Shkolla 9 vjeçare në Triesh, përkujtoi 17 janarin, duke shënuar 556 vjetorin e vdekjes së Gjergj Kastriotit Skënderbeut, heroit gjithëkombëtar, emrin e të cilit ky institucion edukativo – arsimor e mban me mburrje mbi pesë dekada, pikërisht tani 56 vjet. Solemniteti i rastit filloi me homazh, ku morën pjesë nxënës e arsimtarë të prirë nga drejtori i shkollës Leon Gjuravçaj dhe kryetari i Këshillit Zef Nikprelaj me ç’ rast vendosën buqetë me lule mbi bustin e kryetrimit kombëtar. Duke përshëndetur nxënësit, mësimdhënësit, prindërit, bashkëvendësit si dhe të pranishmit tjerë nga Malësia, drejtori i shkollës Leon Gjuravçaj , mes tjerash, theksoi se nxënësit dhe kolektivi punonjës sot përkujtojnë me dinjitet e respekt qëndrestarin e mbrojtjes së vendit dhe vlerave evropiane, heroin legjendar të kombit, i cili kujtohet ndër breza si udhëheqës i suksesshëm, vizionar, mjeshtër i madh i luftës, udhëheqës e prijës i një vendi të vogël , por me respekt e vlerësim ndërkombëtar. Për trimërinë dhe zotësinë në artin ushtarak nga Sulltan Murati i Dytë Gjergj Kastrioti merr titullin ‘’Skënderbej’’ ose Aleksandri – Leka i Madh, tha ai. Gjergj Kastrioti, ka hyrë në histori si një nga gjeneralët më të mëdhenj të kohës, si një strateg i shquar i luftimeve mbrojtëse, sepse me një ushtri të vogël mundi t’i përballonte me sukses formacionet e ushtrisë osmane, më të organizuarat dhe më modernet të asaj kohe. Kështu 25 vjet me radhë Gjergj Kastrioti Skënderbeu e ndaloi Perandorinë Osmane të depërtonte në zemër të Evropës për çka fitoi mirënjohjen e shteteve evropiane dhe të Papatit të Romës. ZOTI I ARBËRISË, sikur dëshironte ta quanin, përkujtoi drejtori Gjuravçaj, do të kujtohet ndër breza, sepse të gjitha këto fushëbeteja i arriti falë Besëlidhjes historike të Lezhës kur me 2 mars 1444 edhe u zgjodh kryeprijës i prijësve krahinor arbëror të bashkuar kundër Perandorisë Osmane.
Andaj, 17 janari shënon përmbylljen e një prej periudhave më të shndritshme të historisë tonë , atëherë kur Arbëria iu imponua Evropës si mbrojtëse e qytetërimit dhe civilizimit të saj dhe Gjergj Kastrioti hyri në historinë e Mesjetës si një ndër figurat më madhore të epokës së vetë, si strateg i luftës dhe profet i paqes. Për trashëgiminë e lavdishme të heroit kombëtar theksoi, pos tjerash, Gjuravçaj, flasin monumentet, shtatoret, emrat e shesheve, bulevardeve të disa kryeqyteteve dhe të metropoleve evropiane e botërore ndër të cilat bën pjesë edhe busti madhështor i vendosur pranë Shkollës tonë Nëntëvjeçare ‘’Gjergj Kastrioti – Skënderbeu’’ në Triesh të Malësisë. Në vijim nxënësit sipas një skenari të qëlluar artistik, të larmishëm, me plot entuziazëm, dashuri, emocione e krenari shfaqën recitalin me karakter letrar- historik kushtuar jetës dhe veprës së Gjergj Kastriotit Skënderbeut, i cili u përcjell me mjaft duartrokitje nga të pranishmit.
Po me aq interesim ndoqën edhe sekuenca, përkatësisht fragmente filmi nga dokumentari ‘’The warrior king’’ Gjergj Kastrioti Skenderbeg, prodhim nga Illyria Entertainment. Në kuadër të këtij aktiviteti përkujtimor, drejtori përmendi edhe bilancin e sukseseve të arritura gjatë gjysmë vjetorit të parë ku, pos tjerash, vuri në pah realizimin e projekteve zhvillimore të infrastrukturës shkollore, në shkollë qendrore si dhe në ndërtesa të paraleleve Cem i Trieshit dhe në Rudinë duke theksuar edhe aktivitetin e nisur për rihapjen e Paraleles në fshatin Poprat. Nga fillimi i vitit shkollor e deri me mbylljen e periudhës së fund vitit, shkolla ka pasur donacion me vlerë prej 2.000 euro, të cilat mjete do të përdoren për realizimin e projekteve shkollore. Ky donacion vjen nga mërgimtari, humanisti e veprimtari i njohur nga Malësia – zotëri Mark Nikollë Pjetrushi Lulgjuraj me banim në SHBA për çka publikisht drejtori Gjuravçaj e falënderoi, duke shtuar se ky bamirës edhe më parë shkollën e Trieshit e ka ndihmuar në shënimin e manifestimeve të rastit. Të theksojmë, zoti Lulgjuraj , po ashtu, ishte sponsor edhe i këtij solemniteti kushtuar 556 – vjetorit nga vdekja e heroit kombëtar. Manifestimi u mbyll me vizitën e panairit të punimeve artizanale dhe të produkteve ushqimore përgatitur nga nxënësit, mësimdhënësit të ndihmuar nga prindërit arsimdashës duke u shoqëruar të gjithë të pranishmit me një koktej mjaft të begattë.
Donika Lulgjuraj
