nga dashuria?
LARG SYRIT, AFËR ZEMRËS
Një tragjiko-romancë e shkruar nga dy të huaj,
të humbur në ehot e klithmave që i prodhon epshi.
Duart e ndërlidhura,
lëkura që fërkon lëkurën,
pasion që pikon pikë pas pike,
si ai vaji në pëlhurë.
Buzë të dehura,
shikime të zjarrta,
dy trupa që s’ndalen së puthuri,
që kur agon dita e erret nata.
ME HANËN VALLËZOJ TANGO
Me hanën vallëzoj tango,
E egër sillem rreth saj,
Provokoj hijen e saj,
Kërcej me dritën e saj.
E plotë është sonte, edhe pa mua,
Por prapë më duket e vetmuar.
Edhe hana ka nevojë për pak diell,
Që të reflektojë dritë në këtë tokë mizore.
Hapat s’i di…
Por s’ka rëndësi,
Ritmin e njëjtë e kemi.
