Tuz – Edicioni i IV-t i Festivalit të Lahutës- “Lahuta, okarina, polifonia” u hap të martën më 17 maj 2022, në QKI “Malësia” në Tuz, në prani të adhuruesve të lahutës dhe të eposit të kreshnikëve, me pjesëmarrje të studiuesve, të interpretuesve (rapsodëve) e lahutarëve të njohur, nga Shqipëria, Kosova dhe Malësia.
Në fillim të këtij evenimenti kulturor, përshëndeti sekretarja e Sekretariatit për Vetëqeverisje Lokale, Marina Ujkaj, e cila, organizimin për herë të parë të këtij festivali nga Komuna e Tuzit e quajti privilegj. “Gjithashtu privilegj për ne është fakti se ky festival niset nga Komuna e Tuzit dhe vazhdon nëpër troje të tjera. Uroj që kjo nismë të bëhet tradicionale në Komunën tonë”, u shpreh Ujkaj.
Në të njëjtën kohë, themeluesi i këtij festivali, Sokol Flakolli tha se ky festival u themelua me synim që të promovojë lahutën.
“Një vit pas themelimit të festivalit, përkatësisht në vitin 2020, u themelua edhe shkolla e parë e lahutës e cila mban emrin, “Lahutarët e rinj të trojeve etnike”, u shpreh Flakolli, i cili më pas bëri edhe prezantimin e lahutarëve pjesëmarrës të festivalit.
Nga ky festival u përcoll mesazhi se lahuta nuk po humb, përkundrazi, ajo po rilind nëpër trojet etnike.
“Fakti më i fuqishëm në këtë drejtim është themelimi i shkollës së lahutës i cili ka filluar në Prishtinë dhe do të vazhdojë në trevat tjera kombëtare. Ky edicion dëshmon synimin se lahuta shqiptare nuk është duke shkuar drejtë shuarjes. Dhe gjithë ajo luftë mediale që është bërë në mënyrë që të ndërpritet motivi i popullit shqiptar që të vazhdojë kultivimin e lahutës, tashmë është dejustifikuar, dhe një organizim i gjithmbarshëm shqiptar, një gjenerim i ri i lahutës në trojet tona, dëshmon se certifikimi i lahutës shqiptare, të këngëve kreshnike dhe të eposit tonë në UNESCO, është i pashmangshëm”, u shpreh themeluesi i festivalit, Sokol Flakolli.
Ai më tej ka bërë prezantimin (origjinën) e lahutës, okarinës dhe këngëve të polifonisë.
Kjo është hera e parë që ky festival mbahet në Malësi (Tuz), ndërsa u organizua nga Sekretariati për Vetëqeverisje Lokale i Komunës së Tuzit, në bashkëpunim me Qendrën për Zhvillimin e Kulturës Tradicionale “Shkabat” nga Prishtina.
Festivali në fjalë do të udhëtojë në të gjitha trevat shqiptare, për t’u përmbyllur në Prishtinë më 15, 16 dhe 17 shtator 2022.
Festivali i Lahutës- “Lahuta, okarina, polifonia” është themeluar në vitin 2019-të në Prishtinë me pjesëmarrje të të gjithë lahutarëve të trojeve etnike shqiptare. Në kuadër të këtij festivali është themeluar edhe Shoqata e Lahutarëve, “Lahutarët shqiptarë të Ballkanit”, me themelues dhe kryetar, Hysen Kurtaj.
t. u.
